web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ofertat e Ramës për PD-në, jashtë konspiracionit për bashkëqeverisje

7 Shtator 2021, 07:33, Opinione CNA

Tashmë Edi Rama e ka shpallur qeverinë e tij, e cila dukshëm është politike dhe përfaqësuese e mazhorancës. Me këtë shpallje ra një ?mit? i krijuar gjithë këto kohë për konspiracionin e bashkëqeverisjes, që lobe pranë Sali Berishës, mundoheshin të gjenin në qëndrimet e Ramës, e sidomos në deklaratat e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim.

Në daljen e parë pas shpalljes së qeverisë te Fevziu, u duk realisht një epokë e re, ku pati mjaft pyetje, natyrisht edhe komente, por jo ato batutat famëkeqe të viteve më parë që degradonin emisionet e darkës.

Ishte realisht një zhvillim i ri, për të cilin edhe Fevziu tha se kjo mënyrë e re është frut i një studimi të audiencës.
Por në atë emision, pati zhvillime të rëndësishme nga ana politike, ku Kryeministri Edi Rama, ka dhënë qëndrime të qarta politikisht, edhe pse një sy e vesh i vëmendshëm i shikonte ata si një vijim i qëndrimeve të fushatës.

Duke përkthyer logjikën e bashkëpunimit me opozitën e Lulzim Bashës, natyrisht edhe i nxitur nga pyetjet, Edi Rama tha qartë se është i gatshëm të diskutonte me opozitën që nga ndarja territoriale e administrative e vendit, deri edhe ndryshimet e sistemit politik e zgjedhor.

Më në fund, duket se ka një horizont më të pastër e pa re, ku politika mund të shikojë vizionin e një reformimi si të shtetit, por edhe të politikës në përgjithësi.

E këtu, Partia Demokratike ka mundësinë, që të japë atë vizion që ajo shikon në këtë drejtim. Edi Rama, e dha versionin e vet në vija të trasha, që mazhoranca nuk shikon në rikthimin e komunave si zgjidhje, por ka deklaruar se ai është madje në reduktimin e 61 bashkive aktuale.

Sistemi i sotëm administrativ i 61 bashkive, nuk se ka qenë perfekt, madje ende nuk ka hyrë tamam në funksionimin e tij, pasi ka pasur probleme e çështje që kanë sjellë domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore, por një shtim i hallkave të pushtetit, siç ka qenë dikur me komuna, qarqe apo rrethe, shton një administratë që del më shumë skiç në funksionim.

Edhe sot, përveç bashkive, kemi këshilla qarqesh e prefekturash, që më shumë kanë administratë, sesa një strukturë efikase. Një reformë reale për të përmirësuar pushtetin vendor do të ishte e domosdoshme.

Vendet e ngjashme me Shqipërinë në rajon që janë të vogla relativisht, si Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, etj kanë një ndarje administrative të thjeshtë. Vendi përbëhet nga Kryeqyteti, dhe komunat e tjera. Të cilat përfshijnë ndarjen administrative të qyteteve së bashku me rrethinat.

Kjo është një ndarje e thjeshtë që duket se ngjan me atë që Shqipëria ka aktualisht. Por gjithsesi publiku do të duhet të dëgjojë si është qëndrimi i Partisë Demokratike.

E cila siç deklaroi Basha, pritet së shpejti të japë vizionin e vet edhe për ndryshimet Kushtetuese. Por këtu do të duhet të ketë një qëndrim të qartë, madje shumë të qartë të opozitës për drejtësinë, reformën që ata votuan në 2016-n dhe institucionet që janë krijuar tashmë.

Nuk mundet që ne te kemi një drejtësi që pëlqehet kur heton njerëz të PS-së dhe kontestohet kur e bën këtë me njerëz të opozitës.
Duhet një qëndrim përfundimtar, i cili do ta shpëtonte publikun nga kurthet e përplasjeve të kota se kush është më hajdut e kush është më tradhëtar. Le ta vendosin këtë institucionet e drejtësisë. E nëse PD ka një ide që duhet plotësuar apo zhvilluar Prokuroria Speciale apo edhe Gjykata Speciale, le ta thotë.

Duke e vendosur njëherë e mirë, e të mos presin që ta marrin këtë vendim në bazë të një situate të caktuar, ku natyrisht tensioni mund të çojë në një negociatë, e në përfundim të vijmë në një 5 shtator, ku sërish të kemi administrim të votës nga numëruesit e partive.

Një President jashtë partiak dhe ekuilibruar? Le të forcohen kriteret dhe një ligj i ri për kreun e shtetit, i cili të miratohet me konsensus.
Këto janë vetëm disa nga piketat, por natyrisht ka edhe të tjera. Mjafton që ky debat të ndahet nga çështjet ekstra siç është vendimi i DASH për Berishën. Për të cilin PD, do të duhet të shprehet sa më shpejt.





Lajmet e fundit nga