LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Parashikohen falimente masive/ Cilët janë sektorët që do të preken më shumë

18 Korrik 2020, 06:17, Ekonomi CNA

Pandemia është këtu për të qëndruar gjatë. Sektorët që rrezikohen më shumë nga ndryshimi i sjelljes konsumatore dhe frenimit të shpenzimeve. Struktura e brishtë ekonomike paralajmëron ditë të vështira për të vegjlit, por edhe të mëdhenjtë. Pabarazia sociale në vend pritet të përkeqësohet. Sipërmarrjet po përshpejtojnë marrjen e masave për t?u përgatitur për valën e dytë të virusit, nëse do të ndodhë, duke rritur për muajin korrik investimet në teknologji. Të mëdhenjtë pritet të blejnë të vegjlit

Nga Dorina Azo

Në fund të qershorit, brenda një dite në Tiranë, 20 biznese familjare, si bare, restorante dhe kafene, mbyllën aktivitetin. Arsyet e mbylljes së punës ishin rënia e xhiros dhe mungesa e klientëve pas hapjes të strukturave të shërbimit më 18 maj, gati 3 muaj pas pezullimit të aktivitetit.

Henri Jahaj, përfaqësues i Shoqatës së Bareve, Restoranteve dhe Klubeve, e cilëson mbylljen e këtyre bizneseve familjare si fillim të krizës, ndërsa parashikon që deri në fund të korrikut të ketë falimentime masive. Shkak është rënia e xhiros. Arsyet që jep zoti Jahaj për rënien e ndjeshme të frekuentimit të restoranteve janë të shumta.

?Kriza sapo ka filluar dhe parashikojmë që deri në fund të muajit korrik, numri i bizneseve të mbyllura të jetë shumë i lartë, të ketë një mbyllje masive. Arsyeja është rënia e xhiros, mungesa e klientëve, për shkak të reduktimit të të ardhurave, por edhe frika për shëndetin.

Nëse dje, numri i të infektuarave me COVID-19 ishte 46 të prekur, xhiroja në restorant ishte relativisht e mirë, duke qenë se në ditët e nxehta njerëzit zgjedhin të shkojnë në plazh. Sot, sapo numri i të infektuarave u rrit dhe shkoi në 82 të prekur, në restorant nuk ka hyrë asnjë njeri. Një arsye tjetër e rënies të xhiros në restorante është edhe puna nga shtëpia.

Në shumë kompani, për shkak të pandemisë, punonjësit vazhdojnë të punojnë në distancë, por disa nga punonjësit e tyre konsumonin drekën jashtë ambienteve të zyrës. Aktualisht në restorante po konsumohen pica dhe produkte bazike. Po frekuentohen më shumë Fast-Food-et dhe janë rritur shërbimet delivery, pasi njerëzit ende kanë frikë të dalin nga shtëpia.?

Sipas të dhënave të INSTAT, në vend, në 2019, ka rreth 17 mijë bare e restorante (82% e të cilave janë bar-kafe), me më shumë se 50 mijë të punësuar, ose rreth 10% të të punësuarve në sektorin privat në total. Përfaqësuesi i Shoqatës të këtij shërbimi shprehet se, nëse do të ketë një valë të dytë dhe ekonomia do të mbyllet përsëri, kjo industri do të pësojë kolaps. ?Prandaj institucionet e shëndetit duhet të përcjellin mesazhe pozitive dhe inkurajuese dhe duhet të sqarojnë se nuk do të ketë një izolim të dytë të popullatës që edhe bizneset e bareve, restoranteve, klubeve dhe konsumatorët të jenë më të qetë.?

Tregtia me pakicë është sektori tjetër më i prekur. Në vend ka rreth 33 mijë sipërmarrje në këtë fushë, ose një e treta e bizneseve në vend. Me individët që nuk konsumojnë dhe konkurrencën e shtuar nga qendrat tregtare, mbijetesa e tyre do të jetë e vështirë.

Agjencitë e udhëtimit dhe ato turistike vuajnë ende mungesën e klientëve, pasi rezervimet për pushime thuajse janë pezulluar. Sipas shifrave të INSTAT, në vitin 2019 në vend numërohen 1,259 agjenci udhëtimi dhe operatorë turistikë, me rritje 7% krahasuar me 2018. Nga pandemia janë prekur më shumë bizneset e vogla të agjencive të udhëtimit, që pohojnë se janë në prag të mbylljes të aktivitetit.

?Nuk po ndodh asgjë, nuk ka asnjë telefonatë, asnjë kërkesë. Aktualisht, fluturimet lejohen vetëm për shtetasit me pasaportë europiane dhe leje qëndrimi, shtetasit shqiptarë nuk lëviznin dot. Shtetasit me pasaportë europianë po i presin biletat në agjencitë e fluturimit të kompanive. Agjencitë turistike nuk kanë fare pune, është për t?i vënë drynin.

Të presësh 1 biletë në muaj, nuk është punë. Kufijtë nuk janë hapur, njerëzit po kthehen mbrapsht nga aeroporti. Vetëm Greqia njoftoi zyrtarisht për hapjen e fluturimeve pas muajit korrik, ndërsa Turqia njoftoi se do të fillojë fluturimet me charter në korrik, por deri tani nuk ka nisur asnjë fluturim?, shprehen përfaqësues të një agjencie turistike në Tiranë.

NËNTË SEKTORËT MË TË GODITUR NGA PANDEMIA

 

?Monitor? u kërkoi ekspertëve që të rendisin sektorët që pritet të vuajnë më shumë nga ndryshimi i sjelljes konsumatorë dhe krizës së shkaktuar nga pandemia. Ata renditën 9 të tilla.

Turizmi

Përfaqësues të kompanive kryesore në vend dhe ekspertë ekonomie rendisin si sektorin më të goditur nga pandemia turizmin. Tre janë arsyet pse turizmi është më i godituri: mungesa e turistëve të huaj të cilët shpenzojnë më shumë se vendasit, mbyllja e kufijve tokësorë dhe fluturimeve, mbyllja e hoteleve, bareve dhe restoranteve gjatë karantinës.

Eksperti i ekonomisë, Sherefedin Shehu, vlerëson si sektorin më të prekur drejtpërdrejt turizmin për dy këndvështrime. ?Së pari, nga pesha specifike që zë në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Së dyti, për peshën që zë për numrin e të punësuarve, që sipas statistikave shkojnë nga 80 mijë deri në 100 mijë.

Sektori i turizmit është goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkak të mbylljes të shërbimeve, siç janë hotelet, restorantet, baret, kafenetë dhe ndërprerja e komunikimeve qoftë brenda vendit, por edhe me jashtë. Lidhur ngushtë me këtë industri janë prekur edhe shërbimet në funksion të turizmit, apo të lëvizjes së popullsisë, siç është transporti detar, i udhëtarëve dhe ai ajror. Është fakt që transporti ajror edhe tani po kryen vetëm udhëtime selektive, në vende të kufizuara, ende nuk kemi lëvizje për qëllime biznesi, apo turizmi?.

Ky sektor konsiderohet si më i prekuri nga pandemia edhe nga Maksim Caslli, përfaqësues i kompanisë ?Deloitte? për Shqipërinë dhe Kosovën, për shkak të rënies së të ardhurave, nga mungesa e turistëve të huaj. ?Sipas mendimit tim, një nga sektorët që do të preket më shumë për shkak të COVID-19, do të jetë turizmi dhe gjithë gama e shërbimeve mbështetëse lidhur me të. E kam fjalën këtu për hotelerinë, baret, restorantet, aktivitetet që lidhen me argëtimin në tërësi, agjencitë turistike, kompanitë ajrore për shkak të kufizimeve në transportin ajror ndërkombëtar.

Turistët vendas nuk mund të zëvendësojnë kontributin e turistëve të huaj në ekonomi. Ata që mund të vijnë nga Kosova dhe Maqedonia përbëjnë vetëm një pjesë të turistëve të huaj që vitet e fundit kanë filluar të vijnë në Shqipëri, duke ulur të ardhurat e pritura në këtë sektor nga turistët e vendeve të Europës Lindore. Turistët vendas nuk shpenzojnë në të njëjtat nivele me të huajt.?

Armand Mala, kontabilist dhe ekspert i legjislacionit tatimor, thotë se goditjen më të madhe, sektori i turizmit po e merr nga mungesa e turistëve të huaj, pasi 90% e hoteleve në vend punojnë me të huaj. ?Turizmi ndër vite ka qenë një ndër përparësitë e qeverisë për ta zhvilluar si industri, duke bërë promovime të vendit tonë tek të huajt. Për fat të keq, në një situatë të tillë, të huajt mbeten thjesht një fjalë e huaj, nuk janë asgjëkund.

Si rrjedhojë, është një nga sektorët e goditur më rëndë. Pavarësisht përpjekjeve për të nxitur ?turizmin patriotik?, nuk mendoj se vetë ne duke bërë pushimet tona në vendin tonë do të eklipsojmë mungesën e të huajve. Turistë vendas mund të ketë në numër, por besoj se shpenzimet e tyre do të jenë të reduktuara. Në rast se do të shkëpusim hotelerinë/akomodimin nga turizmi, situata është edhe më e keqe. Hoteleria punon në masën 90% me të huajt, e kur të huaj nuk ka, s?ka sesi të ketë hoteleri, ndërkohë kostot mbeten të larta.?

Edhe për administratorin e kompanisë ?Infosoft Systems?, Armand Sharra, sektori i turizmit konsiderohet si një ndër më të goditurit nga pandemia. ?Sektorit i turizmit ka pësuar një goditje të madhe për shkak të mungesës së turistëve të huaj dhe pasigurisë së turistëve vendas për të lëvizur dhe për të shpenzuar për pushime.?

Fasonët

Mungesa e porosive, rënia e kërkesës nga tregjet e huaja për shkak të mbylljes së panaireve dhe dyqaneve janë faktorët se pse sektori fason vlerësohet pas atij të turizmit më i godituri nga pandemia.

Sherefedin Shehu, ish-ministër i Financave dhe njohës i politikave buxhetore që janë ndërmarrë ndër vite për këtë sektor, shprehet se te fasonët, goditja nga COVID-19 u shkaktua nga mungesa e komunikimit dhe rënia e kërkesës nga tregjet e huaja, ku ata shesin produktet, sidomos në Itali, që është vendi kryesor që ushtron biznesin fason në Shqipëri.

?Duhet thënë se ky sektor ka marzh të ulët të ardhurash dhe fitimi dhe nuk ka kapacitete për të përballuar efektet e COVID-19?. Edhe zoti Sharra nga ?Infosoft Systems? jep si arsye të goditjes së sektorit fason nga COVID-19, mungesën e porosive nga jashtë dhe mosfunksionimit të tregjeve të këtyre vendeve ku ata marrin porositë.

Maksim Caslli i kompanisë ?Deloitte? parashikon se ndikimi i pandemisë te sektori fason do të tkurrë eksportet, veçanërisht te prodhimet e luksit. ?Eksportet lidhur me mallrat jo të domosdoshëm, veçanërisht kur flasim për strukturën e ekonomisë sonë besoj do të preken mjaft. Mendoj se në të gjithë botën, kërkesa për mallrat e luksit të prodhuara nga sektori fason do të bjerë.

Sipas të dhënave të INSTAT, që nga viti 2009, eksporti në vlerë i tekstileve dhe këpucëve shënoi rritje, përveç vitit 2019 kur u godit nga rënia e euros. Për tekstilet dhe artikujt e tjerë, vlera e eksportit në vitin 2019 ishte 61 miliardë lekë. Tendencë rritëse në eksporte, në këto 10 vite shënoi edhe sektori i këpucëve. Në vitin 2019, në këtë sektor vlera e eksportit ishte 56 miliardë lekë.

Karakteristikë e tij është varësia e lartë nga Italia, me 71% të totalit të eksporteve të tekstileve dhe 86% të këpucëve, që shkojnë drejt shtetit fqinj. Armand Mala, ekspert kontabël, këtë veçori të sektorit, e shikon si arsyen kryesore pse është goditur nga kriza e COVID-19. ?Fasoni është një sektor me shumë peshë në vendin tonë, me mijëra të punësuar. Pesha e sektorit te punësimi është mjaft e rëndësishme, sa qeveria pranoi të rrezikojë edhe gjatë pandemisë, duke i lejuar të punojnë.

Karakteristikë e industrisë është varësia e lartë nga Italia, ku pjesa më e madhe e eksporteve shkojnë drejt shtetit fqinj. Por të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë ndodhi në Itali, futja në karantinë e këtij shteti, anuloi qindra kontrata, me pasoja shkatërruese për fasoneritë në Shqipëri. E nëse mendojmë se përshtatja, për të qepur maska apo veshje mbrojtëse në vend të atyre çfarë kanë bërë gjithmonë, i shpëtoi nga e keqja, thjesht do të gënjejmë veten. Janë të ardhura minimale krahasuar me kostot që këto biznese kanë.?

Në vitin 2019 sipas shifrave të INSTAT, ishin aktive 125 ndërmarrje të përpunimit të tekstileve. Në krahasim me 2018, numri i tyre ka rënë 38%. Kompanitë fason të prodhimit të lëkurës në vitin 2019 ishin 266 ndërmarrje, duke shënuar rritje të lehtë në krahasim me 2018 kur vepronin 257 ndërmarrje.

Sektori retail

Për kompani të tjera, sektori retail, me përjashtim të shitjeve të ushqimeve, konsiderohet si më i goditur nga COVID-19. ?Është e dukshme që sektori më i prekur është retail, duke përjashtuar atë të produkteve ushqimore, të cilat kanë pasur rritje. Bizneset retail janë në numër të lartë?, pohon administratori i kompanisë ?Infosoft Systems?, Armand Sharra.

Të tjerë mendojnë se goditja e sektorit të biznesit retail do të ndikojë te konsumi i brendshëm. ?Një tjetër efekt i pritshëm i COVID-19, sipas mendimit tim, do të jetë dhe ulja e konsumit të brendshëm. Bizneset e lidhura me retail (shitje me pakicë/shumicë), prodhimet për konsum të brendshëm do të pësojnë goditje?, nënvizon Maksim Caslli.

Transporti

Sipas të dhënave të INSTAT, në sektorin e transportit për vitin 2018 ishin të punësuar rreth 13 mijë punonjës. Armand Mala parashikon se transporti i udhëtarëve do të mbetet në vështirësi financiare për një kohë të pacaktuar, për shkak të mungesës të fluturimeve dhe bllokimit të kufijve.

?Duke qenë se pothuajse gjithë vendet vendosën izolimin, si masë për t?u mbrojtur ndaj pandemisë, lëvizja e udhëtarëve u kufizua në minimum, transporti ajror ishte tërësisht i bllokuar, si rezultat i bllokimit të kufijve (përjashto riatdhesimet), ndërkohë nuk bënte ndonjë ndryshim madhor dhe transporti tokësor.

Këtu vlen të përmendet që kjo industri është me kosto fikse shumë të larta (mjafton të përmendim p.sh., amortizimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve, qofshin këto mjete fluturuese apo tokësore). Fluturimet e anuluara, rivlerësimi i herëpashershëm i hapjes/mbylljes së kufijve, bën që të mbetet në minimum dhe për një periudhë të pacaktuar?.

Sherefedin Shehu mendon se sektori i transportit, bashkë me sektorët e tjerë të prekur si shërbimet në tërësi dhe ato të tregtisë janë për shkak të uljes së konsumit dhe fuqisë blerëse të individëve, por edhe të pasigurisë që ka krijuar situata e pandemisë.

Ndërtimi

Pas COVID-19, shpenzimet e familjeve shqiptare për investime në apartamentet aktuale apo për blerje shtëpie parashikohen të tkurren.

Ndërsa administratori i kompanisë ?Infosoft systems?, mendon se gjatë pandemisë është frenuar progresi i projekteve të ndërtimit, për shkak të pamundësisë të lëvizjeve, Maksim Caslli i kompanisë ?Deloitte?, parashikon ecuri optimiste për sektorin e ndërtimit, për shkak të nisjes së projekteve të rindërtimit të shtëpive të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe investimeve publike.

?Pandemia pritet të sjellë pasoja edhe te sektori i ndërtimit, veçanërisht te segmenti familjar. Familjet pritet të shpenzojnë më pak, qoftë për investime në banesat në pronësi, qoftë në investime në banesa të reja. Por, nga ana tjetër, për shkak se jemi në një vit elektoral, priten investimet në infrastrukturë, si dhe investimet prej fondit të rindërtimit mund të kenë efekt pozitiv në këtë sektor.?

Bujqësia

Për nga pesha specifike, një sektor tjetër i goditur rëndë në vendin tonë, sipas Sherefedin Shehut është bujqësia. ?Këtë sektor do ta rendisja si të dytin më të prekur nga pandemia, pasi përbën 20% të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto), por me ndikim në gati gjysmën e popullsisë.

Rreth 48% e popullsisë jeton në zonat rurale dhe bazën e të ardhurave e ka nga prodhimet bujqësore. Për shkak të kufizimeve, të ndërprerjes së komunikimit, eksportet dhe konsumi kanë rënë.

Siç edhe e theksova për turizmin që më shumë është prekur për shkak të mbylljes, mungesës të lëvizjeve me jashtë dhe brenda vendit, natyrshëm edhe konsumi i produkteve bujqësore ka rënë ndjeshëm dhe do të vazhdojë rënien, sidomos gjatë stinës të verës, ku prodhimet bujqësore konsumohen masivisht nga sektori i turizmit.?

Tregtia e Automjeteve

Pasiguria që COVID-19 po shkakton për të ardhmen tek individët do të ndalë edhe shitjet e makinave të reja. ?Vitet e fundit, sektori i automobilizmit në Shqipëri (shitjet e automjeteve të reja) ishte në një trend pozitiv. Po bëheshim europianë në këtë drejtim. Gjithnjë e më shumë njerëzit po zgjedhin blerjen e një automjeti të ri, e nxitur edhe nga qeveria, nëpërmjet politikave fiskale (kujtojmë taksën në varësi të moshës së mjetit). Efekti i pandemisë, jo vetëm që do ta ndalojë këtë trend, por do ta shtyjë drejt zeros. Investimi për një automjet të ri mund të presë, aq më tepër në një situatë të paqartë për të ardhmen. Por, për fatin tonë të mirë, në këtë sektor në vendin tonë nuk ka shumë të punësuar?, sipas kontabilistit Armand Mala.

Marketingu

Kriza e COVID-19 do të prekë edhe sektorin e marketingut, vlerëson zoti Mala. ?Bizneset, në kushtet e rënies drastike të të ardhurave, situatës së pasigurt, kaosit psikologjik, logjikisht kanë tendencën të reduktojnë shpenzimet, dhe në këtë pikë shpenzimet e marketingut janë të parat që rishikohen?.

Një sektor tjetër ndër më të goditurit nga COVID-19, sipas zotit Caslli, është edhe prodhimi i naftës. ?Sektori i hidrokarbureve/naftës duket i stabilizuar për momentin krahasuar me dy muaj më parë, por si rezultat i rënies së kërkesës në tregun botëror, mund të bjerë çmimi i naftës. Nëse kjo do të ndodhë, ky sektor do të gjendet në vështirësi po të kemi parasysh kostot e larta të nxjerrjes dhe përpunimit të këtij produkti në vendin tonë.?

SEKTORI IT MBETET I PAPREKUR NGA COVID-19

Ndryshe paraqitet situata në sektorin IT (teknologjisë së informacionit) ku kompanitë janë aktive. Rënia e xhiros 10 deri 15% në periudhën e pandemisë, nuk ndikon te qëndrueshmëria dhe nuk e cenon vazhdimësinë e aktivitetit të tyre, sipas administratorit të kompanisë më të madhe të teknologjisë, ?Infosoft Systems?.

?As rënia e xhiros nuk përbën shqetësim për ruajtjen e pozicionit në treg dhe qëndrueshmërisë së kompanive. Shumë kompani me të cilat bashkëpunojmë konstatojmë se kjo periudhë ka vlejtur për ripozicionimin e tyre nga pikëpamja e kualifikimeve dhe objektivave për të ardhmen, pasi teknologjia zhvillohet me ritme të shpejta.

Nga njëra ana është ngarkesa e punës, por edhe nevoja për të ndryshuar, por një pause është pozitive për ridimensionimin e planeve dhe objektivave për të ardhmen. Rënia e vlerës së faturimit dhe të fitimit mund të konsiderohet si benefit për investime të brendshme të kompanive, për t?u përgatitur për një moment tjetër?, vlerëson Armand Sharra.

Rritja e kërkesës

Për sektorin IT (teknologjisë të informacionit), në pozicionin e ofrimit të shërbimeve në treg, pandemia ndikoi shumë te rritja e përdorimit të teknologjisë. ?Nëse më parë shpenzohej shumë kohë dhe energji për të edukuar klientët për rritjen e përdorimit të teknologjisë, bizneset e provuan vetë se pa teknologjinë nuk mund të vazhdojë aktiviteti. Në periudhën e izolimit, bizneset e provuan që mund të punonin në distancë dhe të kontrollin operacionet e aktivitetit të tyre.

Kjo tregoi gjithashtu, se tashmë bizneset janë më të përgatitura dhe më të vendosura për investimet në teknologji. Po ashtu të qenët të pranishëm sot në zyrë është shumë e kushtueshme. Përdorimi i teknologjisë shkurton kostot e operimit të transportit dhe mbetet e vetmja zgjidhje efektive dhe me më pak kosto për vazhdimin e aktivitetit?, thotë Armand Sharra nga ?Infosoft Systems?.

Aktualisht, sipas tij, është rritur kërkesa e biznesit për investime në teknologji. ?Rritja është 30 deri 40%, por nuk mund të bëhet një ndarje konkrete se sa është rritur kërkesa për shkak të pandemisë, apo sa është rritja nga riaktivizimi i kërkesave të mbetura pezull në 3 muajt e karantinës.

Pandemia i ka dhënë një zhvillim edhe zgjidhjeve për shërbime në cloud dhe gjatë kësaj periudhë u provua se, nëse kryhet transferimi në cloud, puna fillon menjëherë, nuk ka nevojë për investime, kontrata, porosi, pasi një investim në IT mund të zgjasë edhe 6 muaj. Zbatimi i këtij shërbimi po përafron shumë sjelljen e sektorit tonë privat me atë të vendeve të huaja?.

Pandemia nuk e shton rrezikun për sulme në internet

Falë teknologjisë, gjatë pandemisë, një numër i konsiderueshëm sipërmarrjesh punuan në distancë. Sipas studimit të Forumit Ekonomik Botëror, ku u anketuan 347 analistë, mbi një e treta e tyre e shihnin si shqetësim në rritje rrezikun për shfaqjen e sulmeve në internet, për shkak të mbingarkesës nga puna në distancë. Ndërsa 25% e tyre e shohin si pengesë për zhvillimin e sipërmarrjeve moszbatimin e automatizimit të shpejtë, veçanërisht për ato profesione që nuk lejohet puna në distancë.

Administratori i kompanisë ?Infosoft Systems? mendon se risku ka qenë dhe vazhdon të mbetet në të njëjtat nivele, pasi investimet për çështjet e sigurisë janë bazike. Zoti Sharra nuk parashikon që puna në distancë, për shkak të pandemisë, do të rrisë më shumë potencialet e rrezikut në këtë drejtim. ?Pra investimet në siguri nuk kanë qenë në nivele të larta te kompanitë dhe pandemia nuk e shton rrezikun për sulme. Investimet ?security? në IT janë në nivele bazike, nuk krahasohen as me investimet që kryejnë vendet e rajonit, pra niveli i rrezikut ka qenë i pranishëm edhe në periudhë normaliteti.

Përveç kësaj, sulmet në internet vijnë për disa arsye, si: politike, ekonomike. Mendoj se sipërmarrja vendase nuk përbën interes për ata që bëjnë sulme në teknologji. Në Shqipëri linjat e prodhimit nuk janë të automatizuara, si në rastin e një vendi të zhvilluar ku nëse sulmohet prodhimi farmaceutik, pasojat janë shumë të mëdha. Te ne ka më shumë kompani rishitje sesa prodhimi. Edhe ato kompani që prodhojnë, kanë një automatizim të mbyllur, nuk janë të ekspozuara në internet. Për këto arsye, për Shqipërinë shfaqja e sulmeve në internet nuk mund të konsiderohet si rrezik.?

PASOJAT E ANKTHIT SOCIAL

Përkundër përpjekjeve globale për të rrafshuar kurbën e infeksioneve, frika dhe shqetësimi për shpërthim tjetër pandemisë në muajin shtator është e pranishme në shumë shoqëri të botës.

Sherefedin Shehu beson se pabarazia sociale do të përkeqësohet nëse do të ketë një valë të dytë të virusit, ndërsa Armand Sharra thotë se shumë kompani po marrin masa, duke nxituar me investimet në sistemet e teknologjisë.

?Natyrisht që, edhe efektet e deritanishme për sa i përket fenomenit të pabarazisë kanë ndikuar negativisht dhe rikthimi i virusi mund të përkthehet rizgjatje të këtyre efekteve. Nëse efektet do të jenë më të rënda, pabarazia do të thellohet dhe do të krijojë premisa për krizë reale ekonomike. Fakti që në studimet e Bankës Botërore është përllogaritur rritja e varfërisë nga 40 deri në 60%, natyrisht që ky është një indikacion i qartë i thellimit të pabarazisë sociale. Do të thotë se rreth 40% e popullsisë do të jetë nën minimumin jetik, pra në nivelin minimal të varfërisë.

Gati gjysma e popullsisë do të jetë në kufijtë e mbijetesës. Edhe në këtë aspekt është mjaft e nevojshme të ketë programe, për mbështetjen sociale, pasi deri tani kjo mbështetje ka qenë selektive. Është lënë jashtë programit të mbështetjes pjesa informale në Shqipëri, tashmë e pranishme dhe e konfirmuar, ku sipas statistikave informaliteti arrin 40%. Ndërsa në zonat rurale nuk ka pasur asnjë program mbështetës, duke supozuar që ata kanë një burim jetese, por siç e referuam edhe më lart, ndikimin që ka dhënë pandemia në të gjithë zinxhirin ekonomik, më tepër ka prekur edhe bujqësinë?, shprehet zoti Shehu.

Sipërmarrjet kanë rritur në këtë periudhë kërkesën për investime në sistemet e teknologjisë. Zoti Sharra shpjegon se te rritja e kërkesës ka ndikuar frika për rikthimin e virusit, pasi 50% e bizneseve investimet në IT, i kryejnë në fund të vitit dhe jo gjatë verës.

?Përveç bizneseve në vështirësi financiare të cilat po vënë në dyshim ecurinë e mëtejshme të aktivitetit të tyre, të gjithë sipërmarrjet e tjera po përshpejtojnë të marrin masa për t?u përgatitur për valën tjetër, nëse do të ndodhë. Rritja e kërkesës për sistemin është në masën 30-40% dhe mendoj se nxitimi për investime është për shkak të rikthimit të një vale të dytë të COVID-19. Rreth 50% e kompanive, investimet për teknologji, zakonisht nxitojnë t?i bëjnë kur mbyllet viti fiskal. Nxitimi në muajt e verës për investime në teknologji, mund të jetë si rezultat i efektit të rikthimit të virusit, pra kompanitë kërkojnë të jenë të përgatitura, pavarësisht se çfarë ndodh?.

BLERJA E BIZNESEVE TË VOGLA NGA TË MËDHENJTË

Për shkak të situatës të krijuar nga pandemia, drejtuesi i kompanisë ?Deloitte? për Shqipërinë dhe Kosovën, Maksim Caslli parashikon të ndodhë që kompanitë e mëdha, të blejnë kompanitë e vogla në vështirësi financiare. ?Nuk është në ?instinktet? e bizneseve shqiptare, por është domosdoshmëri.

Ndjenja e bashkëpunimit te bizneset është e ulët, tentohet të bëhet çdo gjë vetë. Sektorë të ndryshëm do të kërkojnë konsolidim dhe bashkëpunimi rrit eficencën ekonomike. Nëse jemi pro kapitalizmit, kompanitë duhet të krijojnë kapitale të mëdha, të bashkohen që të ketë mundësi investimi në projekte të mëdha që kërkojnë kapitale të mëdha dhe sjellin avantazhin e ekonomisë së shkallës.?

Sherefedin Shehu mendon se blerja mund të ndodhë në mënyrë rastësore për dy arsye, për shkak të mungesës së standardeve që njihen në shkencën e ekonomisë për zhvillimin e biznesit dhe nxitjes së copëzimit të sipërmarrjeve nga politikat fiskale.

?Në këto 6 vitet e fundit janë krijuar fasha të favoreve dhe përjashtimeve tatimore dhe po paralajmërohen favore dhe përjashtime të tjera tatimore, të cilat nuk nxisin konsolidimin. Kjo do të jetë goditje e madhe për biznesin, sepse aktualisht, bizneset e vogla nuk janë të motivuara të vazhdojnë ciklin e konsolidimit dhe rritjes, por më shumë janë të interesuara të gjejnë format e copëzimit. Pra të krijojnë miniprofile brenda fushës së biznesit.

Në Shqipëri nuk funksionon tregu i kapitaleve, që të ndodhin fenomenet e thithjes dhe bashkimeve. Mënyra e të bërit biznes në Shqipëri është ende artizanale. Edhe politikat fiskale që zbatohen nuk ndihmojnë në konsolidimin e biznesit.

Sipërmarrjet kanë shkallë të lartë informaliteti dhe po të flasim për shkrirje transaksionesh kjo është e pamundur. Më shumë mund të ndodhë fenomeni i thithjes, dhe kjo nuk konsiderohet negative për ekonominë, por si një zhvillim pozitiv, pasi bizneset e mëdha janë më të organizuara, kanë më tepër rendiment dhe eficencë më të lartë ekonomike?./ Monitor

Lajmet e fundit nga