LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Malltezi ngre alarmin/ "Në Lalëz po ndërtohen pontile me gurë, rrezikohet dëmtimi i plazhit"

4 Maj 2020, 14:40, Denoncim CNA

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi, ka bërë një denoncim të fortë ditën e sotme.

Në një postim në rrjetet sociale, Malttezi ngre alarmin se po bëhen pontile me gurë në Lalëz pa pasur asnjë studim paraprak, asnjë proces Vlerësimi për Ndikimin në Mjedis dhe asnjë dëgjesë publike siç i kërkon ligji.

Demokrati pyet ministrin e Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosin, se kush po e dëmton bregun në Lalëz dhe i kërkon të bëjë punën e tij siç duhet.

“Sa hidhesh degë më degë për t’i bërë tualetin një qeverisjeje hajdutësh bëj punën që e ke me detyrim, ndalo veprimtarinë e jashtëligjshme dhe kërko që të bëhen studime të detajuara para se të dëmtohet mjedisi. Ka profesorë të nderuar (nga Agim Selenica, Fatos Hoxha, etj.) që mund të ndihmojnë për dinamikat dhe modelimin e zonave detare, për sedimentologjinë dhe erozionin e lidhur me pontilet dhe të sugjerojnë zgjidhje në rast se duhen pontile. Por jo të dëmtosh vijën bregdetare dhe të fusësh kokën në rërë si struci. Kërko studime dhe proces të rregullt VNM se për këtë paguhesh, të mbrosh mjedisin që nuk ka gojë të mbrohet vetë.

Plazhet janë formuar përgjatë miliona viteve nga sedimentet e depozituara, ndaj vija bregdetare natyrore është e drejtë, pasi ka edhe erozion bregdetar nga veprimi i dallgëve, por edhe mbushje me sedimente që vijnë nga lumenjtë dhe këto sedimente kanë krijuar plazhe të bollshme në bregdetin ranor të Detit Adriatik që ka plot lumenj. Por vendosja e pontileve të pandërprera në bregdet dhunon proceset natyrore, nga njëra anë e pontilit (ajo më pranë lumit) krijon mbathje, pra sedimentet zgjerohen, por nga ana tjetër, kemi edhe veprim gërryes të dallgës. Pra, njëkohëisht, me pontilet kemi në njërën anë mbathje me sedimente (zgjerim të brezit ranor) por fill nga ana tjetër kemi erozion të detit. Ndërhyrjet e këtilla nuk janë natyrale dhe rrezikojnë edhe vilat edhe cilësinë e ujit të detit”, shkruan ai.

Malltezi thekson se deri tani vija bregdetare e plazheve në Gjirin e Lalzit ka qenë shumë e pastër, natyrore dhe me plazhe ranore të gjera me mbi 120 metra gjerësi nga sedimentet e depozituara prej mijëra vitesh nga Lumi i Erzenit, por sipas tij tashmë po ndërtohet një pontil me materiale të pakalueshme.

“Kohët e fundit në mënyrë të fshehtë, pa asnjë studim të mirëfilltë për dinamikat detare, proceset bregdetare apo modelim të sjelljes se batimetrisë dhe pengesave të pakalueshme, në plazhin e Gjirit të Lalzit po ndërtohet pontil me materiale të pakalueshme gjë e cila rrezikon të dëmtojë plazhin (krijon sedimentim në pjesën jugore dhe erosion në pjesën veriore të pontilit, por edhe dëmton cilesinë e ujit të detit ngaqë nuk lejohet qarkullimi i lirë i ujit).

Zgjidhja alla-Shqiptarçe tek Mali i Robit ka qenë duke ndërtuar pontil pas pontili me material të pakalueshëm por problemi transferohet nga një zonë në tjetrën që vijon. Pra, pas ndërtimit të pontilit të parë (zgjerimit të rërës nga njëra anë) dhe krijimit të erozionin nga ana tjetër, ata që banojnë më pas dhe shohin sesi po i vjen deti (po ndodh erozioni) në vend që të heqin pontilin e parë që solli problemin, e vijojnë zgjidhjen ?alla Shqiptarce? duke ndërtuar edhe këta një pontil tjetër. Kjo bën që të kemi vërtetë mbathje me sedimente, pra zgjerim brezi ranor, por ndërkohë kanë cënuar cilësinë e ujit të detit pasi nuk qarkullon dhe kthehet në ujë të ndenjur. Po ta shikojmë, edhe me sy të lirë nga fotografime nga ajri duket qartë kjo dukuri, që deti duket si gjol.

Duhet ndalur baterdia me pontile të pandërprera në Lalëz. Ka zgjidhje të pranueshme nëse ka një proces të ndershëm. Pontilet mund të jenë me këmbë (pilota) që mos ndërpresin qarkullimin e ujit, ose variante të tjera që kanë ndikim të ulët në mjedis. Mund të diskutohen zgjidhje të pranueshme por jo të bëhet fakt dëmi në mjedis pa asnjë proces Vlerësimi Ndikimi në Mjedis dhe pa asnjë dëgjesë me palët e interesuara pasi këto janë detyrime ligjore dhe jo dëshira të ndokujt”, përfundon demokrati./ CNA.al

Lajmet e fundit nga