web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Myftaraj/ Edi Rama, i vetmi Kryeministër i një vendi të NATO-s, i cili lavdëron yllin e kuq sovjeto-komunist

23 Nëntor 2016, 21:36, Aktualitet CNA

Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s ku Kryeministri (Edi Rama) guxon të thotë në vitin 2016 se simboli sovjeto-komunist, ylli i kuq, është simboli i lirisë për vendin. As Kryeministri grek Cipras, që është një komunist, nuk guxon ta thotë këtë tani që është në pushtet. Rama e ka bërë këtë në një urim që ka bërë në faqen e tij zyrtare në Facebook, si front cover, ku në një vizatim ka vendosur yllin e kuq mes datave 28 dhe 29 nëntor.

Në përgjigje të vërejtjeve të komentuesve, Kryeministri, iu tha se ylli i kuq është simboli i atyre të cilët u vranë që komentuesit të jenë të lirë dhe ?të bëjnë hihihi e hahaha në Facebook?.
Sipas logjikës së Kryeministrit, del se NATO, e cila u krijua pikërisht për ta shpëtuar Europën dhe botën nga rreziku që i vinte prej skllavërimit nga shteti që kishte simbol yllin e kuq, Bashkimi Sovjetik, si dhe lëvizja komuniste ndërkombëtare e kontrolluar nga Moska, paska qenë një aleancë kundër lirisë.
Në të vërtetë, ylli i kuq ka qenë simbol i diktaturës, dhunës dhe urrejtjes. Yllin e kuq e adoptoi së pari si simbol shtetëror-ideologjik, diktatori bolshevik, Lenini, pas revolucionit bolshevik të vitit 1917. Dhe në kongresin e parë të Internacionales Komuniste (Komintern) që u mbajt në Moskë, pak kohë më vonë, ylli i kuq u bë simboli i lëvizjes komuniste ndërkombëtare.
Zyrtarisht, ylli i kuq simbolizonte bashkimin e popujve të pesë kontinenteve në luftën globale mes klasave shoqërore, ndryshe e quajtur revolucioni botëror komunist. Por ylli i kuq ishte njëherësh simbol shtetëror i Bashkimit Sovjetik dhe simbol ideologjik i komunizmit ndërkombëtar. Në stemën shtetërore të Bashkimit Sovjetik ishte globi tokësor me një yll të kuq sipër, çka nuk ka kuptim tjetër veç ambicjes së Bashkimit Sovjetik për të sunduar botën, duke përdorur lëvizjen komuniste ndërkombëtare si forcë në shërbim të saj.
Ylli i kuq nuk mund të ishte simbol i lirisë sepse adoptuesi i tij, Lenini, kishte përcaktuar strategjinë e shndërrimit të luftës imperialiste (botërore) në luftë civile, mes klasave shoqërore. Kjo ishte detyra e partive komuniste në botë, dhe një nga 21 kushtet që një parti të ishte leniniste dhe anëtare e Kominternit. Këto kushte i pranoi dhe Partia Komuniste e Shqipërisë që me themelimin e saj dhe ishte kjo parti që iu dha partizanëve yllin e kuq si simbol. Kjo është e vërteta me fakte.
Ylli i kuq u bë një simbol antifashist, jo sepse në simbolikën e tij bartte lirinë si vlerë, por për shkak të rivalitetit mes dy ideologjive të urrejtjes, asaj të luftës së racave (Nazizmi me swastikën) dhe asaj të luftës së klasave shoqërore (Komunizmi me yllin e kuq).Swastika naziste dhe ylli i kuq ishin anë të së njëjtës medalje të urrejtjes globale, e para si ishte simbol i luftës së racave ndërsa i dyti si simbol i luftës së klasave shoqërore.
Nëse ylli i kuq paska qenë simbol i lirisë, siç thotë Kryeministri Rama, atëherë NATO paska qenë një aleancë kundër lirisë. Sepse, sipas logjikës së Kryeministrit bota do të kishte qenë më e mirë nëse do të ishte rregulluar sipas vlerave të yllit të kuq, gjë për të cilën u bë pengesë NATO.
Yjet e kuq të vendosur në kullat e Kremlinit nga Stalini në vitet ?30 gjenden edhe sot atje, si simbol i vazhdimësisë të Rusisë së sotme me ish-Bashkimin Sovjetik. Kështu që përkushtimi ndaj yllit të kuq është fare mirë tregues i rusofilisë gjeopolitike./Kastriot Myftaraj





Lajmet e fundit nga