LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kufizimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor

9 Dhjetor 2022, 08:48, Kosova & Bota CNA

Kufizimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor

Pushtimi rus i Ukrainës, e ka zgjeruar ndjeshëm gamën e instrumenteve të politikës së jashtme, të cilat Kremlini i konsideron si të pranueshme për përdorim. Në kushtet kur ushtria ruse po rrafshon qytetet ukrainase përmes bombardimeve, dhe duke i lënë qëllimisht njerëzit pa ngrohje dhe energji elektrike në mesin e dimrit dhe temperaturave të ulëta, vështirë se mund të pritet që Moska të tregojë humanizëm për çështje të tjera ndërkombëtare.

Kremlini është gati të shpërfillë kostot e veprimeve të tij më shkatërruese, me kushtin që ato të çojnë përpara kauzën e tij në Ukrainë. Megjithatë Rusia është çuditërisht e qetë në Ballkanin Perëndimor. Pse? Ballkani Perëndimor konsiderohet shpesh si një objektiv i lehtë për Moskën.

I afërt me Bashkimin Europian dhe përherë i paqëndrueshëm, ky rajon ruan lidhje të rëndësishme edhe me Rusinë. Ky kombinim duket se i ofron Kremlinit një mundësi të përshtatshme për të nxitur tensione atje dhe për të shpërqendruar vëmendjen dhe burimet e Perëndimit, për të pakësuar ndihmën e tij ndaj Ukrainës.

Megjithatë, 9 muaj pas fillimit të luftës, Moska duket se nuk po nxiton që ta shfrytëzojë këtë mundësi. Në mesin e rritjes së tensioneve në shumicën e shteteve të Ballkanit, Rusia ka mbetur kryesisht mënjanë, duke iu përmbajtur taktikave dhe narrativave të mëparshme, sikur viti 2022 të mos kishte përmbysur gjeopolitikën dhe gjeoekonominë e Europës.

Kufizimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor

Në pamje të parë, kujdesi i Kremlinit mund të duket kundërintuitiv. Por ai duket më pak i tillë nëse i hedhim një vështrim më të afërt kufizimeve të kahershme në politikën rajonale të Rusisë, të cilat janë shtrënguar më tej për shkak të luftës. Kontrasti midis agresionit të Moskës në Ukrainë dhe kufizimit të hapësirës së saj manovruese në Ballkan buron nga varësia e saj e fortë nga politikanët ballkanikë.

Prania e drejtpërdrejtë e Rusisë në rajon ka qenë gjithmonë e kufizuar, por dukshmëria dhe ndikimi i saj janë rritur me padurim nga aktorë të shumtë vendas. Axhenda e tyre ndryshonte shumë pak nga ajo e Moskës: që të dy u përpoqën të frenonin reformat pro-europiane, i shfrytëzuan ndjenjat antiperëndimore dhe ushqeheshin nga përplasjet ndëretnike.

Këto interesa të përbashkëta i bënë ata partnerë natyralë, dhe e zgjeruar afinitetin e tyre për të forcuar fuqinë e njëri-tjetrit. Prapëseprapë, pavarësisht se sa me zell disa politikanë ballkanikë e përshkruanin veten si përfaqësuesit e Rusisë në rajon, mbetën dukshëm të pavarur në veprimet e tyre.

Moska ishte e mirëpritur të pretendonte se kishte një ndikim të fortë, kur prioritetet e saj përputheshin me aleatët e saj lokalë. Por vështirë se ajo ishte në gjendje të diktonte ndryshime të njëanshme në axhendën e përbashkët.

Kufizimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor

Vendasit mund të kenë luajtur rolin e radikalëve të pamatur pro-rusë, por në realitet radikalizmi i tyre ishte kryesisht i shtirur dhe synonte vetëm t’i rezistonte çdo ndryshimi që mund të kërcënonte fuqinë dhe privilegjet e tyre. Reformat kuptimplota dhe zgjidhja përfundimtare e konflikteve ballkanike, përbënin një kërcënim më të praktikueshëm.

Por si Rusia, po ashtu edhe aleatët e saj rajonalë, e kuptuan se teprimi mund t’i sillte telashe duke nxitur një përgjigje të fuqishme nga Perëndimi. Kështu, ata u kapën pas statuskuosë nëpërmjet përdorimit të moderuar të radikalizmit të tyre, dhe më shumë për të parandaluar një ndryshim pozitiv, sesa për të nxitur një ndryshim negativ.

Edhe nëse lufta në Ukrainë i ka ndryshuar llogaritjet duke e rritur oreksin e Moskës për destabilizim, ky nuk është rasti për bashkëpunëtorët e saj kyç në Ballkan. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, udhëheqësi serb i Bosnjes Milorad Dodik, politikanët pro-rusë në Mal të Zi e kështu me radhë, e vlerësojnë ende statusin e tyre aktual shumë të privilegjuar, dhe s’kanë dëshirë ta rrezikojnë atë për hir të aventurizmit gjeopolitik të Moskës.

Kufizimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor

Nëse Kremlini do të përpiqet që t’i imponohet të ndryshojnë qasje, përpjekja ka të ngjarë të dështojë, dhe vendasit do të sfidojnë çdo lloj presion që vjen nga Moska. Reputacioni ndërkombëtar i Rusisë është tashmë i shkatërruar. Gjëja e fundit që i duhet tani është një tjetër goditje poshtëruese, e cila do të dëshmonte se sa pak ndikim ka ajo në të vërtetë mbi çështjet e Ballkanit, sapo ndryshojnë prioritetet e saj apo të bashkëpunëtorëve të saj.

Prandaj, nuk është e habitshme pse Moska preferon që t’u përmbahet rregullave të vjetra të aleancave të saj rajonale, edhe nëse ky qëndrim nuk përputhet plotësisht me axhendën e saj të re luftarake. Ndërkohë, lufta ka ndryshuar edhe procesin e vendimmarrjes në Moskë, duke e dëmtuar aftësinë e saj për të zhvilluar një politikë të jashtme aktive në disa fronte njëkohësisht.

Presidenti Vladimir Putin, autoriteti suprem i Rusisë për të gjitha çështjet ndërkombëtare, është bërë edhe më i izoluar dhe ngurues për t’i ndarë planet e tij me vartësit apo për

t’ua deleguar atyre iniciativën. Po ashtu ai është bërë më kaotik dhe i paparashikueshëm në vendimet e tij, dhe aparati shtetëror rus nuk ka realisht dijeni se cili do të jetë hapi i ardhshëm i presidentit.

Ky realitet e përjashton në përgjithësi veprimin autonom në nivelet më të ulëta të strukturës së politikës së jashtme ruse, përfshirë pjesën përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor. Njerëzit e Moskës në Ballkan, druhen se veprimet e reja të pa kërkuara mund të përplasen me pritshmëritë e presidentit dhe t’i vendosin ata në telashe.

Ata preferojnë të luajnë të sigurt dhe të ndjekin udhëzimet e provuara dhe të testuara, pavarësisht se sa të vjetruara mund të duken këto të fundit tani. Ndërkohë, direktivat e reja nuk kanë gjasa që të konkretizohen së shpejti, pasi presidenti rus duket se është konsumuar plotësisht me pushtimin e Ukrainës.

Rrjedhimisht, nxitësi kryesor i politikës aktuale ruse në Ballkanin Perëndimor është shqetësimi në rritje se lufta në Ukrainë mund ta shtyjë Perëndimin të kërkojë zgjidhje të shpejta për konfliktet ballkanike dhe ta eliminojë tërësisht ndikimin e Rusisë në këtë rajon.

Një krizë e madhe në Serbi ose Bosnje-Hercegovinë do të tërhiqte vëmendjen e Putinit ndaj çështjeve të Ballkanit, duke i ekspozuar mbështetësit e flaktë të Moskës ndaj zemërimit të presidentit. Për të shmangur këtë gjë, ata i janë shmangur lëvizjeve të papritura dhe shpresojnë se partnerët rajonalë të Rusisë do të jenë ende në gjendje t’i rezistojnë presionit perëndimorë në rritje dhe të mbrojnë status quo-në.

Në funksion të këtij qëllimi, Rusia vazhdon të përsërisë mbështetjen e saj të plotë për qëndrimin e paepur të Vuçiçit për Kosovën, dhe e ftoi Dodik në Kremlin për t’i shprehur mbështetjen e hapur për rizgjedhjen e tij si president i Republikës Srpska. Por Moska është e qartë se po zë një vend dytësor në rajon, dhe po ua lë vendasve të mbajnë barrën e rezistencës ndaj Perëndimit.

Duke pasur parasysh arbitraritetin e shumë vendimeve të fundit të Vladimir Putinit, nuk mund të ketë asnjë garanci që në një moment, udhëheqësi rus të mos dalë me një skemë të re gjeopolitike që të shfrytëzojë dobësitë e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor. Por deri më tani ka më shumë sinjale për një skenar inercie, me Rusinë që do të vazhdojë të mbështetet tek kokëfortësia e politikanëve vendas për ta ndihmuar atë të “shpëtojë fytyrën” në rajon.

Shënim: Maxim Samorukov, bashkëpunëtor në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) dhe një bashkëpunëtor në Carnegie Endowment for International Peace.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga