web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zjarri që shkrumboi pallatin në Tiranë/ Pasojat që lanë pas flakët

15 Prill 2026, 12:35, Aktualitet CNA

Një zjarr që mori përmasa gjigante ka përfshirë një ditë më parë një pallat pranë “Farmacisë 10” në Tiranë. Flakët vijuan për më shumë se tri orë duke shkrumbuar një pjesë të madhe të pallatit. Sot CNA ka siguruar pamjet nga ajo se çfarë ka mbetur nga zjarri që shkrumboi pallatin.

Siç shihet edhe në video, në pallat ka akoma tym, ndërsa në vendin e ngjarjes janë edhe forcat zjarrfikëse dhe forcat e policisë. Ndërkohë përveç dhjetëra apartamenteve, dëme janë shkaktuar edhe në bizneset në katin e parë të pallatit.

Nga zjarri, 11 persona u dërguan në urgjencë, ndërsa 6 prej tyre janë shtruar, dhe fatmirësisht për asnjë prej tyre nuk ekziston rreziku për jetën. Shkaqet e nisjes së flakëve ende nuk dihen, ndërsa po hetohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në operacionin për shuarjen e flakëve përveç forcave zjarrfikëse, u angazhuan edhe dy helikopterë Cougar të ushtrisë. 

Kryeministri Edi Rama deklaroi më herët se pallati do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi. Sipas Ramës, njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit, nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe vetë kompania ndërtuese “Arlis Ndërtim” përmes një deklarate, ku thuhej se pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjitha apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit. /CNA





Lajmet e fundit nga