web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zbardhet raporti i fshehur nga media/ Kompania SGS kapet me shkelje të rënda

4 Janar 2018, 15:40, Aktualitet CNA

Njësia Zbatuese e Projektit Koncesionar ka kryer një auditim në disa prej qendrave të kontrollit teknik të automjeteve, të Shoqërisë Konçesionare SGS Automotive Albania.

(CNA) CityNews Albania ka siguruar raportin e plotë të Njësisë së Zbatimit të Projektit Konçesionar.

Në raportin i cili u fsheh nga mediat,  janë zbardhur shkeljet e kompanisë koncesionare, SGS Automotive Albania.

Raporti thekson se në të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik të monitoruara nga përfaqësuesit e NjZPK-së mungojnë dosjet e personelit të punësuar pranë këtyre QKT-ve.

Gjithashtu, gjatë kontrollit rezulton se, punohet me orare të zgjatura, pra tej orarit zyrtar të punës për shkak të radhëve të gjata të makinave.

Futja e makinave për kontroll teknik bëhej në bazë të rezervimeve, por edhe në ato qendra që funksiononin me rezervime, futeshin mjete jashtë orarit të programuar për rezervime.

Po ashtu, në raport thuhet se kontrolli i mjeteve kryhej nga inspektorë dhe nuk kishte një kryeinspektor të emëruar i cili mbikëqyr mbarëvajtjen e procesit të punës.

Raporti i plotë:

Gjetjet e monitorimit të kryer prej Njesisë Zbatuese te Projektit Koncesionar në disa prej qendrave të kontrollit teknik të automjeteve, të Shoqërisë Konçesionare SGS Automotive Albania, si dhe masat që duhet të merren për parregullsitë e vërejtura.

Nga ana e përfaqësuesve të Njësisë së Zbatimit të Projektit Konçesionar, në zbatim të nenit 12 të Kontratës Konçesionare janë ushtruar kontrolle dhe monitorime pranë Qendrave të Kontrollit Teknik, përkatësisht, kontrolli i datës 19.12.2017 në QKT Durrës, kontrolli i datës  20.12.2017 në QKT Laç dhe QKT Shkodër, kontrolli i datës 21.12.2017 në QKT Fier dhe kontrolli i datës 23.12.2017 në QKT Tirana 2.

Referuar akt-monitorimeve të mbajtura për secilin prej këtyre kontrolleve, në mënyrë të përmbledhur, problematikat e hasura dhe sugjerimet/detyrat përkatëse për marrjen e masave për korrigjimin e shkeljeve.

1- Rezulton se, në të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik të monitoruara nga përfaqësuesit e NjZPK-së mungojnë dosjet e personelit të punësuar pranë këtyre QKT-ve, duke përfshirë mungesën e dokumentacionit në lidhje me pozicionin e punës dhe kualifikimet e punonjësve, që kërkohet të kenë kualifikime të veçanta dhe trajnimet e tyre në plotësim të kushteve kontraktuale. Sa më sipër, Konçesionari/Shoqëria Konçesionare duhet të ndërmarrë masat e domosdoshme për pajisjen e secilës QKT me dosjen e personelit të punësuar në QKT-të respektive dhe gjithashtu, për vënien në dispozicion të AK-së të listës emërore të të gjithë punonjësve të QKT/QKTL, dokumentacionin në lidhje me pozicionin e punës dhe kualifikimet e punonjësve, që kërkohet të kenë kualifikime të veçanta dhe trajnimet e tyre në plotësim të kushteve kontraktuale, si dhe në çdo rast të ndryshimit të stafit të punonjësve, të njoftohet Autoriteti Kontraktues në lidhje me këto ndryshime, duke vendosur në dispozicion të AK listën emërore të punonjësve të rinj dhe dokumentacionin përkatës në lidhje me pozicionin e punës dhe kualifikimet e punonjësve, që kërkohet të kenë kualifikime të veçanta dhe trajnimet e tyre në plotësim të kushteve kontraktuale. Gjithashtu, Konçesionari/Shoqëria Konçesionare duhet të marrë masat që, në zbatim të Kontratës Konçesionare dhe Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, i gjithë personeli i punësuar pranë QKT-ve apo QKTL-ve të ketë formimin profesional dhe kualifikimet e kërkuara.

2- Gjithashtu, bazuar në informacionet e deklaruara nga personat e pranishëm në QKT gjatë kontrollit rezulton se, punohet me orare të zgjatura, pra tej orarit zyrtar të punës. Një gjë e tillë vjen si pasojë e fluksit të madh të mjeteve të cilat duhet t?i nënshtrohen kontrollit teknik. Në lidhje me këtë fakt, konstatohet se, pavarësisht se QKT përballeshin me një fluks të madh mjetesh të cilat i nënshtroheshin kontrollit teknik. Nga ana e Konçesionarit/Shoqërisë Konçesionare nuk viheshin në përdorim Qendrat e Kontrollit Teknik të Lëvizshme, të cilat nisur dhe nga vetë karakteristika kryesore e tyre, që është lëvizshmëria për tu përdorur në vende të ndryshme, mund të instaloheshin pranë atyre QKT-ve të cilat shfaqeshin më problematiket sa i përket fluksit të madh të automjeteve që do t?i nënshtroheshin kontrollit teknik.

Në lidhje me Qendrat e Kontrollit Teknik të Lëvizshme, u konstatua edhe prej personalit të qendrës ku aktualisht ndodhen, se ato nuk janë përdorur në asnjë rast, dhe nuk janë të plotësuara me të gjithë elementet e nevojshëm për kryerjen e kontrollit të plotë të mjeteve, sipas përcaktimeve të manualit teknik. Sa më sipër, Konçesionari/Shoqëria Konçesionare duhet të marrin masat përkatëse për mbajtjen funksionale të Qendrave të Kontrollit Teknik të Lëvizshme gjatë orarit zyrtar të punës, mirëmbajtjen e tyre, si dhe përdorimin e tyre në të gjitha rastet kur paraqitet e nevojshme apo në rast anomalish të linjave ekzistuese.

3- Në Qendrat e Kontrollit Teknik të cilat ju nënshtruan monitorimit nga përfaqësuesit e Njësisë së Zbatimit të Projektit Konçesionar vërehej një mangësi e dukshme në mirë organizimin e mbarëvajtjes së punëve në QKT, kryesisht në lidhje me mënyrën e organizimit të ambienteve përreth për qarkullimin e mjeteve në mënyrë të rregullt dhe futja e makinave me radhë, faktorë këto të cilët pengojnë zhvillimin e punëve dhe proçesit të kontrollit në mënyrë të rregullt.

Bazuar në informacionet e deklaruara nga përfaqësuesit e QKT-vë të cilat ju nënshtruan kontrollit, rezulton se, futja e makinave për kontroll teknik bëhej në bazë të rezervimeve, por edhe në ato qendra që funksiononin me rezervime, futeshin mjete jashtë orarit të programuar për rezervime. Përgjithësisht në QKT mund të sigurohej informacion vetëm në lidhje me listën e rezervimeve ditore, por jo ato mujore.

Sa më sipër, Konçesionari/Shoqëria Konçesionare duhet të ndërmarrë masat e domosdoshme për organizimin e ambienteve për qarkullimin e mjeteve në mënyrë të rregullt, të mos lejohet futja e makinave për kontroll pa radhë, por të bëhet kontrolli i makinave në respektim të plotë të radhës në bazë të rezervimeve. Marrja e këtyre masave paraqitet e domosdoshme me qëllim zhvillimin e proçesit të kontrollit në mënyrë të rregullt. Gjithashtu, për këtë qëllim kërkojmë të na vini në dispozicion listën e të gjithë rezervimeve për muajin Dhjetor 2017, si dhe listën e të gjithë inspektimeve të kryera realisht për muajin Dhjetor 2017.

4- Nga kontrollet e realizuara në QKT Durrës, Laç, Shkodër, Fier dhe Tirana 2, në mënyrë të dukshme vërehej një ambient i papërshtatshëm për ruajtjen e dokumentacionit në këto qendra. Sa më sipër, Konçesionari/Shoqëria Konçesionare duhet të ndërmarrë masat e domosdoshme për pajisjen e të gjithë punonjësve, në çdo Qendër Kontrolli Teknik, me veshjet e përshtatshme dhe mjetet mbrojtëse, si dhe të marrë masat që këto veshje dhe mjete mbrojtëse të përdoren në çdo rast nga të gjithë punonjësit, elementë këto thelbësor për sigurinë në punë.

5- Gjithashtu, duke qenë se, në QKT Laç dhe QKT Shkodër rezulton se, kontrolli i mjeteve kryhej nga inspektorë dhe nuk kishte një kryeinspektor të emëruar i cili mbikëqyr mbarëvajtjen e procesit të punës, Konçesionari/Shoqëria Konçesionare të marrë masat për respektimin e organikës dhe strukturës së të gjitha QKT-ve, duke bërë të mundur që, në çdo qendër të ketë një kryeinspektor.

Nga monitorimet e kryera, referuar edhe akteve të monitorimit për secilën prej qendrave të monitoruara, rezulton së, nuk kryhej një kontroll dhe verifikim i plotë i mjeteve, duke mos u zbatuar me rigorozitet pjesa më e madhe e kërkesave të Manualit të Kontrollit Teknik. Njëkohësisht, përveç konstatimit se nuk kryhej procesi i plote i inspektimit të automjeteve, u konstatua se në të gjitha ritestimet  e kryera të mjeteve gjate monitorimit të kryer nga NJZPK, vlerat e ritestimit të gazrave, pasi kishin kaluar testimin e pare në mungese të pranisë së NJZPK, ishin disa here me të larta se vlera e treguar në raportin e inspektimit, si dhe nuk ishin shënuar mangësitë e vërejtura gjate inspektimit prej inspektoreve të QKT. Kjo perben një shkelje të cilësisë së inspektimit që kryhet prej QKT, e cila mund të jete rezultat i kryerjes së gabuar të testimit prej inspektoreve; aparat testues jashte klasit të saktësisë; kalibrim i gabuar i vete aparatit; ose kombinim i këtyre të treja. Në të gjitha rastet, kjo është një shkelje, për të cilën Koncesionari/Shoqeria Koncesionare është pergjegjese. E njëjta konsiderate vlen edhe për rezultatet e testimit të sistemit të frenimit që kryheshin në QKT Fier, ku si rezultat i rulave të konsumuar dhe jashte klasit të saktësisë, rezultati nuk mund të jete i besueshëm. Vlen të përmendim se një prej treguesve kryesore të shmangies nga procedura e miratuar e inspektimit, është numri tepër i larte i mjeteve të inspektuara për njësi kohore që nevojitet për kontrollin e rregullt të një mjeti.

Sa më sipër, Konçesionari/Shoqëria Konçesionare duhet të marrë masat që çdo kontroll i mjeteve të kryhet në zbatim të plotë dhe rigoroz të kërkesave të Manualit të Kontrollit Teknik të Mjeteve, pajisjet inspektuese duhet të jene funksionale dhe të rregullta, duhet të jene të kalibruara sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, inspektoret duhet të kryejnë procedurat e parashikuara sipas përcaktimeve të manualit teknik. Për një reference të shpejte, bashkëlidhur gjeni të gjitha aktet e monitorimeve për kontrollet e kryera në QKT Durrës, Laç, Shkodër, Fier dhe Tirana 2, së bashku me kopje të dokumentacionit të vënë në dispozicion nga punonjësit e qendrave.

Sa më sipër, paraqitet e nevojshme të na vendosni në dispozicion dokumentacionin përkatës që vërteton përputhshmërinë ligjore dhe teknike të subjektit që kryen kalibrimet e pajisjeve të QKT e cila ka lëshuar çertifikatat përkatëse, në përputhje me standartin SSH EN 17025.

Si përfundim, në përputhje me nenin 12, pika 12.5 të Kontratës Konçesionare, Konçesionarit/Shoqërisë Konçesionare i lihet një afat 10 (dhjetë) ditë nga data e njoftimit të aktit të monitorimit, për të bërë korrigjimet e nevojshme, për të marrë masat për mos përsëritjen e të njëjtës shkelje, si dhe për paraqitjen e një raporti pranë Autoritetit Kontraktues mbi masat e ndërmarra për korrigjimet e shkeljeve.

Në rast të mosrespektimit të këtij afati, do të zbatohen penalitetit e sanksionuara në Kontratën Konçesionare. Në rast të kundërshtive në lidhje me përfundimet e arritura gjatë kryerjes së monitorimit, në asnjë rast nuk mund të refuzohet firmosja e Akt-Monitorimit, por çdo objeksion/kundërshti në lidhje me përfundimet e arritura nga NjZPK gjatë monitorimit, mund të paraqitet prej konçesionarit së bashku me raportin e masave të ndërmarra për korrigjimin e shkeljeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e njoftimit të aktit të monitorimit nga Autoriteti Kontraktues.





Lajmet e fundit nga