web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mbahet në Tiranë sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit/ I pranishëm edhe Rama

6 Maj 2026, 08:27, Aktualitet CNA

Mbahet në Tiranë sesioni hapës i Kongresit Botëror të

Sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit do të mbahet sot dhe nesër në Tiranë. 

“Sundimi i ligjit nuk jepet, ai ndërtohet” – është një nga mesazhet që do të vijë si një zë i përbashkët ndërkombëtar, për drejtësinë nga kryeqyteti, që përgjatë dy ditëve do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për një nga temat më thelbësore për të ardhmen e shoqërive demokratike.

I organizuar nga Shoqata Botërore e Juristëve në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë, gjyqtarëve ndërkombëtarë, ekspertëve dhe akademikëve të së drejtës nga e gjithë bota, ky event e shfaq Shqipërinë si një zë më i fortë në arenën ndërkombëtare me angazhim të qartë për drejtësi, integritet dhe të ardhme evropiane.

Aktivitetet do të nisin më 6 maj me ceremoninë e dhënies së titujve Doctor Honoris Causa për personalitete të shquara të fushës së ligjit, që do të mbahet në Universitetin e Arteve në Tiranë, ndërsa më 7 maj do të zhvillohet ceremonia zyrtare e Sesionit Hapës në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Mbahet në Tiranë sesioni hapës i Kongresit Botëror të

Në mesin e të ftuarve të nivelit të lartë do të jenë Presidenti i SHBJ-së, Javier Cremades; ish-Komisionerja Evropiane për Drejtësinë, të Drejtat Themelore dhe Shtetësinë, Viviane Reding; Drejtorja Ekzekutive e Fondacionit Botëror të Ligjit, Angela Montoya; si dhe figura të tjera të rëndësishme të jurisprudencës ndërkombëtare. Gjithashtu, përmes një mesazhi video do të përshëndesë edhe Presidenti i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Mattias Guyomar.

Në Sesionin Hapës do të marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama i cili do të mbajë një fjalë përshëndetëse. Ky event shënon një moment të rëndësishëm në rrugën drejt Kongresit Botëror të Ligjit 2027, duke riafirmuar angazhimin e bashkësisë ligjore ndërkombëtare për një rend botëror të qeverisur nga ligji. /CNA





Lajmet e fundit nga