LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A do ta pranojë NATO Ukrainën në gjirin e saj?

6 Tetor 2022, 08:36, Kosova & Bota Svitlana Morenets

A do ta pranojë NATO Ukrainën në gjirin e saj?

Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës, Volodimir Zelenski i bëri një ofertë Vladimir Putinit. Ukraina do të hiqte dorë nga ambicia e saj për t’u bashkuar me NATO-n, duke zgjedhur të qëndrojë neutrale, tha ai. Ajo nuk do të rreshtohej me Perëndimin, dhe kjo në këmbim të përfundimit të armiqësive midis Kievit dhe Moskës.

Ishte një ofertë e sinqertë dhe e papëlqyeshme për ukrainasit. Megjithatë, ishte logjike. Pasi Putini e kishte përmendur ambicien e Ukrainës për të hyrë në NATO, si arsyen kryesore për pushtimin, duke thënë se kjo tregonte se Perëndimi po e kërcënonte në njëfarë mënyre Rusinë.

Por sot kjo ofertë ka përfunduar, dhe Zelenski po kërkon tani pranimin e “përshpejtuar” të Ukrainës në NATO, siç iu premtua Finlandës dhe Suedisë këtë vit. Por a do të pranojë NATO? Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu shmang përgjigjes mbi këtë çështje.

“Tani për tani fokusi ynë është ta ndihmojmë Ukrainën kundër një pushtimi brutal rus”- tha ai. Në lidhje me kërcënimet e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore, ai nënvizoi se “Ukraina ka të drejtë të rimarrë territoret e saj të pushtuara”. “Nëse e pranojmë aneksimin rus, kjo do të thotë se i nënshtrohemi edhe shantazhit bërthamor. Çdo anëtarësim i ri duhet të miratohet nga të 30 anëtarët e aleancës”-deklaroi shefi i NATO-s.

“Ne e dimë që kjo gjë është e mundur. Pasi po shohim që Finlanda dhe Suedia do të bëhen pjesë e aleancës shumë shpejt”- deklaroi Zelenski. Por kërkesa e tij është fakt më shumë një gjest politik. Pasi vende anëtare si Hungaria do të vënë me siguri veton kundër.

Të qënit anëtar i NATO-s, do të thotë të kërkosh mbrojtjen e Nenit 5:pra një sulm ndaj një anëtari, të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve. Siç e di edhe vetë Zelenski, kjo është kërkesa më maksimaliste, dhe Kievi e di se nuk pret të plotësohet së shpejti.

Kur Ukraina aplikoi për t’iu bashkuar NATO-s në vitin 2008, kërkesa u kundërshtua nga Franca dhe Gjermania. Estonia, Letonia, Lituania dhe Kanadaja kanë deklaruar tashmë se do të mbështesin aplikimin e Ukrainës herën tjetër. Por opsioni më realist është një grup garancish ndërkombëtare të mbrojtjes reciproke, që do të hynin në lojë nëse arrihet një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Ukraina e quan atë Marrëveshja e Sigurisë së Kievit, dhe Zelenski i ka kërkuar tashmë Perëndimit që ta marrë në konsideratë. Aneksimi synon të nënkuptojë se çdo përpjekje për t’i çliruar ato do të shihej si një sulm ndaj territorit rus, duke e forcuar kësisoj perspektivën e një përgjigje bërthamore.

Moska po përpiqet të tregojë muskujt. Një video e publikuar nga media shtetërore ruse, tregon dhjetëra mijëra njerëz të mbledhur në Sheshin e Kuq në Moskë, teksa Putin bërtiste në një podium “Fitorja do të jetë e jona!”. Por fitorja për Putinin duket më e paarritshme se kurrë.

Trupat ukrainase kanë çliruar së fundmin qytetin Liman në Donjeck. Po ashtu mobilizimi i premtuar prej tij duket se nuk do të ndodhë. Ditët e fundit në internet qarkullojnë video trupave ruse duke e braktisur frontin. Ndërkohë raportohet se të paktën 200000 burra rusë janë larguar nga vendi, për t’iu shmangur rekrutimit.

Tani për tani negociatat janë futur në një ngërç. Zelenski ka thënë se çdo referendum i rremë për rajonet e Ukrainës që bashkohen me Rusinë, do ta bënte “të pamundur vazhdimin e çdo lloj negociate diplomatike me presidentin e Federatës Ruse, dhe ai e di shumë mirë këtë gjë”.

Presidenti ukrainas ka refuzuar çdo lloj bisedimi, për sa kohë që Putin mbetet në pushtet. Nga ana e tij, Putini dëshiron tani bisedime. “Ne i bëjmë thirrje regjimit të Kievit që të pushojë menjëherë luftimet, të cilat i nisi në vitin 2014, dhe të rikthehet në tryezën e bisedimeve. Ne jemi gati për të. Por ne nuk do të diskutojmë rezultatet e referendumeve”- tha Putin.

Për ukrainasit, kjo nuk është histori që përsëritet. Kundërpërgjigjja e Perëndimit ndaj aneksimit të territoreve të Ukrainës, është sot shumë më e fortë sesa pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014. Pas shpalljes së aneksimit nga Moska, nga Londra, Nju Jorku dhe Toronto, u njoftua ndërmarrja e sanksioneve të reja kundër kompanive, mallrave dhe individëve rusë.

Në Kiev, bisedat po fokusohen tek rreziku i sulmeve bërthamore, qoftë në kryeqytet apo në Lviv. Ndërsa Putin vazhdon ta humbasë luftën tokësore dhe po përpiqet të mobilizojë trupa shtesë, konflikti mund të jetë duke hyrë në fazën e tij më të rrezikshme deri më tani.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga