web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kaosi i yjeve në hotelet shqiptare/ Si ndahet tregu, 100 milionë euro

14 Korrik 2019, 06:34, Aktualitet CNA

Rritja me 300% e numrit të turistëve të huaj që vizituan Shqipërinë në dekadën e fundit i bën atraktive investimet në hotele, por për shkak të rrethanave të tregut aktualisht, kthimi i investimeve në shërbimet e akomodimit mbetet një sfidë. Destabiliteti politik, mungesa e standardizimit dhe informaliteti i lartë, po e pengojnë industrinë e hotelerisë të ndajë fitimet që i takojnë. Për këtë arsye, hotelet luksoze shqiptare në Tiranë shesin të paktën 30% më lirë se në rajon dhe 60% më lirë se në Europë, teksa kapacitetet akomoduese shfrytëzohen përgjysmë dhe në rastin më të mirë 70%. Në hijen e këtyre zhvillimeve, tregu i hotelerisë në Tiranë ka hyrë në një fazë të vrullshme zhvillimi dhe emra ndërkombëtare.

Kaosi i yjeve
Investimet në shërbimet e akomodimit të luksit në Tiranë me katër dhe pesë yje nuk ta kthejnë mundin për shkak të informalitetit të lartë, mungesës së standardeve dhe së fundmi?

Pas hyrjes në treg të Plaza Tirana në vitin 2016 me pesë yje, vitin e kaluar nisi ofrimin e shërbimit grupi Hilton, nëpërmjet linjës Garden Inn me katër yje, kurse Mak Albania (ish-Sheraton), ka nënshkruar tashmë një kontratë menaxhimi me markën ndërkombëtare të hotelerisë së luksit Hyatt, në nivelin e pesë yjeve. Kulla e re tek stadiumi Dinamo pritet të operohet nga Marriott sipas një marrëveshje të nënshkruar me kompaninë Albstar.

Gjithashtu Hotel Tirana, brenda një periudhë 6-vjeçare, do të operojë hotelin e ri me 5 yje, i cili tani është në fazën e ndërtimit. Gjatë pesë viteve në vijim, kapacitetet akomoduese në hotelet me pesë yje do të dyfishohen. Ndërkohë, në sfond të investimeve të mëdha, informaliteti është duke lulëzuar në hostele brenda pallateve dhe që shiten në booking dhe Expedia si hotele me standard.

Behar Male, një nga aksionerët kryesorë të Plaza Tirana, tha se, Shqipëria është para një perspektive pozitive nga prurjet turistike, por tregu duhet të rregullohet në aspekt të standardit. Ofrimi i shërbimeve në akomodimin e luksit duhet të funksionojë sipas standardeve ndërkombëtare të yjeve. Kjo do të ndihmonte që imazhi i vendit të mos cenohej dhe tregu të rregullohej nga informaliteti, tha zoti Male. Ai nuk e sheh si shqetësim zgjerimin e tregut me operatorë të rinj dhe sidomos me marka të njohura ndërkombëtare, pasi ato ndihmojnë që tregu të përmirësohet në drejtim të standardeve dhe kjo do të ishte një shtysë për rritje të mëtejshme të vizitorëve.

Të njëjtat pikëpamje ndan pak a shumë edhe aksioneri i Hotel Tirana, Ramë Geci, i cili tha se linja e shërbimeve të hotelerisë në grupin Geci ka pasur ecuri të qëndrueshme për sa u përket të ardhurave. Geci, i cili po investon në linjë me pesë yje në emrin e Hotel Tiranës, thotë se, numri i vizitorëve në Tiranë po rritet me ritme të shpejta. Shumë prej tyre kërkojnë akomodim me pesë yje, tha ai. Geci pohon se, investimi në hotel nuk ka kthim të shpejtë, por më shumë qëndrueshmëri dhe vlerë më të shtuar për ekonominë.

Hotelet në Shqipëri, 60% më lirë se Europa, 30% më lirë se rajoni

Në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, akomodimi i një personi për një natë, në një hotel me katër yje, kushton 80-95 euro aktualisht, ndërsa në qytetet turistike të Budvës dhe Kotorrit një natë, në një hotel me katër yje kushton 110 ? 150 euro, sipas çmimeve në agjencinë e shitjeve online Booking.com. Në Vjenë, një natë kushton nga 140 euro deri në 200 euro në standardin me katër yje. Në Tiranë, aktualisht në hotelet me katër yje, një natë kushton 70-80 euro, ndërsa në hotelet me 5 yje, nga 90-140 euro/nata.

Operatorët kryesorë të tregut në Tiranë pohojnë se kjo situatë vjen për shkak të mungesës së standardizimit. Njësitë hoteliere i kanë vënë yjet sipas qejfit, pa marrë në konsideratë kushtet që nënkuptojnë yjet. Këto njësi shesin me çmime të lira në agjencitë online, duke ulur artificialisht vlerën e shitjes për njësitë serioze që ofrojnë në të vërtetë standardin me yje. Shitja e dhomave poshtë standardit që ofrojnë i ka bërë investimet në hoteleri jo eficiente.

Të gjitha qeveritë, ndër vite, teorikisht janë angazhuar të vendosin yjet në hotelet shqiptare sipas standardeve ndërkombëtare, por duke qenë se shumica e njësive akomoduese nuk i përmbushin standardet, qeveritë janë treguar të brishta të bëjnë reformën. Për shkak të informalitetit të lartë dhe rrëmujës së yjeve, hotelet e luksit në Tiranë shesin shpesh në fashën e tre yjeve. Çmimet e ulëta të shitjes dhe interesat e larta të kredive në banka i bëjnë jofisbël investimet në Tiranë.

Menaxherët e tregut pohojnë se investimet në hotelerinë e luksit do të kenë mbi kapacitete dhe do të shtrembërojnë konkurrencën nëse Investimet e Huaja Direkte nuk ecin me të njëjtin ritëm. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet që strehojnë menaxherët. Vërehet se është rritur kërkesa për grupet e turizmit. Tirana është tashmë pjesë e tureve ballkanike të shumë agjencive globale, ndërkohë që pasiguria në Turqi po sjell një ofertë turistike në rritje, nga e cila mund të përfitojnë edhe hotelet luksoze të Tiranës.

Hotelet e luksit, gara e vështirë për 21 milionë euro

Në vitin 2017, të katër hotelet e mëdha në kryeqytet, The Plaza, Hotel Rogner, Mak Albania dhe Hotel Tirana, realizon të ardhura nga shitjet në rreth 2,6 miliardë lekë (21 mln euro) sipas të dhënave nga bilancet që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat më të larta i realizoi The Plaza, e cila deklaroi xhiro vjetore në bilanc në nivelin e 753 milionë lekëve gjatë vitit 2017.

Të ardhurat e kompanisë u rritën me 153% në krahasim me vitin 2016. Rritja e lartë nuk është e krahasueshme për shkak se The Plaza e nisi aktivitetin nga fundi i vitit 2016. Burimet nga kompania pohuan se të ardhurat ishin në nivele të ngjashme edhe në vitin 2018. Ajo fillimisht u nis për të funksionuar si një qendër biznesi, por drejtimi ndryshoi rrugës kur investimi po bëhej. Me 190 dhoma dhe suita të shpërndara në 23 katet e godinës, Hotel Plaza e ka rritur ofertën për shërbime luksi me 30% në vitin 2016.

Gjithashtu Mak Albania (ish-Sheraton) realizoi të ardhura në nivelin e 527 milionë lekëve në vitin 2017, me një rritje 16% se në vitin 2016. Marka Sheraton u largua nga Shqipëria vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2017. Në fillim të 2018-s, aktiviteti i hotelit u ble nga grupi Kastrati, të cilët kanë kontraktuar për menaxhimin e tij markën ndërkombëtare të hotelerisë Hyatt. Burimet nga kompania pohuan se aktualisht, godina është një proces investimesh për të plotësuar standardet që kërkon Hyatt.

Golden Eagle, që operon në Tiranë si hotel Rogner, raportoi 642,6 milionë lekë të ardhura në vitin 2017, me një rritje 7.6% të ardhurash në raport me vitin 2016. Ndërsa hotel Tirana, sipas burimeve nga kompania, realizoi një xhiro vjetore rreth 6 milionë euro, me një rritje vjetore rreth 5%.

Gjatë vitit 2018, oferta për shërbime hotelerie luksi në Tiranë u rrit me 20% pas hyrjes në treg të Hotel Hilton me 141 dhomat e saj. Aktualisht, të 5 hotelet e luksit në Tiranë ofrojnë 780 dhoma. Në periudhë afatmesme, tregu do të zgjerohet me ritme edhe më të shpejta se sa kërkesa për shërbimet e luksit.

Destabiliteti politik ul me 10% rezervimet

Situata politike jo stabël dhe zgjedhjet lokale e kanë ndikuar negativisht industrinë e hoteleve në Tiranë këtë vit. Menaxherët e hoteleve kryesore në Tiranë pohuan se rezervimet këtë vit janë ulur të paktën me 10%, për shkak të ngjarjeve të brendshme, me protesta të dhunshme. Reagimi i policisë me gaz lotsjellës në disa raste u ka krijuar probleme bujtësve në disa hotele në Tiranë.

Shqipëria është një vend në zhvillim dhe e fundit në Europë, ende e paeksploruar. Potencialet për thithjen e turistëve të huaj janë të mëdha, por ngjarjet e dhunshme prej mungesës së stabilitetit politik po i krijojnë minus të madh imazhit të vendit, i cili kishte nisur të përmirësohej vitet e fundit prej vlerësimeve me superlativa të mediave ndërkombëtare. Në fund të vitit 2018 dhe këtë vit, opozita ka zhvilluar 9 protesta të mëdha në Tiranë, shumica e të cilave kanë pasur konfrontime me policinë ku është përdorur gazi lotsjellës pa kriter, duke krijuar dëme edhe te njerëzit e zakonshëm që ndodheshin në hotelet në qendër të Tiranës.

Mungesa e standardeve bën kaos në treg

Shërbimi i hotelerisë është padyshim një nga më informalët në vend. Me gjithë aksionet në terren dhe strategjitë antiinformalitet, vijon të mbetet e tillë. Tirana është plot me hotele brenda pallateve që jo vetëm nuk janë të regjistruara, por kanë guxuar të vënë edhe yje. Për Ramë Gecin, aksioneri i vetëm i Hotel Tirana, kjo është shqetësuese.

Kjo gjë prish tregun dhe krijon një emër të keq për shërbimet. Duke shfrytëzuar rezervimet online, këto struktura akomodimi joshin shumë nga klientët e huaj, të cilët pasi i provojnë, ikin të tmerruar nga Shqipëria, duke lënë një shije të hidhur pas dhe duke dëmtuar në këtë mënyrë edhe operatorët seriozë të fushës.

Menaxherët e hoteleve të mëdha kërkojnë që qeveria të vendosë standardet e yjëzimit në mënyrë që klientët të jenë të qartë për ata që zgjedhin. Është absurde, sipas tyre, që në mes të Tiranës, brenda një pallati, të përdoren dy-tre kate për hotel dhe të vihen tre-katër yje.

Lehtësi për 5 yjet, rrezikojnë mbiinvestime

Nisma e qeverisë për të nxitur investimet në ndërtimin e hoteleve me 5 yje, ndonëse e pasqaruar mirë, po rrezikon të krijojë një mbiofertë në shërbimet për akomodim luksoz, në paradoks me kërkesën pushuesve të huaj që parapëlqejnë shërbime me 3 yje. Ndryshimet në ligjin për turizmin në muajin dhjetor (ligji nr. 114/2017) përcaktojnë se përjashtimin nga taksat TVSH dhe Tatim-Fitimin për dhjetë vitet e para të aktivitetit e përfitojnë strukturat akomoduese me 4-5 yje dhe që duhet të investojnë të paktën 8 milionë euro për standardin me 4 yje dhe 15 milionë euro për standardin me 5 yje. Ligji 114/2017 thotë gjithashtu se përfitues janë hotelet me 4-5 yje që kanë status special. Statusi special përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special?.

Orientimi ?qorrazi? i investimeve në hotelet luksoze, përveçse nuk po shoqërohet me infrastrukturën mbështetëse, rrezikon të deformojë konkurrencën në treg, për shkak se hotelet ekzistuese nuk përfitojnë dhe t?i bëjë joeficiente investimet në të ardhmen. Sipas statistikave zyrtare, numri i turistëve të huaj që vizituan vendin për qëllime pushimi gjatë viteve 2008 me 2018 është rritur me 300%. Në vitin 2018 vendin e vizituan rreth 5,9 milionë turistë me një rritje 16% në raport me një vit më parë.

Gjithashtu, numri i të huajve që e vizituan Shqipërinë për punë dhe biznes ishte i lartë, me një rritje prej 27% në raport me vitin 2017.

Hotelet, tregu zyrtar 100 milionë euro

Sipas të dhënave të INSTAT, sektori i akomodimit realizoi 13.3 miliardë lekë shitje në vitin 2017, ose rreth 100 milionë euro me kursin e këmbimit të kohës. Të ardhurat nga shitjet të sektorit të akomodimit janë trefishuar nga viti 2010, ku me të dhëna zyrtare, sektori akomodimit xhiroi 4.2 miliardë lekë për të arritur në 13.3 miliardë lekë në fund të vitit 2017. Në 7 vitet e fundit, sektori i akomodimit në vend ka rritur të ardhurat në nivele dyshifrore, kurse në vitin 2017 ato u rritën me 56.8%.

Numri i punonjësve në sektor është dyshuar gjatë 7 viteve. Sipas INSTAT, në vitin 2017, numëroheshin 7813 punonjës në sektorin e hotelerisë në të gjithë vendin, nga 3180 të tillë në vitin 2010. Gjithashtu, numri i bizneseve që operojnë në treg si hotele është zgjeruar. Në vitin 2017, në qendrën kombëtare të biznesit, ishin të regjistruara 1286 njësi hoteliere nga 736 të tilla në vitin 2010.

Në vitin 2017, fitimet e të gjithë sektorit ishin 825 milionë lekë pas një humbje prej 218 milionë lekësh të raportuar në vitin 2016. Sipas të dhënave zyrtare, investimet në sektorin e akomodimit ishin 12 miliardë lekë nga viti 2010-2017. Duke marrë në konsideratë fitimet e sektorit më 2017, kthimi i investimeve në dhjetë vitet e fundit do të kryhet për një periudhë jo më pak se 15-vjeçare./Monitor





Lajmet e fundit nga