web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dosja “Plumbi i Artë” në GJKKO/ Dëshmon Petrit Qoli: Lekët i gjeta nga peshkimi, vëllai i akuzuar për disa vrasje

22 Janar 2026, 15:57, Aktualitet CNA

Dosja “Plumbi i Artë” në GJKKO/ Dëshmon Petrit Qoli:

Këtë të enjte u zhvillua seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë” në GJKKO.

Në seancën e sotme dha dëshminë e tij Petrit Qoli, i marrë si i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.

Gjatë seancës, Qoli tregoi detaje nga veprimtaria e familjarëve të tij, teksa u shpreh se nuk ishte në dijeni të problemeve me drejtësinë që kishte i vëllai, Festim Qoli.

Qoli rrëfeu edhe se si u kryen dy vrasje të bujshme disa kohë më parë.

Pokurori: Ku i gjete këto lekë?

Qoli: Nga peshkimi, kam pasur gjithmonë anije, të thashë. Kam një vëlla që mos e paça, Festim Qoli. Edhe motër, Rezana Qoli.

Prokurori: Ndërkohë që ju merreshit me peshkim, vëllai me çfarë merrej?

Qoli: Kishte 5 biznese, bar-kafe, palestër. Unë ia kisha ndërtuar. Festimi ka qenë mjeshtër për makinat e vjedhura. Gjithmonë është marrë me tregti makinash, të dubluara. Kishte shumë miq italianë. Më pas u shtrëngua puna. Ku e di unë ku i njohu italianët. Kisha blerë një truall në Rruzhbull.

Prokurori: Kush është Agroni?

Qoli: Agron Qoli është çuni i xhajës tim. Është djalë model, pas meje, por nuk e kam shok. Merret me ndërtimtari. Nuk kemi punuar bashkë. Unë kam bërë 8-9 pallate. Edhe xhaminë në Rruzhbull. Me Festimin nuk kemi punuar, e kam vëlla, por është fatkeqësi për familjen tonë.

Prokurori: A kishte të ardhura Festimi?

Qoli: Unë nuk jam ekonomisti i Festimit, por kishte lokal dasmash, normale që kishte para.

Prokurori: Ke dalë jashtë shtetit?

Qoli: Po sigurisht, unë kisha anije. Unë di që Festimi ka një vajzë shumë të pasur bullgare. Di që ka edhe pasaportë angleze. Ajo është shumë e pasur, shet inerte ndërtimi. Nuk ishte e bukur… por.. nuk e di çfarë sheh Festimi tek ajo. Me Festimin shiheshim për iftare dhe për ditëlindje. Ka pasur shoqëri me Laertin e Palma Novës. Sapo fillova unë duke ndenjur me të, u ftoh ai. Gjithmonë si Tomi me Jerry kemi shkuar.

Prokurori: Pretendime pronësie keni pasur?

Qoli: Unë kam hipotekuar të gjitha apartamentet. Nuk hidhej beton pa qenë unë aty. Unë jam autodidakt.

Prokurori: Keni dijeni për probleme me drejtësinë që mund të ketë pasur Festimi?

Qoli: Nuk merresha me problemet e tij. Festimi është përgojuar që ka gjuajtur Titin, e ca të tjerë. Atij i pëlqente të njihej për këto. Është akuzuar për Loshin, për djalin e Fatmira Dedës. Por nuk e ka bërë.

Prokurori: Kush është ky Loshi, i biri i Fatmirës?

Qoli: Vinte tek anija ime, merrte naftë qyl. Loshi është bërë për rahmet. Nuk më vjen keq fare. E dëgjova në televizor. Fatmirën e kam takuar 3 herë në jetën time. Njoh Besnik Dedën, vëllain e Fatmirës, legjendë e kapitenëve të anijeve. I shkova për qokë për kafe ngushëllimi. Tri herë e kam takuar gjithsej Fatmirën.

Një herë e takova te karburanti në Shkozet se merrja karburant aty. Festim Qoli e administronte këtë karburant me Fatmirën. E kishte blerë Festimi, nga kush nuk e di. I ka shitur një Gëzimi më pas. Kur e ka blerë nuk e di. I ka marrë para borxh Loshit. Kujtim Hasa ka qenë menaxheri. E ka blerë i vetëm në fillim vëllai. Më pas këta u ftohën, me Ervis Dedën, (Loshin) për dy vajza. Ata bënin jetë të shthurur. Arsyeja e martesës së Loshit, studentja ka qenë e dashuruar. Loshi i kërkoi lekët që kishte marrë borxh Festimi, ky i tha kur t’i gjej do t’i jap.

Më tha Loshi mua që duhet të më japë lekët e karburantit. Nuk e di sa ishte shuma e lekëve. Nuk doja t’ia dija fare. Festimi nuk ma ka thënë, nuk kisha marrëdhënie të tillë me Festimin. Nuk e di kush e ka vrarë. Vetëm llafe njerëzish. Loshi ka vjedhur drogë thonë. Ca të tjerë që kishte florinj në makinë a drogë. Unë nuk rroj i mbyllur, prokuror, në Durrës rroj. Marrim vesh gjëra, të gjithë thonë ndonjë gjë. Historia e drogës filloi të flitet para se të vritej Mond Çekiçin. Kam respekt, më ka ardhur në shtëpi për iftar.

14 vjet duhet të ketë që është vrarë. E pashë te titrat e televizorit. E kishin nxjerrë foton. Kisha hallin e vëllait tim. Shkova te karburanti, nuk e gjeta në karburant. Gjeta punëtorët. E kam takuar vëllain pas 3 javësh. Shkova për ngushëllim pas të shtatave. Nuk e di ku ka qenë. Nuk ka qenë te prindërit. Nuk u interesova ku ishte. Nuk ka shokë të ngushtë në Durrës. Festimi i ka çuar tapi Fatmirës, si bashkëpronare, për arsye se Fatmira kishte deklaruar në polici që i Festimi kishte vrarë Ervisin. Ma tha më pas Festimi këtë.

Kur vajtëm për ngushëllim me babain, Fatmira i tha më fal se kam akuzuar Festimin nga tronditja. Isha unë, Agroni, babai, mamaja. Festimi ishte në kërkim policor. Babai i tha Fatmirës, nuk ka gjë mjafton të gjendet kush e ka vrarë. E mora vesh që e kishte thënë në polici, e di sa miq policë kam unë o prokuror?

Prokurori: E pyete Festimin pse të ka akuzuar Fatmira?

Qoli: Më tha dyshon se mos ngaqë jemi ftohur. Pasi Festimi i ka dërguar kontratën, tha që Fatmira u qetësua. E shkreta. Rahmet të ketë.

Prokurori: Si është vrarë Ervisi, si e zbulove?

Qoli: Ma thanë njerëzit.

Prokurori: Cilët njerëz? Sa njerëz?

Petrit Qoli: Vëllai ma ka thënë, Festimi.

Prokurori: Kush e vrau Fatmira Habilajn?

Qoli: Nuk kam shkuar në varrim. Nuk kam shkuar nga turpi i kapitenit, Besniku, vëllai i saj. Di që vrasësi ka hyrë dhe ka marrë sende me vlerë. E kam dëgjuar në media. Është vrarë te garazhi ku kishte shtëpinë. Makina ishte e zezë, nuk e dalloj markën, e kishte të re akull, ia kishte blerë i biri. Te pallati ku u vra, kam zyrat. Unë kam qenë me familjarët e mi. Isha në timon në Përrenjas, isha duke ikur në Pogradec. Më tha kushëriri im në telefon 'kanë vrarë nënën e Ervisit, kërkon policia Festimin'. I thashë ç’më duhet mua me Festimin. Festimin e kam takuar më pas. Nuk e mbaj mend sa kohë më pas. Pas vdekjes së të birit, Fatmira shkonte herë pas here te karburanti për ato llogaritë.

Prokurori: Talo Çela ka qenë emër i dëgjuar për ju në vitet 2012–2013?

Qoli: Nuk e njoh, nuk kam folur kurrë në telefon. Nuk njoh asnjë nga hasmit e Nuredin Dumanit./CNA 





Lajmet e fundit nga