web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Milionat e evazionit, në xhepat e kompanive oligarkike

28 Mars 2017, 06:20, Aktualitet CNA

Bizneset vendore ankohen ndaj politikave ekonomike.

“Mbi 35 për qind e informalitetit po përfundon në kontot e kompanive të fuqishme, të cilat pothuajse janë larg syve të kontrollit të shtetit dhe që u jepet hapësirë që këta të manipulojnë edhe me informalitet edhe me shpëlarje të parave”, ka deklaruar kreu i AKB-së, Agim Shahini ,raporton Gazeta Kosova Sot

Që nga paslufta e deri më sot, e në veçanti në dekadën e fundit, e tërë ekonomia e Kosovës është e zaptuar nga njerëzit e inkriminuar të majave të politikës. Analistë të ekonomisë, përfaqësues të biznesit, specialistë të kësaj fushe dhe deputetë të opozitës, vlerësojnë se shumë kompani të mëdha që funksionojnë në lëmi më profitabile janë me pronarë realë nga kreu i politikës dhe të njëjtat po financohen me paratë e njerëzve të politikës, që janë të fituara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar i pushtetarëve aktualë. Ish-kryetari i OEK-ut, Ismajl Kastrati, tha se kjo është kapja e shtetit, kur çdo sektor vital i ekonomisë kontrollohet nga një numër i vogël i njerëzve të pushtetshëm, ose nga lakenjtë e tyre. “Pushtetarët aktualë problemin kryesor e kanë shpëlarjen e parasë. Andaj sot i shihni në çdo kompani private, duke lobuar, jo për zhvillim të ekonomisë, ose të biznesit që e vizitojnë, por për të e frikësuar, respektivisht shantazhuar, se po nuk je me ta nuk mund të kesh biznes të suksesshëm. Klima aktuale është e frikshme për biznese”, theksoi ai. Sipas Kastratit, kryeministri lavdërohet se nuk ka afera korruptive në mandatin e tij. “Mirë, nuk është aferë korruptive politizimi i të gjitha bordeve, mashtrimi me zvogëlim të punësimit, kur rinia sillet rrugëve, ose me çdo kusht gjen rrugë për të dalë jashtë vendit, kur edhe të punë- suarit nuk shohin perspektivë për fëmijët e tyre, me një arsimim në fund të ranglistës botërore, ku korrupsioni (siç e thonë agjencitë prestigjioze dhe të besueshme ndërkombëtare) është endemik”, potencoi ai.

Ndikim i skajshëm politik Deputeti i opozitës, Sali Salihu (Lëvizja VV), tha sot ekonomia kosovare gjendet në duart e mafiooligarkëve. Sot ajo absorbohet vetëm prej rrjeteve klienteliste dhe mafioze, që duke drejtuar në atë mënyrë kanë krijuar perandori të fuqishme ekonomike. “Ajo për çka mund të flitet në sektorin ekonomik është ndikimi i skajshëm politik dhe çka mund të mendohet është përvetësimi pa rezervë i burimeve ekonomike. Kosovën në këtë gjendje të paekonomizuar e kanë bërë si procesi i pambikëqyrur privatizues ashtu edhe aplikimi i kritereve jo të drejta. Kësaj situate i ka krijuar orientim negativ politika joqytetare dhe pa koncept të drejtë ekonomik, çka njëherësh për shoqëritë liberale konsiderohet bazë për funksionim të mëtutjeshëm”, u shpreh ai. “Logjikisht nëse analizohet pozicioni i ekonomisë së Kosovës dhe i vetmi argument që mund t’ i shërbejë dikujt për të ndarë perceptim objektiv ndaj kësaj katrahure të përgjithshme është ndikimi politik dhe përvetësimi i madh i kësaj mundësie qytetare”, potencoi ai.

Prodhimi vendor, i pafuqishëm Lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha se ekonomia e vendit vazhdon të mbetet një ekonomi e varfëruar dhe e varur nga importi dhe e mbështetur nga institucionet e shtetit të Kosovës për import të produkteve të gatshme e assesi që të rimëkëmbet prodhimtaria vendore, e cila për çdo ditë është duke u përkeqësuar për shkak të politikave të gabuara ekonomike.”Edhe më tej mbetet në percepcion se kjo ekonomi po kontrollohet dhe vazhdon ky perceptimi negativ se këtu në Kosovë funksionojnë grupe të caktuara të tregtarëve që janë kundër prodhimit vendor, gjë që kjo deri në një masë të lartë është e bazuar, për arsye se ne ende 18 vjet pas lufte vetëm 10 -12 për qind kemi arritur të rrisim kapacitetet e eksportit kundrejt importit”, tha ai. Shahini është i mendimit se Qeveria e Kosovës duhet që të jetë më e vëmendshme në krijimin politikave që e rrisin forcën konkurruese të prodhuesve vendorë dhe të jenë të barabartë në treg edhe për kompanitë e vogla, të mesme e të mëdha. I pari i AKB-së tha se kjo duhet që të rregullohet në formë që secili biznes të ketë hapësirën e vet konkurruese dhe të jetë i barabartë në treg, sepse, sipas tij, “mbi 35 për qind e informalitetit po përfundon në kontot e kompanive të fuqishme, të cilat pothuajse janë larg syve të kontrollit të shtetit dhe që ju jep hapësirë që këta të manipulojnë edhe me informalitet edhe me shpëlarje të parave./Kosova Sot





Lajmet e fundit nga