web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Skandali me Policinë e Tiranës/ 12 muaj pa marrë paratë e orëve suplementare

2 Nëntor 2016, 12:37, Aktualitet CNA

Punonjësit e Policisë Rrugore, ata të Rendit, të Patrullave të Përgjithshme, reparti RESI dhe disa të Njësisë Operacionale të Tiranës, prej më shumë se 12 muajsh nuk paguhen për orët suplementare, shkruan sot Gazeta Panorama.

Në një kohë që efektivët e drejtorive të tjera në rrethe kanë marrë paratë për shërbimet shtesë që kanë kryer, në stadiume, plane masash, apo edhe në luftën antikanabis, efektivët e kryeqytetit ende nuk kanë as një datë se kur do të paguhen.

Nga një përllogaritje që ata vetë kanë bërë për shërbimet suplementare që kanë kryer, nisur nga ankesat e shumta të depozituara në Sindikatën e Policisë së Shtetit, për një muaj kryejnë 20 orë suplementare.

Pagesat për vitin e kaluar ende nuk janë kryer për efektivët e Tiranës.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se gjatë kësaj jave pritet që ata të marrin paratë që u takojnë për orët suplementare që kanë kryer në dy muajt e fundit të vitit 2015. Ndërsa, sa i përket këtij viti, ende nuk ka një përllogaritje fondi, apo diçka konkrete për pagesat e punonjësve të policisë.

Megjithëse nën zë flitet që pagesat mund të kryhen në fund të këtij viti, nisur nga praktikat e mëparshme, kjo ka shumë pak mundësi që të ndodhë. Shumë prej efektivëve që kanë shërbyer në orare të zgjatura jashtë territorit ku banojnë, në stadiume, apo edhe si pjesë e planit të masave, kanë dyshime se zyrat e financës mund të mos ua kenë shënuar shumë orë.

Në ankesat që kanë bërë në Sindikatë, disa prej tyre shprehen se edhe janë kërcënuar me vendin e punës, në momentin që janë interesuar për shënimin e orëve suplementare që u takojnë. Burime nga Sindikata e Policisë thanë se të vetmit që nuk kanë shfaqur ankesa për orët suplementare të këtij viti kanë qenë efektivët e FNSH-ve, të Fierit, Shkodrës dhe Tiranës.

Për çdo orë që ata kanë shërbyer mbi orarin zyrtar, apo jashtë juridiksionit, pagesa është kryer me dieta, që shkojnë deri në 4 mijë lekë dita, por edhe me ditë pushimi. Efektivët e FNSH-së kanë qenë të angazhuar këtë vit, kryesisht në operacionet e vazhdueshme antikanabis në të gjithë vendin, me orare të zgjatura, larg adresave të vendbanimit, por edhe në kushte të vështira e në ndërhyrje me rrezikshmëri të lartë.





Lajmet e fundit nga