web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Menaxhimi i pandemisë/ Meta shigjeton qeverinë, thirrje për qytetarët

28 Dhjetor 2020, 22:00, Politikë CNA

Presidenti Ilir Meta ka kritikuar sërish qeverinë për mënyrën e menaxhimit të pandemisë.

Meta tha se pandemia duhet të ishte menaxhuar me një përgjegjshmëri dhe planifikim tjetër, pasi theksoi me siguri se rezultatet do të kishin  qenë më të mira.

Nga ana tjetër, Kreu i Shtetit i bëri thirrje qytetarëve të jenë sa më shumë të kujdesshëm, të ruajnë sa më shumë veten, familjarët dhe njerëzit e tyre.

?Dua të vlerësoj punën e gjithë personelit mjekësor sepse u bë një kohë shumë e gjatë, që ata punojnë, sakrifikojnë dhe janë në vijën e parë të kësaj beteje. Për fat të keq, kemi dhe shumë humbje nga personeli shëndetësor, mjekë, infermierë dhe personel mbështetës.

Padyshim, që qeveria duhet të kishte bërë shumë më tepër, për një menaxhim sa më të pavarur dhe  për t?i dëgjuar sa më shumë ekspertët. Duhet të kishte dhënë një mbështetje më të madhe për sektorin e shëndetësisë. Kjo është edhe një nga arsyet  e kthimit të projektbuxhetit nga ana ime për rishqyrtim në Kuvend.

Së dyti, edhe për mbështetjen jo të duhur ndaj biznesit dhe sipërmarrjes. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, të paktën mbi 50 mijë vetë kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë, ndërkohë që shohim se përkrahja për ta është pothuajse inekzistente.

Ndërkohë në vendet e tjera fqinje, si Maqedonia e Veriut apo Kosova, kanë  bërë shumë më tepër paketa, dhe kanë dhënë  një mbështetje shumë  më të madhe. Unë, i dhashë një mundësi qeverisë, por nuk reflektoi dhe kjo është përgjegjësi e saj.

Unë, i ftoj të gjithë qytetarët të jenë sa më shumë të kujdesshëm, të ruajnë sa më shumë veten, familjarët dhe njerëzit e tyre. Njëkohësisht, të punojnë dhe të bashkëpunojnë sa më shumë me mjekun e familjes dhe me të gjithë personelin shëndetësor, për t?ua lehtësuar atyre përballjen me këtë pandemi?, u shpreh ai në Vizion Plus.

Sipas Metës, do të kishte shumë më tepër burime financiare për të mbështetur shëndetësinë nëse prioriteti për vitin e ardhshëm nuk do të ishte dyfishimi i pagesave për PPP-të.

?Nëse prioriteti për vitin e ardhshëm nuk do të ishte dyfishimi i pagesave për PPP-të, do të kishte shumë më tepër burime financiare për të mbështetur, sektorin e shëndetësisë në infrastrukturë shtesë, që i mungon sot, dhe për të mbështetur persona, të cilët  janë të prekur, duke i ofruar  një rimbursim sa më të plotë të trajtimit të tyre, përfshirë edhe ata,  që trajtohen në familje.

Por, edhe për të ndihmuar sa më shumë këta 50 mijë qytetarë, të cilët kanë humbur vendet e punës dhe në kushte të tilla, mund të mendojnë si zgjidhje të vetme largimin nga Shqipëria. Një veprim i tillë, do të ishte një dëm shumë i madh,  për të ardhmen e vendit dhe të ekonomisë kombëtare?, theksoi presidenti./ CNA.al





Lajmet e fundit nga