web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kina ka ngritur një rrjet komisariatesh policore sekrete në Europë dhe SHBA

8 Nëntor 2022, 08:19, Kosova & Bota CNA

Kina ka ngritur një rrjet komisariatesh policore sekrete në

Njeriu që gjatë javëve të fundit ka qenë një halë në sy për qeverinë kineze, bën me shpejtësi një kafe tjetër dhe ndez një cigare. Peter Dahlin qëndron ulur në apartamentin e tij në një papafingo në Lisbonë, pikërisht në syrin e “stuhisë’ që e ka shkaktuar vetë.

Me origjinë nga Suedia, Dahlin është kreu i organizatës së të drejtave të njeriut “Safeguard Defenders”, dhe bashkë me kolegët e tij, ka arritur të zbulojë një rrjet global të komisariateve të policisë kineze, të cilat janë ngritur pak a shumë në fshehtësi.

Ato ndodhen në Britani, Spanjë, Itali, Austri, Irlandë dhe Holandë, por edhe në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Organizata liston më shumë se 30 zyra të supozuara në raportin e saj, të kompletuara me numra telefoni dhe adresa. “Ne prisnim që agjencitë dhe shërbimet sekrete të ishin të interesuara për gjetjet tona”- thotë Dahlin. Por ai thekson se nuk priste një debat publik në kaq shumë vende dhe në të njëjtën kohë.

Kina ka ngritur një rrjet komisariatesh policore sekrete në
Peter Dahlin

Javën e kaluar, qeveria irlandeze urdhëroi mbylljen e një zyre të tillë në Dublin, e cila sipas një tabele në hyrje quhet Stacioni i Shërbimit të Jashtëm të Policisë Fuzhou. Në Londër, edhe Dhoma e Komunëve ka diskutuar mbi raportin e Dahlin.

Ndërkohë një hetim mbi këtë çështje po zhvillohet në Holandë, pjesërisht për shkak të deklaratave të bëra nga Uang Jingiu, një disident 21-vjeçar, të cilin qeveria kineze e ka përndjekur deri në Evropë. Nga ana e tyre zyrtarët në Pekin, këmbëngulin se e gjitha kjo është vetëm një keqkuptim i madh.

Këto zyra shërbejnë për të ofruar shërbime për qytetarët kinezë jashtë vendit, pohoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze. Ato u krijuan gjatë pandemisë, tha ai, për të thjeshtuar procedurat burokratike, siç është rinovimi i patentave. Por a nuk janë konsullatat dhe ambasadat kineze përgjegjëse për procedura të tilla?

Si është e mundur që një vend të ngrejë struktura policore në vende të tjera pa miratimin e qeverive të tyre? Dhe sa të rrezikshme janë këto komisariate të fshehta për disidentët e regjimit komunist të Kinës? Nga përvoja personale, Dahlin e di se sa brutalë mund të jenë zyrtarët kinezë.

Ai jetoi në Pekin për gati 10 vjet, ku drejtoi një organizatë që mbështeste dhe trajnonte avokatët në zonat rurale të Kinës. Në vitin 2016, Dahlin u arrestua dhe u mbyll në një burg sekret. Rojet mezi e lejonin të flinte natën, ndërsa ditën e merrnin në pyetje për orë të tëra.

Ai u lirua pas pak më shumë se 3 javësh, por fillimisht iu kërkua që të lexonte në televizionin shtetëror kinez një deklaratë të përgatitur për të nga zyrtarët kinezë. “Nuk është një operacion i centralizuar nga Pekini. Shumica e tyre janë ngritur në apartamente, zyra ose restorante të kinezëve emigrantëve, të cilët shpesh grupohen së bashku në shoqata kulturore.

Kina ka ngritur një rrjet komisariatesh policore sekrete në

Gjithçka është në baza vullnetare. Ne nuk duam një gjueti shtrigash. Ka edhe shoqata kulturore kineze që bëjnë gjëra vërtet të mira. Por çdo rast duhet të shqyrtohet individualisht”- thotë Dahlin.

Kina e sheh veten si një fuqi të madhe globale, dhe ligjet dhe rregulloret e saj synojnë të zbatohen për cilindo kinez, pavarësisht se ku jeton nëpër botë. Në parim, ky pretendim i universalitetit njihet si ekstraterritorialitet. Ai ka nisur me Ligjin e Sigurisë Kombëtare të miratuar në vitin 2015, që zbatohet në hapësirën kibernetike, ashtu si në hapësirën e jashtme, në thellësitë e oqeanit dhe deri në pole.

E gjithë kjo konsiderohet të jetë një pjesë e sferës së sigurisë së Kinës. “Që nga viti 2019, gati në të gjitha ligjet e rëndësishme po shtohen paragrafë të tillë”- thotë Moric Rudolf, që hulumton zbatimin ndërkombëtar të ligjeve kineze në Universitetin e Jeilit, SHBA. A janë komisariatet policore jashtë vendit pasojë e kësaj qasjeje të re të Pekinit?

“Çështja nuk është aq e thjeshtë. Mua më duket se disa prefektura dhe qytete po përpiqen të marrin iniciativën dhe të tregojnë në nivel provincial, se po zbatojnë me shumë zell dekretet e pushtetit qendror. Dhe rezultati është kaotik”- thotë Rudolf. Dhe provat në terren sugjerojnë se ai mund të ketë të drejtë.

Kina ka ngritur një rrjet komisariatesh policore sekrete në

Komisariatet policore të zbuluara nga që Dahlin janë të lidhura ose me qytetin Lishui në nivel prefekture dhe qarkun Qingtian ose me zyrtarë në Fuzhou, kryeqyteti i provincës bregdetare Fujian. Në zonën metropolitane Lishui jetojnë 2.5 milionë njerëz, ndërsa 8.3 milionë të tjerë jetojnë në Fuzhou dhe rrethinat e saj.

Ndërkohë edhe zgjedhja e njerëzve që drejtojnë këto zyra është në disa raste e habitshme. Për njëfarë kohe, përfaqësuesi i prokurorisë së Qingtian në Itali ishte një burrë i dënuar në Toskana me 3 vjet burg në vitin 2015 për tentativë shantazhi dhe sulmi fizik. Se çfarë shkeljesh të tjera ligjore mund të kenë bërë këta njerëz, kjo duhet të hetohen tani.

“Unë dyshoj se shumë prej tyre nuk janë as të vetëdijshëm se kanë shkelur ligjin”- thotë Rudolf. Lista e Dahlin nuk përmban informacion të sakta në lidhje me stacionet e mundshme të policisë kineze në Gjermani. Por “Der Spigel” ka zbuluar se të paktën 6 kinezë, në kundërshtim me të gjitha konventat diplomatike, kanë punuar si ndërlidhës për agjencitë kineze plotësisht të pavarura nga ambasada kineze në Berlin dhe konsullatat e saj në qytetet  tjera gjermane.

Shumica e tyre u renditën në një listë së bashku me numrat e tyre celularë, në një artikull të një gazete tregtare kineze në shkurtin e vitit të kaluar, si kontakte për shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit. Me sa duket ata janë njerëz me shumë lidhje, duke përfshirë pronarët e restoranteve, shitësit dhe biznesmenët e ndryshëm.

Kur u kontaktua me telefon, njëri prej tyre, që punon në gastronomi, thotë se nuk mund të fliste për momentin. Më pas gjatë një pushimi, na telefonon. Ndihmës i policisë kineze? “Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë”- thotë ai. Pastaj shton se i ndihmon bashkëqytetarët në Gjermani, që kanë nevojë të kontaktojnë me zyrën që jep patentat në Kinë.

Kina ka ngritur një rrjet komisariatesh policore sekrete në

Ai na tha se gjatë pandemisë u kontaktua nga një shoqatë kulturore kineze, që e pyeti nëse do të ishte i gatshëm të ndihmonte të tjerët me gjëra të tilla si rinovimi i patentës. “Fluturimet për në Kinë ishin aq të shtrenjta, mijëra euro, saqë askush nuk mund t’i përballonte më”- shton ai.

Por Berlini ka një pikëpamje tjetër. “Qeveria gjermane nuk toleron ushtrimin e pushtetit të shtetit të huaj, dhe rrjedhimisht, agjencitë kineze nuk kanë asnjë autoritet ekzekutiv në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë”- tha në një deklaratë Ministria e Brendshme gjermane.

Po ashtu, është i pasaktë pretendimi se këto komisariate policore u krijuan vetëm gjatë pandemisë, siç deklaron Ministria e Jashtme në Pekin. Zyrtarët gjermanë të sigurisë kanë kohë që po i vëzhgojnë këto qendra. Pasi përveç ofrimit të shërbimeve të dobishme, ato mund të përdoren për mbikëqyrjen e emigrantëve kinezë.

Dhe diçka e tillë ka ndodhur në Holandë. Nëse telefononi një numër në listën e Dahlin mbi komisariatin e policisë kineze në Roterdam, përgjigjet një burrë. Por sapo mëson se gazetarët janë të interesuar të flasin me të, ai nuk përgjigjet më. Uang Jingiu e njeh numrin e telefonit.

Më 5 shkurt, ai mori plot 14 telefonata nga ai numër. Në fillim do t’i përgjigjej pyetjeve.

Në fillim, një bashkatdhetar i ofroi mbështetje financiare. Gjithçka që duhej të bënte Uang ishte të takohej personalisht me të. Kur ai nuk e pranoi propozimin, burri ndryshoi strategjinë e tij, thotë Uang. Ai e telefonoi dhe i tha se duhej të rikthehej në Kinë për të “zgjidhur problemet e tij”.

Për Uang, ky ishte një tregues i mëtejshëm se frikësimi nga zyrtarët kinezë nuk ndalet kur dikush largohet nga vendi. Që nga korriku i vitit 2021, 21-vjeçari jeton me të fejuarën e tij Vu Huan në Holandë, ku mori azil. Por ai nuk ndihet i sigurt. Gjatë një takimi në stacionin e trenit në Hagë, mendon për një çast të ndryshojë kafenenë, pasi një burrë i ulur në tryezën fqinje i duket si kinez.

Por pastaj, burri ngrihet dhe largohet, dhe Uang fillon të na tregojë historinë e tij. Ai kujton se qëkur ishte fëmijë, prindërit e tij shikonin televizionet perëndimore si CNN dhe BBC. “Prindërit e mi nuk janë kundër Partisë Komuniste, ata janë thjesht mendje-hapur”- thotë Uang. Si fëmijë që ishte u tregoi shokëve në shkollë për atë që kishte parë në televizion, se është një e drejtë themelore e njeriut të demonstrosh në publik për bindjet vetjake.

Ai thotë se ishte 16 vjeç kur mësuesi i tij njoftoi policinë për herë të parë. Oficerët më thanë se nëse nuk ndaloja së foluri në këtë mënyrë do të më futnin në burg. Në korrikun e vitit 2019 situata u përshkallëzua. Qindra mijëra njerëz dolën në rrugët e Hong Kongut për të demonstruar kundër udhëheqjes në Pekin.

Uang, atëherë 17 vjeç, shprehu solidaritetin me protestat e Hong Kongut në Douyin, homologu kinez i TikTok, që mbikëqyret nga autoritetet. Pak kohë më vonë, prindërit e tij mësuan nga miqtë se djali i tyre po përballej me arrestimin. Në vend se të përfundonte shkollën, ai dhe e fejuara e tij udhëtuan për në Hong Kong.

Pra ai u bë një disident. Gjithçka ndryshoi në shkurtin e vitit 2021. Uang Jingiu postoi diçka në lidhje me përleshjet në kufirin Indi-Kinë, dhe shprehu dyshime nëse qeveria kineze kishte qenë e sinqertë mbi numrin e viktimave.

Pak kohë më vonë, zyrtarët kinezë lëshuan një urdhër arresti për të, të cilin e transmetoi edhe televizioni shtetëror. Uang akuzohej për “fyerjen e heronjve dhe martirëve”. “Rasti i Uang Jingiu tregon se autoritetet kineze nuk ndalen në kufirin e tyre kombëtar. Është e rëndësishme që ne më në fund të kemi një debat në Evropë mbi ndikimin e Kinës”- thotë Peter Dahlin.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga