LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Veting me prova false/ Sokol Sadushi i jep imunitet anëtarëve të ONM-së

8 Prill 2022, 13:11, Aktualitet CNA
Veting me prova false/ Sokol Sadushi i jep imunitet anëtarëve të

Në një kohë që organet e vetingut janë përfshirë në skandal për shkak të diskriminimit dhe penalizimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të prejardhjes, duket se arkitektët e Reformës në Drejtësi u kanë dhënë atyre imunitet të plotë.

Një nga rastet e denoncuara së fundmi, janë edhe qëndrimet e përfaqësuesit të ONM-së, Theo Jacobs në disa procese rivlerësimi, përfshirë edhe të prokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj, për të cilën në KPK dhe KPA janë dërguar prova të falsifikuara. Por për çdo veprim të tyre, përfaqësuesit e ONM-së nuk mbajnë përgjegjësi ligjore, e kjo jo bazuar në ligjet e Reformës në Drejtësi e Kushtetutë, por në një vendim të Gjykatës së Lartë që çuditërisht mban firmën e Sokol Sadushit, Evin Pupes dhe Ilir Pandës, tre gjyqtarë dosja e vetingut të të cilëve mbahet sekret edhe sot.

Sokol Sadushi e gjyqtarët e tjerë, nga arkitektë të Reformës, morën detyrën e detyra të rëndësishme si anëtarë të Gjykatës së Lartë, e një nga vendimet e marra prej tyre ishte dhënia e imunitetit anëtarëve të ONM-së. Me një vendim të marrë pak muaj më parë, ku paditës ishte Besnik Muçi, ish-anëtarë i Gjykatës Kushtetuese, treshja e gjyqtarëve Sadushi, Pupe e Panda morën vendimin, që do të përdorej më pas nga çdo gjykatë e prokurori  e shkallës së parë, si argument se përfaqësuesit e ONM-së as mund të hetohen dhe as mund të gjykohen për veprimet e tyre, duke u dhënë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Kolegji vlerëson se ngritja e kësaj strukture në nivel kushtetues, e përbërë nga gjyqtarë e prokurorë, përfaqësues të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare partnere, është kryer me vullnetin e plotë të shtetit shqiptar, për të mos e diferencuar nga garancitë që gëzojnë përfaqësitë diplomatike e konsullore në Republikën e Shqipërisë, përsa i përket çështjeve të juridiksionit gjyqësor vendas.

Statusi kushtetues, me të cilin është pajisur ky organizëm ndërkombëtar, nuk e përjashton nga rregullat e parashikuara në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile dhe, në veçanti, nga fushëveprimi dhe objekti i nenit 40 të tij, i cili parashikon se ?Juridiksioni  civil  i  gjykatave  shqiptare  nuk  shtrihet  në përfaqësuesit e shteteve të tjera dhe në grupin e tyre të shoqërimit, kur ata qëndrojnë me ftesë zyrtare të Republikës së Shqipërisë.?

Në këto kushte, personi i tretë në këtë gjykim, Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit, përfshihet në kategorinë e atyre subjekteve që janë të përjashtuar nga juridiksioni territorial i brendshëm gjyqësor, për sa kohë është një organ i huaj, i thirrur drejtpërdrejtë nga Kushtetuta, si dhe pas ftesës së Këshillit të Ministrave, me qëllim monitorimin dhe mbikëqyrjen e procesit të rivlerësimit.

Për sa më sipër, referuar dispozitave kushtetuese, akteve ndërkombëtare të miratuara nga shteti shqiptar, jurisprudencës së Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kolegji vlerëson se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk i nënshtrohet juridiksionit gjyqësor shqiptar dhe, për rrjedhojë, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë i mungon juridiksioni për të marrë në shqyrtim çështjen, objekt gjykimi, ndaj personit të tretë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Imuniteti i paligjshëm

Por ky vendim që u ka dhënë imunitet përball drejtësisë, përfaqësuesve të ONM-së është kundërshtuar nag ekspertët, të cilët argumentojnë se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është institucion shtetëror publik shqiptar i parashikuar nga Kushtetuta dhe Ligji nr. 84 /2016. Ky institucion e ushtron veprimtarinë e tij administrative në territorin dhe juridiksionin e Republikës së Shqipërisë, financohet nga shteti Shqiptar, ka buxhetin dhe personalitetin e vet juridik.

Sipas Konventës së Vienës, në rastet kur anëtarët e trupës diplomatike pranojnë me vullnetin e tyre t?i nënshtrohen rregullave e ligjeve të vendit ku ushtrojnë detyrën, atëherë ligji mund të veprojë mbi ta. E në rastin konkret përfaqësuesit e ONM-së kanë pranuar të ushtrojnë funksione, e natyrë administrative, e për pasojë i nënshtrohen ligjeve të vendit ku ushtrojnë detyrë.

Por cilado të jetë ndarja apo qëndrimi i ekspertëve të fushës, Vendimi i Gjykatës së Lartë i marr nga Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, u ka dhënë imunitet të përjetshëm përfaqësuesve të ONM-së edhe në rastet kur ata janë shkelës të ligjeve të Shtetit Shqiptar.

E shumë të tjerë ngrenë dyshimet se ky vendim lidhet edhe me mbajtjen sekret të dosjeve të vetingut për tre gjyqtarët e Gjykatës së Lartë./ Syri.net

Lajmet e fundit nga