web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ministri Ahmetaj pret homologun Kosovar Hoti/ Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për realizimin e Kadastrës Fiskale

18 Janar 2017, 18:58, Aktualitet CNA

Ministri i Financave Arben Ahmetaj priti sot në një takim homologun e Kosovës, z. Avdullah Hoti. Takimi i sotëm është në vazhdën e një sërë takimeve të zhvilluara gjatë vitit 2016 me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e financave, shkëmbimet e ndërsjella të informacionit mes administratave doganore e tatimore dhe nxitjen e lehtësimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve.

Në takimin mes dy delegacioneve u diskutua mbi ecurinë e deritanishme të marrëveshjeve të nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri Ahmetaj theksoi se udhëzimi për funksionimin e doganave 24/7 për sipërmarrjet kosovare dhe kalimi përmes korsisë jeshile në doganë për produktet e freskëta të stinës gjatë muajve të verës, ishin nisma të mirëpritura nga bizneset kosovare dhe këtë vit, kanali jeshil do të vihet në funksionim që në muajin maj.

?Nga ana tjetër, Sistemi i Përbashkët i Tranzitit, i finalizuar në dhjetor 2016, përmes ndërlidhjes automatike të sistemeve elektronike, u mundëson tashmë bizneseve nisjen e një procedure tranziti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe mbylljen e tij në vendin tjetër, duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitare dhe reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për sipërmarrjen. Nëse procedura më parë zgjaste me ditë, tani është reduktuar në vetëm 10 minuta? ? theksoi Ministri Ahmetaj.

Ministri Hoti e vuri theksin tek njehsimi i certifikatave ndërmjet dy vendeve, si një cështje që duhet avancuar në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve.

Një nga cështjet me interes për palën shqiptare është bashkëpunimi me Kosovën për realizimin e kadastrës fiskale në Shqipëri, praktikë që pala kosovare e ka implementuar më herët me mbështetjen e Agjensisë Suedeze për Investime SIDA. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Ministrat Ahmetaj dhe Hoti nënshkruan edhe Memorandumin e Bashkëpunimit që synon dhënien e asistencës përgjatë  procesit të realizimit të kadastrës fiskale në çdo hap të tij, ofrimin e asistencës lidhur me infrastrukturën ligjore për administrimin dhe mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme dhe vënien në dispozicion të modelit të sistemit elektronik të tatimit në pronë të aplikuar në Kosovë si dhe suportin teknik për përdorimin e tij, me qëllim ngritjen e platformës elektronike dhe administrimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Shqipërisë.

Së fundmi, palët u angazhuan për avancimin e propozimit të Ministrit Ahmetaj në vizitën e tij të fundit në Prishtinë, për ngritjen e një pike të përbashkët doganore në Portin e Durrësit për mallrat që kanë destinacion Kosovën.

?Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare pranë Degës së Doganës Durrës. Përveç fushës së tranzitit, është dakordësuar midis dy administratave dhe ngritja e grupeve të punës me qëllim thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera? ? theksoi Ministri Ahmetaj i cili kërkoi nga grupet teknike një raportim të hollësishëm deri në datën 15 shkurt.

Pas takimit në Tiranë, dy Ministrat zhvilluan edhe një vizitë inspektimi në Portin e Durrësit.





Lajmet e fundit nga