LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse SHBA-ja është rikthyer në Ballkan?

12 Shkurt 2022, 17:54, Opinione CNA

Nga Dr.Arben Ramkaj

Ballkani ka qenë historikisht arenë e përballjeve të mëdha midis Lindjes dhe Perëndimit. Ndonëse jo shumë i madh në aspektin gjeografik, Ballkani ka qenë gjithmonë një rajon shumë i brishtë.

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë, që nisi më shumë se 3 dekada më parë u duk sikur shënoi triumfin e Perëndimit, dhe garantoi stabilitet për një fare kohe. Ky stabilitet erdhi si pasojë e dy faktorëve me peshë.

Së pari e perspektivës së Bashkimit Evropian, që edhe pse vazhdimisht e largët, i ka inkurajuar vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin drejt reformave demokratike, me shpresë se ato do të çojnë një ditë në përmirësimin e marrëdhënieve midis popujve të rajonit, siç ndodhi dikur me raportin Francë-Gjermanisë.

Faktori i dytë ishte NATO-ja, dhe ndjenja e sigurisë që garanton aleanca, që u pa si shpresë për vendet e Ballkanit Perëndimor. E megjithatë rajoni vazhdon të mos jetë imun ndaj lëvizjeve gjeopolitike.

Kriza e viteve të fundit, ajo financiare dhe më pas ajo e emigrantëve, e kanë lodhur BE-në, duke e zbehur haptazi dëshirën e saj për të vazhduar procesin e zgjerimit. Kjo qasje është përforcuar edhe nga sjellja elektorale e qytetarëve në këto vende, të cilët po anojnë gjithnjë e më shumë drejt partive populiste të ekstremit të djathtë por edhe atij të majtë, që bazohen tek nacionalizmi dhe ksenofobia.

Në anën tjetër, zhgënjimi shumë i madh i elitave, por sidomos i qytetarëve në Ballkan me Bashkimin Evropian, ka bërë që ata të nisin ta kthejnë kokën diku tjetër për ndihmë dhe zhvillim.

Dhe po e bëjnë këtë duke kujdesur shumë më pak për demokratizimin e vendit dhe sundimin e ligjit, sipas parimit makiavelist ?qëllimi justifikon mjetet?. Kësisoj, dekadën e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e ndikimit politik, ekonomik dhe kulturor të fuqive të mesme dhe të mëdha si Rusia, Kina dhe Turqia.

E para e kryen ekspansionin e vet kryesisht nëpërmjet furnizimeve energjetike dhe armëve. Ndërkohë Moska dhe Ankaraja, janë investuar më shumë në zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe investimet në infrastrukturë.

Brukseli ka shprehur herë pas here shqetësim për këto zhvillime. Por përtej reagimeve formale, ka qenë i pafuqishëm për të bindur udhëheqësit e rajonit që të ndërrojnë rrugë, duke iu rikthyer trajektores së dikurshme të orientuar drejt vlerave themeltare perëndimore.

Pafuqia buron mbi të gjitha nga fakti, se sot BE-ja nuk ka aktualisht asnjë narrativë tërheqëse për Ballkanin Perëndimor. Zgjerimi ka ngecur në vend, dhe vendet kryesore të unionit, Franca dhe Gjermania, refuzojnë të përmendin ndonjë datë konkrete për vendet kandidate.

Madje instrumenti i ri i zgjerimit, i rishikuar me propozimin dhe këmbënguljen e presidentit francez Emanuel Makron, përmban edhe opsionin e anulimit tërësor të procesit për një vend të caktuar, që vlerësohet ka shkuar shumë larg në raport me kriteret që kërkohen të përmbushen.

Kjo situatë ka imponuar rikthimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Të paktën që nga presidenca e Obamës, Uashingtoni, kishte nisur të distancohej gradualisht nga Evropa në tërësi, për t?u fokusuar tek ajo që e ka përcaktuar në strategjinë e sigurisë kombëtare si një ?rivale sistematike?, Kina.

Dhe ishte përgatitur ta bënte këtë në ?oborrin? e Kinës, pra në rajonin e Indo-Paqësorit. Por aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe pushtimi i Ukrainës Lindore nga separatistët pro-rusë në fillimin e vitit 2014, përfshirja e Moskës në konfliktin sirian, dhe përgatitja muajt e fundit për një pushtim të mundshëm të gjithë Ukrainës, ka ndryshuar shumë gjëra në terren, dhe natyrisht  edhe llogaritë që bëhen në Shtëpinë e Bardhë.

Nëpërmjet asaj që quhet ?luftë hibride?, një ndërthurje djallëzore e sulmeve kibernetike, fushatave të dezinformimit, shantazhit ekonomik, nxitjes së trazirave, grushteve të shtetit, apo lëvizjeve separatiste, presidenti rus Vladimir Putin po shfrytëzon të gjitha hallkat më të dobëta në rendin evropian të sigurisë.

Pavarësisht se të tilla ka edhe në disa vende të BE-së, në shkallë të ndryshme dhe për shkaqe të ndryshme, brishtësia është sigurisht më e madhe në Ballkanin Perëndimor. Kështu duken qartazi ?gjurmët? e Moskës në provokimet e rënda që bën vazhdimisht lideri i serbëve të Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik, për shkëputje nga federata multi-etnike.

Apo trazirat periodike që shkaktojnë disa elementë midis serbëve në Veriun e Kosovës. Në dallim nga qasja e butë, deri edhe kompromentuese disa zyrtarëve evropianë, SHBA-ja ka ndërhyrë fuqishëm, duke vendosur muajt e fundit sanksione ndaj këtyre individëve, zyrtarisht për shkak të shkak të korrupsionit dhe minimit të demokracisë.

Presidenti amerikan Xho Bajden, ka premtuar se promovimi i demokracisë, do të rikthehet në jetë në axhendën kryesore të politikës së jashtme të SHBA-së. Në fakt, unë gjykoj se demokracia është më tepër një ?fjalë e koduar?, për të maskuar një operacion të madh gjeopolitik të Amerikës, që ka të bëjë me frenimin e asaj që kjo e fundit e sheh si një ?bosht të ri të autokracive?, i përvijuar shumë qartë javët e fundit dheme protagonistë Rusinë dhe Kinën.

Që t?i kundërvihet në një mënyrë sa më efektive këtyre fuqive të mëdha, SHBA-ja e ka të domosdoshme të jetë e qetë në prapavijë. Pasi shpërthimi e tensioneve në Ballkan në këto momente, do ta shfokusonte vëmendjen dhe do të shpërndante energjitë e diplomacisë, politikës dhe establishmentit ushtarak.

Kjo shpjegon edhe nxitimin e pazakontë të administratës Trump për të arritur sa më shpejt dhe me çdo kusht (madje edhe atë të shkëmbimeve territoriale), një marrëveshje përfundimtare paqeje midis Kosovës dhe Serbisë, që do të siguronte njohjen e ndërsjelltë dhe fokusin tek zhvillimi ekonomik.

Pjesë e kësaj strategjie është edhe nisma ?Open Balkan?, një alternativë momentale por jo zëvendësuese e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Që të dyja këto nisma, që mbështeten edhe nga administrata aktuale, u kundërshtuan me një ngarkesë të madhe emocionale nga një pjesë e elitës politike dhe inteligjencës, sidomos në vendet ku banojnë jo pak shqiptarë si në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi.

Por argumentet kundra kësaj nisme, që është një investim diplomatik, politik, dhe ekonomik ekskluziv i SHBA-së, po dobësohen përditë e më shumë nga zhvillimet në terren, që premtojnë të sjellin kriza politike, destabilitet dhe dhunë në rajon.

Përballë këmbënguljes në disa axhenda që e ndihmojnë direkt apo indirekt Rusinë dhe Kinën nga ana e disa politikanëve me kredenciale morale të kompromentuara, Uashingtoni është detyruar të veprojë sërish me dorën të fortë, duke përdorur mekanizimin juridik më ekstrem, që është shpallja non-grata e tyre.

Politikanët shqiptarë në Shqipëri dhe vendet e tjera në rajon, duhet ta kuptojnë Amerika është e angazhuar në një betejë të fortë gjeopolitike, e cila nuk do të jetë aspak e lehtë dhe që do të zgjasë në kohë.

Ndaj damkosja si ?non-grata? apo sanksionet e tjera, nuk janë akte politike që i përkasin kësaj apo asaj administrate. Një vendim i tillë mund të jetë një ngatërresë ose një ndëshkim i merituar. Këtë do ta tregojë koha.

Por në këtë Luftë e re të Ftohtë, që mesa duket do të karakterizojë shekullin XXI, ne duhet të dimë se me cilin duhet të rreshtohemi. Historia 100 e ca vjeçare, e ka treguar se SHBA-ja është mikja dhe aleatja jonë më e madhe.

Si bartëse e vlerave themeltare të njerëzimit, ajo ka treguar se ka qenë në çdo rast në anën e duhur të historisë. Si viktima të politikës arbitrare të fuqive të mëdha në fillimin e shekullit XX, por edhe të regjimit komunist gjatë gjysmës së dytë të tij, ne nuk kemi luksin që të gabojmë sërish.

Nga janari i këtij viti dhe deri në fundin e vitit 2023, Shqipëria është anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë cilësi, ajo është bashkë-hartuese e deklaratës mbi Ukrainës, duke u rreshtuar zyrtarisht përkrah qëndrimit që mban SHBA-ja mbi këtë krizë delikate.

Ndaj politika shqiptare, duhet të reflektojë me sjelljen e saj, rolin dhe përgjegjësitë e reja që ka marrë vendi ynë në skenën rajonale dhe ndërkombëtare./E.K-CNA.al

Lajmet e fundit nga