web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Qeveria ka dështuar"/ Zhupa: Raporti i BE-së për ujërat, alarmues për turizmin

6 Korrik 2026, 12:57, Aktualitet CNA

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar nga Saranda gjetjet e fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit, të cilat, siç tha deputetja demokrate, e rendisin Shqipërinë në fund të listës për cilësinë e ujërave larëse.

Sipas Zhupës, ky raport përbën një kambanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe një dëmtim real të imazhit të turizmit shqiptar, për të cilin ajo fajëson neglizhencën e qeverisë qendrore dhe vendore.

Duke u ndalur te debati politik, Zhupa hodhi poshtë pretendimet e qeverisë se protestat po dëmtojnë turizmin, duke deklaruar se janë pikërisht faktet mbi ndotjen ato që e bëjnë vendin joprezentues.

Zhupa tha se përpara se të pretendohet për një turizëm cilësor, qeveria duhet të ndryshojë qasjen duke investuar në pastrimin e burimeve ujore, një domosdoshmëri që sipas saj, aktualisht mungon plotësisht.

Deklarata e plotë:

Raporti i fundit i bërë nga Agjencia Europiane e Mjedisit dhe Komisioni Europian për cilësinë e ujërave larëse e ka nxjerrë Shqipërinë në fund të këtij raporti.

Është një alarm për cilësinë e ujërave tona, të liqeneve, lumenjve dhe të deteve dhe është një rrezik për jetën e qytetarëve, për shëndetin e qytetarëve, por edhe turistëve që zgjedhin Shqipërinë.

Kjo tregon qartësisht që pushteti lokal dhe pushteti qendror nuk kanë investuar në atë që duhet të ishte pastërtia e ujërave larëse.

Bashkitë më problematike sipas raportit janë Bashkia e Sarandës ku ne ndodhemi, Bashkia e Vlorës, Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Pogradecit.

Siç duket nuk e kanë prioritet që të kujdesen për mjedisin, por kanë prioritet të ndërtojnë në zonat pranë liqeneve, deteve dhe lumenjve.

Të mos kujdesen se ku do të hidhen këto inerte, ku shkojnë ujërat e zeza apo t'i pastrojnë këto burime ujore.

Ndërkohë anatemojnë gjithë ditën protestën që po dëmton turizmin, por në fakt vetëm po i jep fytyrë më demokratike Shqipërisë.

Ndërkohë ato që e dëmtojnë realisht turizmin janë investimet e munguara dhe angazhimi i munguar i qeverisë edhe i pushtetit lokal, e dëmtojnë këto raporte që e nxjerrin Shqipërinë në fundin e shteteve europiane, në fakt aty ku nuk e meriton sepse nga natyra duhet të ishte në krye të cilësisë së ujërave larës.

Ndaj përpara se të flasim për turizëm cilësor do të duhet të investojmë në turizëm cilësor, gjë që qeveria shqiptare nuk e ka bërë dhe nuk po e bënë. /CNA





Lajmet e fundit nga