web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Yield-et e bonove 12-mujore bien poshtë normës bazë, prekin nivelin më të ulët në tre vite e gjysmë

12 Nëntor 2025, 22:53, Ekonomi CNA

Yield-et e bonove 12-mujore bien poshtë normës bazë, prekin

Yield-et e bonove 12-mujore pësuan një tjetër rënie të lehtë në ankandin e muajit nëntor, duke zbritur përsëri poshtë nivelit të normës bazë të interesit.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve zbriti në 2.49%, nga 2.5% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Yield-i bonove 12-mujore vazhdon të bjerë edhe me bazë vjetore. Në ankandin e një viti më parë, bonot që u rifinancuan në ankandin e sotëm u emetuan me një yield mesatar prej 2.84%.

Njëkohësisht, niveli mesatar i yield-eve është më i ulëti që prej majit të vitit 2022.

Kjo është hera e treë që yield-et e bonove 12-mujore bien poshtë normës bazë të interesit. Një gjë e tillë kishte ndodhur më herët në dhjetor 2024 dhe në qershor të këtij viti.

Rënia e yield-eve duket e lidhur kryesisht me likuiditetin e tregut dhe kërkesën e lartë që në vijimësi tregu po shfaq në ankandet e instrumenteve afatshkurtra. Nga 7.3 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në pothuajse 10 miliardë lekë. Nga 14 nëntë kërkesa konkurruese në ankand, u pranuan vetëm 7 të tilla.

Yield-et e ulëta gjithashtu janë të lidhura edhe me uljen graduale të huamarrjes totale të qeverisë në tregun e brendshëm. Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave, shuma e programuar për t’u financuar në tregun e brendshëm në tremujorin e fundit të vitit, (duke përfshirë edhe rifinancimet e instrumenteve të maturuar) do të ketë vlerën 64.9 miliardë lekëve, në rënie me 3.4% krahasuar me tremujorin e tretë dhe në rënie me 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një nivel relativisht të ulët huamarrjeje, ndërsa Banka e Shqipërisë në opinionin e saj për këtë projektbuxhet shprehet se fokusimi i huamarrjes në tregun e brendshëm ndihmon në reduktimin e ekspozimit të buxhetit të shtetit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, ndërkohë që është i mbështetur edhe me kushtet e mira financiare në tregun vendas.

Në gjysmën e dytë të këtij viti, yield-et e bonove të thesarit po shfaqin një tendencë të ndryshme nga ato të obligacioneve. Ndërkohë që yield-et obligacioneve po korrektohen në rritje, pasi kishin prekur nivelet minimale historike në tremujorin e dytë, yield-et e bonove të thesarit kanë vazhduar rënien, duke arritur sërish nivelin e normës bazë të interesit.

Yield-et e ulëta të bonove 12-mujore reflektohen edhe në normat e interesit të kredisë për sektorin privat. Këto instrumente përdoren si benchmark për të ndërtuar çmimin e kredive me norma të ndryshueshme interesi në Lekë. Ulja e yield-it të bonove i bën edhe kreditë më të lira, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbajtjen të lartë të kërkesës për kredi nga sektori privat./ Monitor.al





Lajmet e fundit nga