web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Skenarët/Çfarë do sjellë në Shqipëri marrja e Shtëpisë së Bardhë nga Trump, prerja e lidhjeve të Soros rrezikon Ramën, Veliajn dhe Bashën

15 Janar 2017, 09:04, Aktualitet CNA

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet për Presidentin e SHBA, duket se do të sjellë pasoja edhe në politikën shqiptare. SHBA cilësohet si ndër partnerët tanë më të rëndësishëm dhe çdo reformë është bërë falë tyre, përfshirë dhe reformën në drejtësi kohët e fundit, shkruan SOT. Dihet se shumë emra që janë sot në politikën shqiptare, ndodhen aty ku janë vetëm falë mbështetjes së një individi, ai është George Soros. Gjatë kohës që në SHBA kanë qeverisur demokratët, Soros u shtri në shumë vende në zhvillim dhe mori në dorë frenat e politikës, përfshirë dhe vendin tonë. Por Donald Trump sapo të marrë pushtetin më 20 janar, do nisë të ?shfarosë? Sorosin. Ndikimet e tij kanë sjellë pasoja shumë të rënda për mjaft shtete të rëndësishme, teksa edhe te ne politika është orientuar sipas synimeve të tij. Mirëpo republikanët e kanë premtuar disa herë se nëse ata merrnin pushtetin, do të priten të gjitha lidhjet e Soros nëpër vende të ndryshme të botës, përfshirë dhe Shqipërinë. Por çfarë do të sjellë kjo në politikën shqiptare? Aktualisht vendi qeveriset nga vetë njerëzit e George Soros. Pak kohë më parë, gazeta publikoi një intervistë të këshilltarit të Soros, i cili deklaroi se Edi Rama ishte njeri i tyre. Pra, socialistët u ngjitën në krye të vendit falë mbështetjes së Soros, por nëse ky i fundit largohet nga vendi ynë, do jenë disa persona që do humbasin mbështetjen dhe rolin e tyre. I pari do jetë kryeministri Edi Rama. Përveç lidhjeve me Soros, ai ka kritikuar Trump dhe pritet që të dobësohen lidhjet me amerikanët. Dihet se kush ka mbështetjen e SHBA drejton vendin dhe pritet që Rama të mos ketë më shumë marrëdhënie të forta me ta. Aktualisht, ambasadorin Lu e ka pas vetes, por me marrjen e pushtetit nga Trump nuk do jetë kështu. Ambasada e SHBA ka qenë vendimtare në çdo proces dhe me republikanët pritet që politika të ndryshojë.

Ndikimi i Soros

Në çdo lëvizje dhe reformë të qeverisë ka pasur gisht George Soros. Madje ai ka lobuar fort dhe për bashkëpunime Rama-Basha kundër Metës dhe Berishës. Soros ka pasur rol shumë të rëndësishëm në politikën shqiptare, ku ai loboi fort për reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Njerëzit e tij bënë gjithë ligjet e reformës dhe kjo falë bashkëpunimit me mazhorancën. Nuk përjashtohet mundësia që me fitoren e Trump të largohen të gjitha shoqatat e tij dhe kjo do sillte ndikim të madh në politikën shqiptare. Ditët e fundit ka qenë opozita që e ka kuptuar se sa i rëndësishëm është roli i Trump dhe ka nisur të afrohet me administratën e tij, me shpresën se kjo do ndikojë në zgjedhjet e 18 qershorit. Por duhet thënë se pavarësisht se mund të mos ketë më mbështetjen e Soros, Rama do vijojë të jetë i fuqishëm. Nëse PS dhe LSI shkojnë bashkë në zgjedhje, opozita nuk ka asnjë mundësi që të fitojë. Ajo që Soros deri më tani ka bërë, ka qenë se personat e lidhur me të kanë qenë në një farë mënyre të mbrojtur. Ata nuk akuzoheshin dhe gjithmonë kanë ecur në karrierë falë lobimeve të mandatit. Por tani që ai nuk do jetë më, nuk do e kenë më mbrojtjen ?magjike?. Bëhet fjalë për një sërë ministrash të kabinetit si: Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla, Ditmir Bushati, Mirela Kumbaro, etj.

Marrëdhëniet mes SHBA dhe Veliajt

Përveçse prerja e lidhjeve të Soros do dobësojë rolin e shumë politikanëve në vend, edhe vetë marrëdhëniet me SHBA duket se do të ndryshojnë. Nuk përjashtohet mundësia që republikanët të sjellin një ambasador më të rreptë në vendin tonë dhe të mos lejojë më pazare nga qeveria aktuale. Ndërkohë pasoja duket se do të ketë dhe në pushtetin vendor dhe sidomos në Bashkinë e Tiranës. Erion Veliaj njihet për lidhjet e tij shumë të forta me Soros dhe ai loboi fort që të vihej në krye të Bashkisë së Tiranës. Gjithmonë qëllimi i Soros ka qenë që të kapë krerët e institucioneve dhe me Veliajn ia doli. Por kur George Soros të mos ketë më asnjë lloj ndikimi në Shqipëri, çfarë do të ndodhë me kryebashkiakun Veliaj? Së pari në zgjedhjet e ardhshme kandidatura e tij është në rrezik, pasi pa mbështetjen e Soros nuk dihet nëse do fitojë. Dhe elementi tjetër është se pa Soros ëndrra për të marrë Partinë Socialiste do mbetet e parealizuar.

Pasojat në PD

Ngjitja e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë do të sjellë pasoja dhe në kampin opozitar. Ndër më të rrezikuarit është Lulzim Basha, pasi edhe ai ka lidhje shumë të forta me Soros. Ditët e fundit është parë që Basha të bëjë të gjitha përpjekjet për t?u miqësuar me republikanët, por mbështetja për Klinton dhe pjesëmarrja në konventën e demokratëve ka bërë që dhe Basha të përfshihet nga furtuna ?Trump?. Dihet se Basha ka zhvilluar një takim me Soros dhe ky i fundit ka lobuar për një bashkëpunim mes tij dhe Ramës, me qëllim largimin e Berishës dhe Metës, por që në fund tentativat kanë dështuar. Ditët e fundit, Basha ka nisur të sulmojë Soros, po është e pamundur t?i fshehë lidhjet me të. Në të gjitha vendet ku ka operuar Soros ai ka bërë për vete qeveritë dhe të gjitha kanë ndjekur politikën e tij. Në Shqipëri, Soros punoi fort që në pushtet të vinte PS dhe ia arriti. Kjo dëshmohet dhe në emailet që ka shkëmbyer me Hillary Clinton. Dëshmia që ai ka pasur rol të madh në politikën shqiptare është reforma në drejtësi. Ekspertët e nivelit të lartë që hartuan ligjet ishin njerëz të tij dhe u paguan me paratë e tij. Po ashtu Soros e kishte hartuar projektin si duhej të bëhej reforma që kohë më parë dhe kjo u dëshmua nga UikiLeaks. Nëse hiqen kthetrat e tij nga politika shqiptare, pritet që politika shqiptare të ndryshojë. Të gjithë presin që më i prekuri të jetë Rama, pasi ai e kritikoi shumë fort Trump dhe ka lidhje me Soros. Më 20 Janar, Trump do marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë dhe mbetet të shihet se çfarë pasoja do të ketë në politikën shqiptare.





Lajmet e fundit nga