web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fortlumturia e Tij, Joani: Vijmë nga toka e Ilirikut, ku Apostulli Pavël shpërndau farën e Ungjillit

14 Qershor 2025, 14:02, Aktualitet CNA

Fortlumturia e Tij, Joani: Vijmë nga toka e Ilirikut, ku Apostulli

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, është pritur sot nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, z. Vartholome, në Kostandinopojë së bashku me delegacionin e tij.

Fortlumturia e Tij, Joani, ka mbajtur një fjalim me mesazhe të forta, në të cilin mes rreshtave thekson: "Vijmë nga toka e Ilirikut, ku Apostulli Pavël shpërndau farën e Ungjillit, siç vetë dëshmon: 'nga Jerusalemi dhe rreth e qark deri në Ilirik kam përmbushur ungjillin e Krishtit' (Rom. 15:19). Rruga e lashtë Egnatia, rrënojat e së cilës ruhen deri sot në vendin tonë, e cila niste nga Durrësi, përfundonte në Mbretëreshën e qyteteve. Ishte një arterie rrugore e famshme që transportonte mallra, njerëz, të mira kulturore, ide dhe mësime. Nëpërmjet kësaj rruge Apostulli i Kombeve arriti edhe te ne, duke sjellë ungjillin e hirit dhe të së vërtetës, duke e bërë kishën tonë apostolike".

Kryepiskopi Joan deklaroi se duke qenë në selinë historike të Patriarkanës së nderuar Ekumenike, ndihen të mbushur me ndjenja mirënjohjeje për ftesën bujare dhe pritjen e përzemërt, së bashku me nderim shpirtëror për rrugëtimin e gjatë kryqëzimi-ringjalljes së Kishës së Kostandinopojës.

Fortlumturia e Tij, Joani: Vijmë nga toka e Ilirikut, ku Apostulli

Fortlumturia e Tij, Joani, nënvizoi se Patriarkana e nderuar Ekumenike nga pozita dhe misioni i saj kontribuoi në mënyrë të dobishme në rrugëtimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë përmes veprimeve vendimtare gjatë shekullit të 20-të të kaluar.

Ndër të tjera Kryepiskopi Joan theksoi se roli koordinues i Patriarkanës Ekumenike është i rëndësishëm për ruajtjen e unitetit për të gjitha Kishat motra Orthodhokse, për dëshminë e Orthodhoksisë dhe rrezatimin e së vërtetës së saj në botën bashkëkohore të turbulluar.

Fortlumturia e Tij, Joani: Vijmë nga toka e Ilirikut, ku Apostulli

Mesazhi i plotë i Kryepiskopit Joan

Përgjigja e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, imzot Joanit, gjatë pritjes së tij nga Tërëshenjtëria e Tij Patriarkale, Patriarku Ekumenik, z. Vartholome.

Tërëshenjtëri fort i hyjshëm, Kryepiskop i Kostandinopojës, Romës së Re dhe Patriark Ekumenik, vëlla dhe bashkëmeshtar shumë i dashur dhe i shtrenjtë në Krishtin Perëndi,

z. Vartholome,

“Dhe u mbushën të gjithë me Frymën e Shenjtë... dhe ishin të gjithë bashkë në një mendje” (Veprat 2:4,1).

Në këtë ditë të mbylljes së të kremtes së Pentikostisë, ndërsa Kisha kremton zbritjen e Frymës së Gjithëshenjtë dhe Jetëdhënëse, si edhe 'ditëlindjen' e saj, delegacioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka nderin të vizitojë Kishën e Madhe të Krishtit, duke shprehur falënderime të ngrohta për ftesën bujare. E njëjta Frymë që zbriti si gjuhë zjarri, që ushqen kishën në misteret dhe e bën atë trup të Krishtit, na mbledh sot "bashkë, në një mendje", për të rrëfyer të njëjtin besim ndaj Perëndisë Triadik.

Kjo vizitë e tanishme paqësore e një Primati të sapozgjedhur Orthodhoks, siç është zakon, përbën të parën ndaj Kishave motra vendore Orthodhokse, duke filluar me respekt nga Froni i nderuar Ekumenik, që mban privilegjet e nderit midis Kishave Orthodhokse Autoqefale. Prandaj vijmë të shprehim dashurinë tonë të sinqertë vëllazërore.

Vijmë nga toka e Ilirikut, ku Apostulli Pavël shpërndau farën e Ungjillit, siç vetë dëshmon: "nga Jerusalemi dhe rreth e qark deri në Ilirik kam përmbushur ungjillin e Krishtit" (Rom. 15:19). Rruga e lashtë Egnatia, rrënojat e së cilës ruhen deri sot në vendin tonë, e cila niste nga Durrësi, përfundonte në Mbretëreshën e qyteteve. Ishte një arterie rrugore e famshme që transportonte mallra, njerëz, të mira kulturore, ide dhe mësime. Nëpërmjet kësaj rruge Apostulli i Kombeve arriti edhe te ne, duke sjellë ungjillin e hirit dhe të së vërtetës, duke e bërë kishën tonë apostolike.

Duke qenë në selinë historike të Patriarkanës së nderuar Ekumenike, jemi të mbushur me ndjenja mirënjohjeje për ftesën tuaj bujare dhe pritjen e përzemërt, së bashku me nderim shpirtëror për rrugëtimin e gjatë kryqëzimi-ringjalljes së Kishës së Kostandinopojës.

Fortlumturia e Tij, Joani: Vijmë nga toka e Ilirikut, ku Apostulli

Patriarkana e nderuar Ekumenike nga pozita dhe misioni i saj kontribuoi në mënyrë të dobishme në rrugëtimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë përmes veprimeve vendimtare gjatë shekullit të 20-të të kaluar. Së pari, përmes dhënies së Autoqefalisë më 12 prill 1937. Me urtësi dhe largpamësi, ajo i dha Kishës së Shqipërisë të drejtën e vetëqeverisjes, në mënyrë që si një entitet kishtar i dallueshëm brenda familjes së Kishave Orthodhokse të ushtronte administrimin dhe kujdesin pastoral të trupit kishtar brenda kufijve të shtetit kombëtar. Ky veprim u dëshmua profetik dhe shpëtimtar gjatë viteve të errëta që pasuan, duke filluar me persekutimin kundër kishës në vitin 1945 dhe duke kulminuar në mënyrën më të pamëshirshme në vitet 1967-1990. Atëherë Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë. U shkatërruan 1.608 kisha dhe manastire, klerikët u burgosën ose u ekzekutuan dhe çdo shprehje fetare u ndalua. Por Fryma e Shenjtë ruajti të gjallë besimin në zemrat e besimtarëve, të cilët luteshin dhe pagëzoheshin fshehurazi. I tillë ishte edhe Modestia ime.

Së dyti, përmes iniciativës së Kishës Mëmë të frymëzuar nga kujdesi i palodhur për Kishat vendore Orthodhokse në vështirësi, ajo ofroi në 1991 Hierarkun më të përshtatshëm Orthodhoks të njohur ndërkombëtarisht, Episkopin e Andrusës Anastas. Kjo dhuratë atërore nuk ishte thjesht një zgjedhje e frymëzuar, por edhe një tregues thelbësor i dashurisë jo vetëm ndaj Kishës së Shqipërisë, por edhe më gjerësisht ndaj shoqërisë shqiptare. Episkopi Anastas, i dërguar fillimisht si Ekzark Patriarkal në 1991 dhe i zgjedhur rregullisht Kryepiskop në vitin 1992, me hirin e Perëndisë e rindërtoi nga rrënojat Kishën tonë. Sot, 34 vjet pas rindërtimit metodike dhe të mundimshëm, Kisha e Shqipërisë jeton një periudhë të re apostolike. Janë ndërtuar më shumë se 160 kisha të reja, 5 manastire të shenjta janë rigjallëruar, Akademia Teologjike "Ngjallja e Krishtit" edukon klerikë të rinj, Kolegji Universitar LOGOS u ofron të rinjve arsim akademik me standarde të larta.

Fortlumturia e Tij, Joani: Vijmë nga toka e Ilirikut, ku Apostulli

Tërëshenjtëri, ju keni vizituar përsëri vendin tonë dhe e dimë mirë se e rrethoni me dashuri atërore dhe lutje Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Po ashtu jemi të bindur se roli koordinues i Patriarkanës Ekumenike eshte i rëndësishëm për ruajtejen e unitetit per të gjitha Kishave motra Orthodhokse, për dëshminë e Orthodhoksisë dhe rrezatimin e së vërtetës së saj në botën bashkëkohore të turbulluar.

Nga thellësia e zemrës lutemi dhe kërkojmë që Zoti ynë Jisu Krisht të forcojë Tërëshenjtërinë Tuaj, për vazhdimin e veprës suaj të lartë dhe shumëdrejtimëshe.

Në Fanarin e Shenjtë, më 14 qershor 2025

Vëllai i dashur në Krishtin

i Tërëshenjtërisë Suaj,

Joani





Lajmet e fundit nga