web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lumi del nga shtrati/ Disa familje mbesin të bllokuara

3 Mars 2018, 15:11, Kosova & Bota CNA

Si pasojë e reshjeve të shiut dhe shkrirjes së shpejtë të borës, në territorin e Komunës së Malishevës, është rritur niveli i ujit në lum dhe në përrua.

Sipas njoftimit për media nga Komuna e Malishevës, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati në disa vende, kryesisht në toka bujqësore, ndërsa nga prurjet e ujit nëpër përronj, uji ka bllokuar së paku tri familje në qytetin e Malishevës.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, ekipet komunale janë në terren gjatë tërë ditës dhe janë duke u monitoruar situatën. Sipas Gashit, sasia e madhe ujit, e ka bllokuar rrugën Mirushë-Gurbardh, duke e mbuluar urën mbi liqenin në Mirushë, ndërsa në fshatin Bubavec, është intervenuar në një rast, duke e prishur urën dhe rrugën, në mënyrë që të shpëtohet një familje nga përmbytjet. Intervenimi është bërë nga banorët e fshatit.

Po ashtu në qytetin e Malishevës, si pasojë e prurjeve të shumta të ujit, tri familje janë bllokuar dhe është tepër e vështirë të depërtohet.

Sipas të dhënave të deri tanishme, asnjë qytetar nuk është i rrezikuar, ndërsa ekipet komunale të emergjencave janë në gatishmëri të plotë, thuhet më tej në njoftim, teksa thuhet po ashtu se prurjet janë të mëdha dhe sasia e ujit është në rritje e sipër.





Lajmet e fundit nga