web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zgjerohet skandali/Kamioni me 8 tonë drogë u ngarkua në Shqipëri, ja dyshimet

18 Prill 2017, 20:31, Aktualitet CNA

Të tjera detaje vijojnë të dalin në dritë mbi skandalin me 8 tonë drogë, të cilat u kaluan nga Shqipëria drejt Italisë me kamion në muajin shkurt të këtij viti. CityNews ishte e para që raportoi lajmin, por që u përgënjeshtrua menjëherë nga Policia e Shtetit, e cila tha në një reagim zyrtar se policia shqiptare nuk ishte e përfshirë në këtë trafik. Ndërkohë, vetëm një ditë më parë u arrestuan plot 18 zyrtarë të lartë, policë e doganierë, mes tyre dhe drejtues, të cilë akuzoheshin se lejuan kamionin e ngarkuar me hashash të kalonte drejt vendit fqinj.

Vetëm një ditë pas këtyre arrestimeve, Prokuroria hedh dyshime se 8 tonë drogë të sekuestruar në Ankona, mund të jenë ngarkuar në Shqipëri. Për të provuar këtë, ata i kërkojnë homologëve italianë, tahografin e kamionit që u bllokua me drogë në Itali. Tahografi është një pajisje, e cila montohet në bordin e një pjese të mjeteve rrugore, dhe shërben si pajisje regjistruese, për matjen e kohës së punës dhe shpejtësisë së lëvizjes së mjetit.

Prokurorët kanë zbuluar se mjeti i drejtuar nga Zoran Stanojovski, e ka përshkruar rrugën nga pika doganore e Qafë-Thanës deri në portin e Durësit për më shumë se 6 orë e 30 minuta.

Sipas pamjeve të filmuara nga kamerat e sigurisë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, kamioni ka dalë rreth orës 9:00 të mëngjesit, të datës 5 shkurt. Mjeti me 8 ton drogë është paraqitur në portin e Durrësit në orën 15:30 minuta, pra pas 6 orësh e gjysëm.

Hetuesit llogarisin se 146 km rrugë, kamioni duhet t?i kishte përshkruar për 3 orë. Dyshimet janë se në këto 3 orë të tepërta kamioni mund të jetë ngarkuar me drogë brenda territorit shqiptar.

Ky dyshim është përforcuar edhe pas sekuestrimit të pamjeve filmike të skanerit që ndodhet në Qafë Thanë, të mbajtur nga kompania private, ku ndër të tjera thuhet se kamioni ishte bosh në hyrje nga Maqedonia në Shqipëri. Ky fakt, i mbajtur nga punonjësit e skanerit, ka shtyrë avokatët e të arrestuarve të kontestojnë hetimet e prokurorisë. Sipas tyre, nëse kamioni ka hyrë bosh në Shqipëri, pse janë arrestuar punonjësit e policisë dhe doganës së Qafë Thanës për këtë fakt, pyetje për të cilën pritet të marrin përgjigje gjatë mesditës së mërkurë, kur klientët e tyre do të dalin para Gjykatës për vleftësimin e masave të sigurisë.

Për kalimin e kamionit me 8 tonë hashash drejt Italisë me urdhër të prokurorisë janë arrestuar në Shqipëri 22 persona, mes tyre punonjës policie, doganier dhe agjentë doganore të kompanive private, raporton Abcnews./CityNews





Lajmet e fundit nga