LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Republika anti-demokratike e 17 majit

7 Tetor 2021, 10:23, Opinione CNA

Nga Erion Piciri 

Në pranverën e 2017-ës opozita shqiptare nisi një protestë kundër kanabizimit, minimit të demokracisë dhe shtetit ligjor nga qeveria Rama 1. Ajo u paketua si përpjekje për lindjen e një Republike të Re, ku demokracia, drejtësia dhe mundësitë e zhvillimit për çdo qytetar do ishin themelet ku do modernizohej shteti shqiptar.

U thërritën t?i jepnin frymë këtij aksioni politik dhjetra intelektualë dhe pedagogë, u bënë pjesë e luftës për ndryshim mijëra qytetarë, u kërkuan për ndërmjetësim politikanë e diplomatë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, për arritjen e një klime, që do t?i çonte palët në zgjedhje dhe shoqërinë drejt një ndryshimi të pritur prej vitesh. Asgjë nuk ia arriti qëllimit.

Dukej se dallimi midis opozitës dhe pozitës ishte aq i madh sa duhej të shembej sistemi i vjetër për t?u ngritur një sistem i ri, bazuar në vlera dhe ndershmëri. Kur shpresat ishin të pakta dhe opozita do bojkotonte zgjedhjet parlamentare ndodhi befasia.

Në orët e vona të 17 majit 2017, në skutat e godinës ku dikur dhunonte republikën Enver Hoxha, pasi i larguan të gjithë përfaqësuesit e spektrit politik të kohës, lindi republika e 2 individëve, që në dukje ishin në konflikt të hapur, por në thelb u bënë partnerë në seritë e reja të projektit ?Shqipëria e Re?.

Ndër vite u kuptua se atë natë, pa transparencë, larg syve të medias dhe opinionit publik, u vijëzua Shqipëria politike e dekadave që do vinin, derisa këta 2 individë do kishin jetë fizike. Një marrëveshje e ngjashme si Putini me Medvedevin, tandemi i një Cari dhe një oportunisti politik, që priste t?i jepnin hisen e tij të pushtetit.

Ajo që u nis si lëvizje përfundoi në pazar dhe në vend të një pranvere politike hymë në një dimër antidemokratik. Për këtë duhet t?i njohim meritat Carit të qeverisë.

Në politikë fiton më shumë ai që ia njeh mirë karakterin tjetrit, ia di forcën dhe dobësitë, vlerat dhe ambiciet. Në këtë pikë kreu i qeverisë doli i fituar. Ai e kuptoi të ngjashmin e tij dhe e dinte se përballë nuk kishtë një politikan idealist, parimor dhe demokrat, por një njeri që spekullon moralin publik për interesa personale. Si në shumë raste të tjera, ide të mira në dorë të njerëzve të gabuar të çojnë drejt dështimesh të përsëritura.

Republika e Re, një koncept idealist, i kopjuar si slogan, por jo si përmbajtje modernizuese, u adoptua nga kreu i opozitës dhe i qeverisë dhe u deformua si karakter për të prodhuar një regjim hibrid në të dyja anët e spektrit politik.

Këtu nisi zhdukja e pluralizmit dhe pastrimi i territorit politik sipas anëve që u përkisnin. Këtu ra koncepti i partisë politike si institucion demokratik, me vendimmarrje kolektive për çështje të rëndësishme, duke u kthyer në mjet të dominimit të një njeriu.

Me këtë sistem të kapur nga 2 individë është në rrezik inkurajimi i lidershipit të ri brenda partive historike, në të gjitha nivelet e aktivizimit dhe përfaqësimit. Njerëz me potencial do fshihen që në start, ata që duhen për fasadë përdoren përkohësisht dhe pastrohen me një algoritëm në stade të mëvonshme apo i detyrojnë të heshtin, tjetërsohen dhe diskreditohen për të vijuar të mbeten në skenë.

Kjo dëmton interesat e vendit për të pasur një klasë politike personalitetesh, jo të frikësuarish dhe marionetash. Shqipëria ka nevojë të mbledhi të ndryshmit, në përvoja, mendësi, formim, sjellje dhe interesa, të prodhojë shkëndija që japin energji, mos vendosi dikush korniza dhe t?i mbajë strukur nga frika dhe interesi, por t?u krijojë kushte për rritje dhe liri, që ta çojnë vendin lehtësisht drejt destinacioneve inovative që prodhojnë zhvillim. Fjala e Lincoln-it, ?nuk mund të ndërtosh karakterin dhe shpirtin kurajoz të njerëzve duke u marrë iniciativën dhe pavarësinë?.

Aty ku përjashtohen njerëzit pa debat dhe votim, kur daljet mediatike centralizohen tek një njeri, kur listat e përfaqësimit dhe promovimit janë ekskluzivitet i 2 individëve me lidhje të shkurtra me njëri-tjetrin, ka mbaruar demokracia dhe pluralizmi politik. Në këtë lloj republike të drejtat e çdo njeriu janë në rrezik, mbrojtja mungon se aty ku duken dy palë në fakt është një, e ndarë në dy llogore fiktive.

Në këtë situatë, zhbërja e Republikës së Re të 17 Majit, përmes çlirimit të njërës, në mos të dy partive historike është detyrë sa qytetare dhe politike, sa europianizuese dhe patriotike. Perëndimi u ngrit mbi diversitetin politik, mbi liritë dhe individualitetet, mbi shumësinë e pushteteve dhe jo mbi centralizimin dhe aleancat e fshehta midis pak njerëzve. Diversiteti politik, lidershipi i përhapur deri në çdo qelizë të formacioneve politike nxit pjesëmarrjen, forcon mobilizimin shoqëror duke i dhënë legjitimitet pushtetit të ushtruar nga partitë dhe qeverisja e një vendi.

Për këtë epokë të re lirie, shpërqëndrimi të pushtetit, të krijimit të elitave dhe hierarkive permisive ku njerëzit ulen dhe ngjiten përmes garave të ndershme kemi nevojë më shumë se kurrë. Kushdo që investon tek ky gjakim, duhet përkrahur dhe vlerësuar për kurajon e të qënit një ushtar i modernizimit kombëtar./CNA.al

Lajmet e fundit nga