web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Infrastruktura hidro-meteorologjike/ Balluku: Na duhet kohë dhe afate më të shkurtra, më shumë inovacion

25 Nëntor 2024, 14:33, Aktualitet CNA
Infrastruktura hidro-meteorologjike/ Balluku: Na duhet kohë dhe afate
Belinda Balluku

Zv/kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka marrë pjesë në konferencën për nisjen e programit ALBAdapt me qeverinë gjermane, i cili synon forcimin e qëndrueshmërisë së Shqipërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Balluku është shprehur se na duhen më pak letra dhe më shumë inovacion teksa ka shtuar se duhet kohë dhe afate më të shkurtra për çdo studim dhe projekt.

Deklarata e Belinda Ballukut

Ashtu siç e tha edhe Mirela, ndjesë shumë për vonesën disa minutëshe në nisjen e këtij aktiviteti, por sigurisht është kënaqësi e madhe kur vetëm në një ditë, siç është sot e hënë, ne do të jemi edhe me një pjesë prej jush në disa tryeza, të cilat kanë të bëjnë me bashkërendimin e punëve. Përsa kohë jemi bashkë, përsa kohë ulemi në nivele të ndryshme të qeverisjes qendrore, asaj të pushtetit vendor apo dhe të partnerëve tanë, të cilët kanë bërë të gjithë këtë rrugë të gjatë së bashku me ne, do të thotë që jemi në rrugën e duhur, qoftë kur kjo ka të bëjë me emergjencat civile, qoftë kur ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, me diplomacinë dhe gjithçka tjetër. Sa më të gjera të jenë këto tryeza, sa më shumë aktorë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare dhe asaj të huaj të ketë në tryeza, aq më e shpejtë vjen zgjidhja, aq më gjithëpërfshirëse është dhe çka rezulton që është e rëndësishme në ditët e sotme është të dëgjojmë njëri-tjetrin.

Kemi humbur aftësinë e të dëgjuarit. Ju ndodh edhe juve besoj që jeni të ulur në një tryezë, dhe ndërkohë që ju flisni ai që ju keni përballë, ka menduar se cila është përgjigjja dhe pavarësisht se çfarë ju thoni, ai do të thotë pjesën e tij. Kjo është gjëja më e keqe që na ndodh ditët e sotme. Kështu që një thirrje që do t'ju bëja për këtë takim, dëgjojeni njëri-tjetrin, jepini vëmendje, sepse secili prej jush këtu, edhe një ekspert, i cili ka nisur punën para dy vjetësh mund të ketë diçka më interesante për të thënë se dikush që ka mbi tridhjetë vjet në këtë fushë. Nganjëherë idetë e reja, prurjet e reja, gjaku i ri mund të ndryshojë disa korniza të vendosura që nuk kanë treguar që janë kaq shumë të suksesshme.

Mirela e tha shumë mirë që ne për thënë të drejtën, shqiptarët, qeveria, bashkitë, prefekturat, emergjencat civile nuk kemi kontribuar në ndryshimet klimaterike. Nuk kemi kontribuar, sepse kemi një sistem i cili prodhon 100% energji të rinovueshme. Nuk kemi kontribuar sepse fatkeqësisht kemi një industri të pazhvilluar, po mundohemi ta zhvillojmë, por fakt është që nuk kemi kontribuar në ndryshimet klimaterike ekstreme, të cilat po i shikojmë kudo, por ama nuk kemi as aftësinë e mbrojtjes së izoluar të vendit tonë jo kontributor në ndryshimet klimaterike. E izolojmë dot Shqipërinë, meqenëse ne nuk jemi kontributorë. E bëjmë dot një marrëveshje me Zotin që ne mos na vijnë përmbytjet? Ne mos na vijnë stuhitë e borës në zona bregdetare, ku s'kemi imagjinuar ndonjëherë që mund të bllokohet rruga, e bëjmë dot këtë marrëveshje? Jo, nuk e bëjmë dot.

Nëse sot po përmbytet në mënyrë të rregullt Italia fqinje, nga e cila na ndajnë 70 milje detare, si do ta shpëtojmë Shqipërinë? Sigurisht ne jemi më të pafajshmit e të gjithë grupit, por nga ana tjetër faturën do ta paguajmë si të gjithë tjerët. Për këtë arsye, unë do t'ju tregoj eksperiencën time si drejtuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke dalë pak nga ky fjalimi i zakonshëm i drunjtë që unë nuk e kam asnjëherë dëshirë që ta lexoj dhe do t'ju tregoj sesi pas disa goditjesh, të një pas njëshme që Ministria e Infrastrukturës merrte për shkak të emergjencave të krijuara në akset rrugore apo edhe në hidrocentrale apo në infrastruktura të tjera kritike, siç janë aeroportet dhe portet, ne ngritëm një sistem monitorimi. Ngritëm një sistem monitorimi, i cili bëhet përmes Aviacionit Civil. Aviacioni Civil Shqiptar ka arritur të ngrejë kapacitete të tilla përmes sigurisht inovacionit, duke përdorur shërbime që ofrohen me pagesë nga kompani të ndryshme me mbulime satelitore, për të filluar dhe për të parashikuar kryesisht për nevoja të aeroportit të Rinasit, të navigimit ajror apo edhe njësive të tjera të Aviacionit Civil dhe duke parë se ky produkt ishte me të vërtetë shumë cilësor dhe mjaft i përafruar me çka ndodhte realisht në terren, ne vendosëm që ta përdorim në të gjitha strukturat dhe në të gjitha infrastrukturat kritike që mbulohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kjo ndodhi pikërisht ditën kur aksi verior i quajtur i autostradës Tiranë-Shkodër, por faktikisht bëhej fjalë për pjesën nga Thumana deri në të dalë të Lezhës, u mbulua nga një stuhi bore duke bllokuar plotësisht lëvizjen në të.

Po ti referoheshim të gjitha datave dhe fakteve, kurrë më parë ne nuk kishim pasur borë në atë aks, kështu që edhe kontratat e mirëmbajtjes së deri atëhershme nuk ishin të përfshira si detyrim të kompanive mirëmbajtëse, borëpastrueset. Dhe reagimi qe i vonuar për shkak se u detyruam që të sillnim borëpastrueset nga veriu në Lezhë, një vend bregdetar me rekorde historike normale që njihet vetëm për reshjet e shiut, po jo për të borës. Ky ishte momenti dhe prerja e artë kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë filloi të përgatitej dhe të përdorte sisteme alternative për parashikimin e motit. Dhe për t'ju thënë të drejtën, ka rezultuar shumë i suksesshëm.

Siç ju dhashë momentin e parë të fillimit të këtij procesi, po ju jap momentin e fundit, që ishte fundjavë. Ditën e shtunë në kaskadën e Drinit vetëm prurjet anësore të hidrocentralit të Komanit arritën 2900 metër kub në sekondë. Në kushte të tjera do të kërkohej hapja e  portave. Hapja e portave e shumë diskutuar përsa i përket përmbytjeve të fushë Shkodrës apo të NënShkodrës, por për shkak se ne e kishim marrë këtë informacion dhe e kishim këtë parashikim, kishim bërë një menaxhim perfekt të kaskadës duke bllokuar operimet në Fierzë, për ti dhënë mundësi rritjes së nivelit, duke qenë se atje niveli ka diferencë 40 metra dhe lejon padyshim që ti të depozitosh dhe duke vënë në punë të gjithë turbinat e Komanit dhe të Vaut të Dejës dhe duke e shpëtuar të paktën NënShkodrën nga hapja e portave të këtyre dy hidrocentraleve, pavarësisht se prurjet ishin prurjet maksimale historike nga përrenjtë që ushqejnë Komanin.

E gjithë kjo, duke u futur në këto detaje, dua t'u them që çka është e rëndësishme në gjithë këtë proces të ndryshimit të thellë klimaterik të botës, padyshim është parandalimi, por kur vjen tek emergjencat civile, kur vjen tek reshjet, tek bora, tek shiu, tek era dhe gjithçka tjetër, ti nuk e parandalon dot, por të paktën duhet ta parashikosh. Duhet ta parashikosh për të qenë proaktiv dhe për të marrë masat e duhura për mbrojtje. Sigurisht, duke bërë edhe një vlerësim të riskut, se cila zonë do vëmendjen kryesore, se cila zonë duhet të ketë përqendrimin e forcave dhe se cila zonë duhet të marrë mbrojtjen maksimale.

Ajo çka unë kam identifikuar gjatë gjithë kohës dhe për shkak sesi e kemi thënë deri tani Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duke qenë se mban peshën më të rëndë të infrastrukturave kritike është e detyruar që të përballet me situata të tilla, një nga elementët kryesor për të pasur sukses edhe në këtë aktivitet që nuk është plotësisht në duart as të qeverisë, as të pushtetit vendor, pasi këto janë forca madhore dhe janë ajo pika e veçantë që parashikon çdo kontratë, ajo që unë kam kuptuar është që një sinergji e vazhdueshme midis palëve, një bashkërendim i mirë midis të gjithë aktorëve, është padyshim çelësi për të minimizuar të gjitha impaktet negative.

Këtu duke nisur dhe duke ju përgëzuar për këtë iniciativë të shkëlqyer të ALBdapt dhe duke ju thënë se sigurisht sot ka ardhur koha që përveç bazave rregullatore, të cilat duhet të jenë të përafruara me ato të Bashkimit Europian dhe të gjitha direktivave të tjera që kanë të bëjnë me detyrimet tona si shtet, i cili kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, dy elementë shumë të rëndësishëm, padyshim janë sinergjia, bashkërendimi i trupave, por nga ana tjetër inovacioni.

Marr shkas duke parë këtu anëtarët e grupit të ASIG. Sot Shqipëria ka një aftësi të jashtëzakonshme parashikuese, parandaluese. Aftësi për ndërhyrje të mirëstudiuara përmes satelitëve, të cilët ne tashmë i disponojmë, por që duhet ti përdorim më shumë. Gjithashtu, Shqipëria sot, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, ka një nga flotat më inovatore të monitorimit nga ajri, dronët Bajraktar, të cilët sigurisht janë aty për të kryer funksionet e tyre militare, por nga ana tjetër, si dhe ministri e tha, tashmë Ministria e Mbrojtjes është e qartë se ka edhe misione shumë të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e qytetarëve, kanë të bëjnë me mbështetjen e operacioneve të ndërlikuara që kanë të bëjnë me emergjencat civile. Pra, bashkërendimi i trupave, koordinimi parandalues dhe inovacioni janë dy elementë të cilët duhet të përdoren gjerësisht, përsa i përket të gjitha çështjeve të emergjencave civile dhe të gjitha çështjeve sfiduese që ne sot po hasim përballë nesh, për shkak ndryshimeve klimaterike.

Do të thoja gjithashtu që në emër të Qeverisë Shqiptare kam kënaqësinë që të falënderoj të gjithë partnerët tanë, të quajtur ndryshe donatorët, për kontributin e vazhdueshëm duke nisur nga Qeveria Federale Gjermane, Qeveria Zvicerane, të gjithë institucionet financiare europiane, të cilët kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe veçanërisht GIZ-i, për punën teknike të shkëlqyer që bën. Megjithatë është shumë e drejtë çfarë Mirela tha. Na duhen më pak letra. Na duhet më shumë inovacion. Na duhen kohë dhe afate më të shkurtra. Diçka që partnerët e huaj e dinë shumë mirë, sepse është një nga kërkesat kryesore që unë bëjë në çdo tryezë. Koha për ne, për shqiptarët është flori. E kemi pasur këtë thënie të trashëguar nga kohët shumë të vjetra, imagjinoni se çfarë vlere ka koha sot, kur ne shqiptarët duhet të hedhim disa hapa shumë më të shpejtë se çdo vend tjetër për të mbushur një hendek, gati 90 vjeçar, që përkon me 47 vite regjim komunist dhe 30 vite tranzicion.

Ne e respektojmë shumë punën e ekspertëve. Ne e kuptojmë që gjithçka ka kohën e vet të ngjizjes, të përpunimit, të maturimit, por unë do të kërkoja përulësisht të gjithë bashkëpunëtorëve tanë që ta mbajnë në konsideratë këtë kërkesë të Qeverisë Shqiptare që kohët e çdo studimi, kohët e çdo projekti duhen ngushtuar me parimin që ky vend elementin më të vyer ka kohën.

Unë ju uroj punë të mbarë gjatë konferencës së sotme. Dëgjojeni njëri-tjetrin pa pasur në mend paraprakisht se çfarë dëshironi të thoni, sepse mendimet nuk janë të shkruajtura në gur, as ligjet, as urdhërat e ministrave, as madje reformat e qeverive apo të Bashkimit Europian dhe padyshim as strategjitë, të cilat ndryshojnë sipas nevojave, sipas eksperiencave dhe sipas sfidave me të cilat po përballet globi, pikërisht për shkak të ndryshimeve klimatike./ CNA





Lajmet e fundit nga