LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Agron Gjekmarkaj/ Lulzim Basha çfarë pret?!

5 Korrik 2018, 21:56, Aktualitet CNA
Nga Agron Gjekmarkaj/ Lulzim Basha çfarë pret?!

Edi Rama, si zaptuesi më i madh i hapësirës publike të vendimmarrjes dhe asaj mediatike, ngjan gjithnjë e më tepër me Ayatollah Khomeinin. Ai po e shndërron në fe të pakundërshtueshme ?Rilindjen? e tij. Në të ngrysurin realitetin tonë, vendos mbi tokën dhe qiellin, mbi historinë dhe të ardhmen, mbi pronën publike dhe biznesin privat në mënyrë krejt totalitare. Dy herë Kryeministër, i zgjedhur në mënyrë demokratike e paskësh të pamundur të bashkëjetojë me këtë logjikë. Pas daljes së Gruevskit nga skena, ngjan i vetmuar në deliret ballkanike të pushtetit, ku zyrën e vet e sheh si kërthizë të botës, paçka se bota as e llogarit ekzistencën e tij. Këtë pavëmendje e merr si sinjal për të sunduar, një soj Guliveri në mbretërinë e liliputëve.

I mbarsur me gjithfarë lloj kompleksesh, frikërash, shtrëngimesh, ambiciesh, të gjitha këto, bija të botës së frustuar shqiptare nga historia, që te xhahilllëku gjen shëlbimin e vet, e ka tkurrur palcën e demokracisë, duke i dhënë asaj formën e një karakatine pa shpirt e përmbajtje. Demagog i një cilësie të lartë, propagandist i të njëjtit nivel, themelues i shkollës së mediokritetit në politikë, si shtresë që të ndjek pa sy e veshë, Edi Rama po bën testimet e fundit para kalimit zyrtar në despotizëm. Në këtë pikë të fundit, Lulzim Basha shfaqet si adhurues i tij (i mediokritetit). Sot, në vend, nuk ekziston më sistemi i drejtësisë. Gjithë sa ka mbetur prej tij kontrollohet nga Kryeministri. Gjykatat themelore janë shkrirë. Duke luajtur mjeshtërisht me nevojën për Reformë në Drejtësi, ai ka ekspozuar nevojën e tij organike për pushtet absolut. Në vend nuk ka mbetur më asnjë institucion i pavarur pas rënies së gjykatave, kapjes së SHISH-it dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Shndërrimin e Republikës në shtet të narkotrafikut e ka përballuar me një arrogancë të paskrupullt. Me cinizëm sfidues, mori nën sqetull pupilin e tij të telendisur, Saimir Tahirin, arkitektin e rilindjes urbane të hashashit, paçka se Europa i thotë jepja drejtësisë. Po cilës drejtësi? Ajo po zhbëhet si e korruptuar dhe është e tillë për t?u korruptuar ende më rëndë nga politika e qeverisë dhe shefit të saj. Zëvendësuesi i Tahirit, Fatmir Xhafaj, është i rrethuar me të tjera ndodhi po kaq të kobshme dhe Kryeministri nuk pyet për kornizën etike të shoqërisë, as të demokracisë. Shqipëria mbeti jashtë dyerve të Europës në procesin e hapjes së negociataveM pikërisht për shembjen e standardeve, keqqeverisjen e Ramës, korrupsionin, drogën dhe shkretëtirën demografike që ka pllakosur vendin. Asnjë Kryeministër nuk ia ka dalë të ketë sukses sa Edi Rama në ngulitjen e idesë për t?iu lutur Zotit dhe për të ikur sa më parë nga ky vend, nuk është kurrë vonë. Ai nuk përcjell shqetësim për këtë, vetëm bezdi e sharje për ata që ia kujtojnë. Një burrë shteti do të duhej të shqetësohej, kur i zvogëlohet populli. Atij, me gjasë, i ndodh e kundërta. Tek ikja sheh konsolidimin e pushtetit personal. Së fundmi po bën provën tjetër të madhe, grabitjen e pronës publike me ligj, shembjen e Teatrit Kombëtar për t?u siguruar mundësi fitimi klientëve të tij të zemrës, të cilët dinë të jenë mirënjohës ndaj bamirësit. Ky është sulm ballor i lirive publike. Teatri, i ndërtuar në kohë të Mbretit dhe fashistëve të krisur, si për inat të rrogëtarëve të shtetit, të cilët thanë ?do të na zërë brenda?, i rezistoi tërmetit, kësaj prove madhore të natyrës, por me gjasë jo vullnetit nomad e rrafshues të Kryeministrit.

Në gjithë sa po ndodh, opozita e vendit është shndërruar po ashtu në fasadë. Sali Berisha ka heshtur deri tani për teatrin e kjo përbën një çudi, kur dihet pasioni i tij për të reaguar edhe për gjërat më periferike në vend. Enigmë e madhe kjo heshtje. Prania e opozitës në Parlament është i vetmi dekor që i ka mbetur Edi Ramës për të legjitimuar vendimet, veprimet dhe sjelljet e veta. Inkoherenca e opozitës ka qenë aleati më i madh i Ramës gjatë këtij viti me ngjarje të rënda për të. Shpeshherë jemi marrë me problemet e brendshme të opozitës, jo për ta dobësuar atë, por me shpresën se Lulzim Basha, si përfaqësues i 450 mijë vetëve që e kanë votuar, ende ky një komunitet i madh qytetarësh, do të dalë nga autizmi vetëshkatërrues! Askush nuk ka hallin e tij personal. Por në lojën me ekuilibrat politikë dhe standardet, fuqizimi i Bashës vetvetiu shndërrohet në një lloj pengese për revanshin e Ramës. Nëse ka pasur diçka për t?u lëvduar Lulzim Basha, ishte çadra dhe ?Republika e re?, të cilat e zunë nën vete, sepse nuk pati këllqe t?i qëndronte presionit, që natyrshëm pritej dhe erdhi. E para (çadra) ra për këtë arsye, e dyta (republika) për shkak të shijeve të tij. Të dyja bashkë i shndërroi në banalitet marrëveshja me Ramën. Nëse Basha do të qëndronte, sot do të kishim një tjetër areal politik në vend. Pas humbjes dramatike të qershorit të kaluar, është e kuptueshme që loja e forcës ngjante si furtunë në gotë. Por fat, i cili mbetet ende i palexuar prej saj e ka ndihmuar opozitën.

Rënia e Saimir Tahirit, revolta e Kukësit, skandali ?Xhafaj?, vdekja e negociatave për integrimi dhe ajo që po ndodh me Teatrin Kombëtar e tokën përreth tij, mund ta faktorizonin opozitën, nëse ajo shfaq vendosmëri dhe reflektim për të ndryshuar vetveten së pari dhe për të ndryshuar disi politikën, më pas. Basha është në mandatin e tij të dytë si kryetar i opozitës dhe nëse vërtet ka qëllim pushtetin, kohën e ka të kufizuar. Besimi nuk fitohet me fjalë, por me akte. Fjala mes nesh duket si prezervativ. Duke përfituar nga kriza që ka përfshirë vendin, ai mund të reformojë vetveten dhe partinë nën ritmin e zhvillimeve. Ai e ka një mundësi të madhe. Së pari, shkatërrimin e fasadës. Lënien vetëm të Edi Ramës në shoqërinë e të gjitha pushteteve dhe klientëve të tij. PD duhet ta shkallmojë dekorin që po e bën atë patericë të qeverisë, duke djegur mandatet e saj. Nuk ka rëndësi në e ndjek pas LSI-ja apo jo.

Fjalimet qesharake Edi Ramën e bëjnë të lumtur, së bashku me bllokimin e foltores. Ai miraton me forcën e kartonit çdo gjë dhe ikën me galop, mbushur me ekstazë. Basha duhet të braktisë pasigurinë dhe fobinë e vet. Të dalë nga zyra dhe të rrijë në rrugë. PD e ka jetike daljen nga zona e errët e asgjësë. Do t?i shërbente vendit nëse në lëvizje e sipër e shëron njëfarësoj vetveten. Basha duhet të negociojë me të gjithë të përjashtuarit prej tij, jo për të larë gojën si deri më tani dhe t?i kthejë ata, e po ashtu, ata duhet ta ndalin indinjatën, deri më tani legjitime. Lufta ndaj Bashës, sado e motivuar personalisht, sepse ndaj tyre ai kreu një padrejtësi të zhurmshme, tani e më pas është një bonus për Kryeministrin në ofensivë antidemokratike. Pastaj gjithsecilit në PD e jashtë saj, që dëshiron t?i bashkohet, t?i japë mundësinë të vihet në provë nga suksesi i kontaktit me qytetarët, duke shkrirë ato palo hierarki artificiale, që vegjetojnë rreth Lulit si përgjumje zhegu.

Po kaq një lëvizje kësisoj në këtë alarm demokratik do të riaktivizonte venat e thara të opozitës me elementë të spikatur të shoqërisë. Kjo opozitë, sado lëngonjëse dhe autolezioniste, ka nderin dhe detyrën të përballet me dhunën e Edi Ramës, dështimet e bujshme të të cilit po marrin peng çdo aspiratë për jetë e vend normal. Kur Sauli u bë Pal, Lulzim Basha e ka ku e ku më të lehtë të bëhet i vërtetë, duke thënë një gjë që do ta çojë deri në fund, përndryshe do të kujtohet si pistoleta, me të cilën Edi Rama vrau opozitën. Lulzim, në vitin 1912, Ismail Qemali mendonte të shtynte shpalljen e Pavarësisë me disa ditë për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare. Imzot Nikollë Kaçorri i thotë se nëse është puna me vdekë nesër, hajde të vdesim sot. Thënë kjo, nëse ke ndërmend të bëhesh trim nesër, bëhu sot, braktisi këshilltarët që të thonë se pushteti vjen duke pritur. Dil dhe priju qytetarëve pa u kompleksuar nga ata që të tallin e shajnë. Po nuk dole, veç tallje e sharje do të kesh dhe Ramën shef mbi krye si sulltan, ti dhe ne bashkë.

Lajmet e fundit nga