web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Injorimi i kritikave dhe faktorëve opozitarë/ Basha drejt katastrofës

10 Maj 2020, 09:34, Politikë CNA

Lulzim Basha përpiqet shpesh që të jetë mohues, të jetë injorues e të mos vlerësojë faktorë të fortë të opozitarizmit.

Këtë e bëri edhe dje. Ndërkohë që ishte lajmëruar disa javë më parë një protestë në ditën e fitores mbi Fashizmit dhe ditën e Europës, kishte pasur një procedurë të dërguar në polici për leje, gjithashtu mediat e kishin raportuar, Lulzim Basha zgjodhi pikërisht të njejtën orë që ishte protesta të dalë në një konferencë shtypi.

Zakonisht Luli del gjithmonë pas orës 12. Në konferencë dje doli pikërisht në orën 11, 11 e pak minuta, në momentin kur zhvillohej protesta. E pyetur nga gazetarja e Fax News, Lulzim Basha tha se nuk qe në dijeni të protestës. Pra, kemi një kryetar opozite në karrige, i cili nuk di se disa faktorë opozitarë, ku përfshiheshin edhe njerëzit e rezistencës ndaj Teatrit Kombëtar, kishin dalë në një protestë në ditën e Europës. Lulzim Basha ndoshta është i vetmi kryetar i një partie në botë që nuk di se faktorë të tjerë opozitarë janë në protesta dhe janë rrugëve.

Ndoshta kërkon që me fasadë, me injorim dhe duke bërë rolin e të paditurit të tregojë se ata nuk vlejnë, se opozita e vetme është ai, se pazaret me Edi Ramën i bën ai dhe vetëm ai, zgjedhjen ndaj qeverisë e vendos ai dhe vetëm ai, se gjithçka kalon nëpërmjet tij, që nga skandalet që shkojnë në SHBA me financime nga ofshorë rusë, deri tek faktorët të cilët e kanë detyruar rastësisht në të paktën 4 ngjarje të ketë lidhje të forta me rusët.

Lulzim Basha dje bëri indiferentin dhe tentoi të injoronte një faktor të rëndësishëm opozitar, një nga më të fortët në rrjetet sociale, por edhe të mbështetur nga shumë faktorë të djathtë. Altin Goxhaj dhe një grup të rinjsh, pjesë e një aktiviteti të fortë edhe në mbrojtje të Teatrit, edhe në aksione kundër qeverisë dolën protestuan dhe Luli nuk dinte asgjë sepse ata nuk i kishin marrë leje Lulit.

Kështu ndodh me Lulzim Bashën, injoron faktorë të rëndësishëm të protestës opozitare, injoron kritikët brenda partisë, injoron mediat që thonë faktet dhe të vërtetat e tij brenda PD-së. I injoron, i sulmon, i akuzon dhe në fund shkon në zgjedhje dhe dështon. Kështu ndodhi me Lulzim Bashën në zgjedhjet e 2017-ës. I injoroi, nuk foli, nuk reagoi për senatorët, për elitën e PD-së që hoqi nga lista, e kaloi me një fjalë “nuk është e thënë të jesh përjetësisht deputet”. Dhe ata i zëvendësoi me një tufë budallenjsh, të paaftësh dhe injorantësh, të cilëve i dha mandatin e deputetit dhe e shikoni gjendjen e Parlamentit sot për të kuptuar kush ishte lista e Lulzim Bashës.

Kështu bëri, pra injoroi edhe shumë media të forta të zërit opozitar të së djathtës, të cilat e kritikuan ashpër, i nxorrën fakte dhe argumenta. Lulzim Basha sërish i injoroi. Më pas filloi të thonte se ata ishin paguar nga Edi Rama, ishin bashkëpunëtorë të tij dhe në këtë situatë është edhe sot. Injoron faktorë opozitarë, kritikët e tij, mediat që i thonë faktet në sy dhe këtë e bën me qëllimin e vetëm për të treguar se vetëm ky është një faktor i rëndësishëm, ndërsa të tjerët nuk vlejnë.

Por në fakt, mesa duket ata vlejnë më shumë se vetë Lulzim Basha dhe në qoftë se Luli me logon e tij mund të marrë 450 mijë vota, reagimet e kritikëve, heqja nga lista e senatorëve dhe përplasjet me mediat kritike brenda së djathtës, i shkaktuan një dëm të paktën 200 mijë vota në zgjedhjet e 2017-ës, pasi rreth 200 mijë demokratë mendonin njësoj si faktorë të tjerë opozitarë, si kritikët e Lulzim Bashës, e kështu me radhë.

E nëse Basha do të dilte i vetëm të garonte njëherë nuk do të merrte asnjë votë, ndërsa me siglën e PD-së regjistroi një katastrofë minus 200 mijë vota, të cilën kërkon ta rikuperojë duke mbajtur LSI-në dhe disa parti pazarxhije që kanë qenë pjesë mbështetëse thelbësore për ardhjen e Rilindjes në pushtet. Dhe sot Lulzim Basha vazhdon në të njejtën rugë. Dje e përsëriti sërish, injoroi një faktor opozitar, i cili nuk është pa veshë, qoftë edhe me 5 vota ka më shumë aksione se Basha, pa folur këtu edhe për aktorë të tjerë opozitarë qoftë edhe nisma Thurje e hajdutit Besjan Pesha apo emra të tjerë të Shoqërisë Civile, të cilët janë kritikë apo oponentë të qeverisë, të cilët nuk bashkohen me Lulzim Bashën pasi e shohin si një palaço të kryeministrit në krye të opozitës.

Kështu bën Luli gjithmonë, i mohon, injoron dhe pastaj regjistron katastrofën e radhës dhe me rrugën që ka nisur duket se përsëritjen e saj e ka të pashmangshme. Me shpresën  se Edi Rama do t’i lërë pushtetin në tavolinë dhe se zgjedhjet e ardhshme ai i ka të fituara me kutitë bosh, duket se Lulzim Basha i ka bërë keq llogaritë sërish duke mos u marrë me Edi Ramën, duke mos bashkuar opozitën, duke mos u bërë gati me një opozitë, me një strukturë politike për të fituar zgjedhjet, por duke bërë luftë brenda llojit.

E kështu e ka bërë edhe para 4 vitesh e po e bën edhe tani dhe gjithçka duket se po i shkon keq e më keq. Sot një vit para zgjedhjeve, opozita nuk duhet të diskutonte fitoren, por duhet të fliste a do të kishte një mazhorancë kushtetuese, ndërsa shumë faktorë edhe zëra të rëndësishëm brenda opozitës nuk japin garanci se me Lulzim Bashën mund të fitohen zgjedhjet e ardhshme.

Kjo sepse Luli nuk e ka mendjen te opozitarizmi, nuk e ka mendjen tek faktorët e opozitës, nuk e ka mendjen të bashkojë të djathtët, nuk e ka mendjen ta mbështesë protestën, por mendja e tij rri në një vend, si e si të bëjë pazarin e radhës për të thithur milionat nga kryeministri Rama, ashtu siç bëri me pallatin e vjehrrit në Vlorë, ashtu siç bëri edhe me trajtimin e PD-së si një forcë gjobaxhinjsh me shembullin e padiskutueshëm që janë vilat dhe denoncimet për ooligarkun Agron Papuli.

Ky pra është Lulzim Basha, ai që ka shpallur fitoren për zgjedhjet e ardhshme, por që kutitë i ka bosh dhe në vend që të merret me Edi Ramën injoron publikisht faktorët opozitarë, por nga ana tjetër i lufton ata në mënyrë të ashpër. Mesa duket, lufta brenda llojit ka për ta çuar sërish në një katastrofë elektorale Lulin bashkë me kunatin e tij dhe servilët që ka nga pas./ CNA.al





Lajmet e fundit nga