web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ku janë zhdukur arbitrat ndërkombëtare të Superiores?

21 Mars 2021, 09:04, Sport CNA

Sezoni 2020-2021 ka qenë ndër më të errëtit për gjykimin shqiptar. Gabimet kanë qenë tema kryesore e thuajse çdo diskutimi në fundjavë pas ndeshjeve të Kategorisë Superiore, për të mos vazhduar me tej në piramidën e futbolli shqiptar ku sa më shumë zbret, aq më shumë shtohen problemet.

Ajo që ka rënë në sy është se si asnjëherë tjetër, problemet i kanë shoqëruar të gjithë gjyqtarët. Më apo pa dashje, thuajse të gjithë janë bërë protagonistët e gabimeve të rënda, që i kanë lënë për një periudhë të gjatë larg fushave të lojës.

Kjo ka bërë që gjyqtarët të kenë një sezon të cunguar, pasi mes gabimeve të shumta që kanë bërë, kanë ardhur edhe pauzat e gjata. Si rrjedhojë, pas javës ë 24-t të kampionatit, në mënyrë të pabesueshme rezulton se vetëm 3 gjyqtarë kanë drejtuar 10 apo më shumë ndeshje në këtë edicion.

Eldorian Hamiti është ai që mban vendin e parë në renditjen e këtij edicioni me 13 ndeshje të drejtuara, por edhe ai është zhdukur prej rreth një muaji, pasi është dënuar nga Sektori i Arbitrimit në FSHF që pas ndeshjes mes Bylisit dhe Skënderbeut në fundin e muajit shkurt.

I dyti në listë është Enea Jorgji me 12 ndeshje edhe i treti është Juxhin Xhaja me 11 ndeshje, as sa gjysma e javëve të luajtura. Të gjithë të tjerët nuk kanë bërë as 10 ndeshje në këtë sezon, diçka e pabesueshme duke menduar se janë luajtur 24 javë kampionat.

Ndërkohë, gjyqtari që cilësohet më i miri i këtij sezoni, arsye pse iu besua edhe derbi i fundit, Kreshnik Cjapi, ka drejtuar vetëm 8 ndeshje, 1 më shumë se Kridens Meta i cili deri pak kohë më parë vlerësohej si më i miri në qarkullim. Një zbritje e konsiderueshme për shkak të gabimeve të shumta që ka bërë gjatë këtij edicioni.

Ky është një tregues i qartë i nivelit të ulët të gjykimit në Shqipëri, ku as ata gjyqtarë që janë të elitës, nuk drejtojnë dot rregullisht, pa bërë gabime të cilat Sektorit i Arbitrimit publikisht nuk i vlerëson si ndikues në fatin e garës, por për të cilët paralelisht i ka dënuar ashpër ata.





Lajmet e fundit nga