web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Historia e ekspeditës naziste në Himalaja për të kërkuar racën Ariane

6 Tetor 2021, 07:17, Blog CNA

Në vitin 1935, kreu i SS-ve nazistë Hajrih Himler krijoi ?Ahnenerbe?, një njësi që kishte si synim kryesor përhapjen dhe konfirmimin shkencor të teorive raciste të regjimit nazist.

Në veçanti, akademikët e rekrutuar në këtë organizatë, kishin për detyrë të gjenin gjurmë të qytetërimit më të lartë që kishte jetuar dikur në qytetin legjendar të Atlantidës, nga i cili sipas nazistëve buronte edhe raca superiore Ariane.

Sipas një teorie shumë të popullarizuar në atë kohë, Atlantida – që dikur ndodhej në një pikë të papërcaktuar në mesin e Oqeanit Atlantik – ishte fundosur pasi u godit nga një rrufe, dhe më vonë disa nga banorët e saj kishin gjetur strehë në malet Himalaja.

Ky besim ishte aq i fortë, saqë 3 vjet pas krijimit të ?Ahnenerbe?, Himler dërgoi 5 ekspertë në Tibet për të zbuluar çfarë gjurmësh kishin mbetur nga banorët Arianë të Atlantidës, dhe

si ishin përzier ata me banorët vendas. Ekspedita, që do të mbetej sekrete, zgjati rreth 1 vit dhe në të morën pjesë edhe një zoolog i pasionuar pas gjuetisë, si dhe një antropolog.

Siç rrëfen gazetari indian Vaibhav Purandare në librin e tij ?Hitleri dhe India?, Hitleri e urrente popullsinë indiane. Ai ishte i bindur se rreth vitit 400 Pas Krishtit, Arianët kishin migruar nga veriu, pikërisht nga Tibeti, dhe indianët ishin përzier me ta, duke e prishur pastërtinë e gjakut të tyre.

Për Hitlerin, kjo çështje – e cila, për më tepër, nuk u mbështet nga asnjë provë – përbënte një krim të vërtetë, dhe për këtë arsye ai e fyente shpesh Indinë dhe indianët në shkrimet dhe në fjalimet e tij publike. Por pavarësisht kësaj, ishte me vlerë që ?Ahnenerbe? të kërkonte gjurmë të racës ariane në atë pjesë të botës.

Ndaj në vitin 1938 u organizua ekspedita, në të cilën morën pjesë 5 ekspertë gjermanë. Purandare shkruan se dy prej tyre spikatën mbi të tjerët. Njëri ishte Ernst Shafer, zoologu 28-vjeçar që kishte qenë dy herë në zonën kufitare midis Indisë, Kinës dhe Tibetit.

Ai ishte një njeri shumë i apasionuar pas gjuetisë, edhe pse ky pasion i tij kishte çuar në vrasjen aksidentale të gruas së tij, kur rrëshqiti në momentin që ishte gati të qëllonte një rosë duke qëlluar në drejtim të gabuar (kjo ndodhi rreth 2 muaj para nisjes së ekspeditës, por Shafer nuk besonte se ajo ngjarje tragjike ishte një arsye e fortë për të mos qenë pjesë e saj).

Tjetri ishte Bruno Beger, antropolog dhe një anëtar i SS që nga viti 1935. Detyra e tij ishte të mblidhte të dhëna anatomike të njerëzve që do të takonte në zonë, në mënyrë që të vëzhgonte ?proporcionet, origjinën, rëndësinë dhe zhvillimin e racës nordike? në Tibet.

Ekspedita kishte në përbërje edhe fizikantin Karl Vinert, koleksionuesin e kafshëve Edmund Ger dhe fotografin Ernst Krauze, më i moshuari i grupit. Edhe pse nuk kishte filluar ende Lufta e Dytë Botërore, marrëdhëniet midis vendeve evropiane nuk ishin të qeta.

Sidomos, Mbretëria e Bashkuar – që në atë kohë kontrollonte Indinë – e pa me shumë dyshim vizitën e këtyre shkencëtarëve gjermanë, nga frika se mos ata ishin spiunë, një hipotezë e parashtruar edhe nga gazeta ?Times of India?, e cila shkroi disa herë mbi ekspeditën.

Në majin e vitit 1938, të pestë gjermanët zbarkuan në Sri Lanka, dhe më pas hynë në Indi përmes qytetit të sotëm Çenai (asokohe Madras), dhe vazhduan udhëtimin drejt Kalkutës dhe më pas në veriperëndim, në shtetin indian Sikim. Rrugës ata hasën disa probleme me zyrtarët politikë britanikë, por në fund të vitit ia dolën të shkojnë në Tibet.

Britanikët po ndiqnin në atë kohë politikën e njohur si ?pajtimi?, duke mbajtur një qasje pajtuese me Gjermaninë naziste, në mënyrë që të shmangeshin konfliktet ushtarake. Prandaj, nga Londra, erdhi urdhri i drejtpërdrejtë për të mos e penguar ekspeditën, pavarësisht shqetësimeve mbi të.

Dalai Lama XIII – autoriteti më i lartë fetar dhe politik i budizmit tibetian – kishte vdekur disa vite më parë. Ndaj mbretëria tibetiane, që në ato ishte de fakto e pavarur, edhe pse kërcënohej vazhdimisht nga Kina, drejtohej nga një Dalai Lama i ri vetëm 3-vjeçar, si dhe një regjent.

Purandare thotë se ndoshta për shkak të tranzicionit politik në zhvillim, autoritetet tibetiane i trajtuan ?jashtëzakonisht mirë? gjermanët. Për më tepër, këta të fundit hasnin shpesh svastikën, një simbol i përdorur gjerësisht në vendet budiste dhe hindu, dhe shumë i përhapur në Tibet, me kuptime dukshëm të ndryshme nga ato naziste.

Për shembull gjatë qëndrimit të tij, Beger pati marrëdhënie shumë paqësore me tibetianët, dhe në disa raste ai kryente edhe funksionet e një mjeku. Megjithatë, në realitet ai mati kafkat dhe karakteristikat fizike të qindra njerëzve, kokat, fytyrat, duart dhe veshët, duke mbledhur gjurmët e gishtërinjve, dhe duke grumbulluar rreth 2.000 fotografi.

Një anëtar tjetër i ekspeditës xhiroi 18.000 metra film dhe kreu mbi 40.000 fotografi. Me sa dihet tani, nuk ka gjasa që tibetianët të ishin në dijeni të qëllimit të atyre matjeve. Në vitin 1939 filloi lufta dhe ekspedita e 5 gjermanëve u ndërpre papritur.

Ata u kthyen në Gjermani, dhe kur avioni i tyre u ul në Mynih, ishte vetë Himler që doli t?i priste. I gjithë materiali i mbledhur u studiua në vitet në vijim, dhe Shafer pati kohë të botonte edhe disa libra mbi kërkimin e kryer.

Gjithsesi në vitin 1945 Gjermania u dorëzua, dhe gjatë pushtimit të aleatëve amerikanë, britanikë dhe rusë, shumica e materialit që përmbante rezultatet e hulumtimit u shkatërrua. Në vitet në vijim, harresa që pësuan disa aspekte të turpshme të nazizmit, bëri që askush të mos përpiqej të rindërtonte përfundimet në të cilat kishin arritur 5 shkencëtarët nazistë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





08:51 Blog

Ku po shkon Evropa?

Nga Michael Laitman“News max”Kohët e fundit kam dëgjuar gjit...

Lajmet e fundit nga