web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Myftaraj/ Pse amerikanët i tradhtuan ushtarakët që tentuan grusht shteti në Turqi, në 15 korrik

17 Korrik 2016, 19:46, Aktualitet CNA

Çelësi për të kuptuar natyrën e grushtit të shtetit që provuan të bëjnë një grup ushtarakësh turq, si dhe lidhjet e tyre ndërkombëtare ishte komunikata që ata dhanë për opinionin publik turk dhe për botën nga televizioni shtetëror turk, të cilin e morën nën kontroll. Në komunikatë, grushti i shtetit arsyetohej me ?shpërbërjen e rendit kushtetues, demokratik dhe laik nga ana e pushtetit të sotëm?.
Fjala-kod është ajo ?laik?. Drejtuesit e grushtit të shtetit u paraqitën kështu si mbrojtës të laicizmit, parimit themeltar mbi të cilin është ndërtuar republika turke nga Ataturku, rreth një shekull më parë. Të gjithë grushtet e shtetit, me qëllim mbrojtjen e laicizmit, në Turqi janë bërë nga ushtarakët, në bashkëpunim me SHBA, pra me mbështetjen e amerikanëve. Asnjë ushtarak në Turqi nuk do të provonte të bënte një grusht shteti të tillë, laik, pa mbështetjen e amerikanëve.
Nëse ushtarakët puçistë do të kishin qenë gulenistë, siç është një hipotezë, ata do të kishin përdorur slogane fetare islamike për të fituar mbështetjen e turmave islamike. Sepse Gulen është një islamist politik, ashtu si Erdogan. Ushtarakët puçistë me shprehjen e përkushtimit ndaj laicizmit u baraslarguan njëjtë si nga Guleni ashtu edhe nga Erdogani. Dalja si mbrojtës të laicizmit iu siguroi automatikisht ushtarakëve puçistë armiqësinë e 85 mijë xhamive të Turqisë, të cilat patën një rol vendimtar në mobilizimin e popullit nga ana e Erdoganit për t? ju kundërvënë puçistëve në rrugët e qyteteve të vendit. Ata sigurisht e dinin këtë gjë. Por, nëse do të kishin arritur të siguronin mbështetje më të gjerë të Ushtrisë dhe Xhandarmërisë (kjo e fundit si pjesë e Ushtrisë ndjek këtë në aventura të tilla), qëndrimi i xhamive nuk do të kishte qenë vendimtar.
Ushtarakët puçistë ishin në bashkëpunim me amerikanët, përkatësisht me stacionet e CIA-s dhe DIA-s (shërbimin inteligjent të Ushtrisë Amerikane) në Turqi, me Departamentin e Shtetit (Ambasadën e SHBA). Ashtu si në të gjitha rastet e puçeve ushtarake laike nëTurqi, plani parashikonte pjesëmarrjen e amerikanëve në prapaskenë. Amerikanët do të kishin një rol vendimtar në bindjen e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralit Hulusi Akar, që të vihej në krye të grushtit të shtetit.
Ushtarakët puçistë, sipas planit, e rrëmbyen Gjeneral Hakar dhe e dërguan në një bazë të sigurt. Por Ambasadori amerikan në Turqi John Bass nuk e mbajti premtimin që të shkonte atje dhe të bindte Gjeneralin Akar të merrte pjesë në puç. Deri në këtë moment puçistët e kishin situatën nën kontroll, ata zotëronin televizionin shtetëror dhe mund të shpallnin gjithçka që të donin për publikun turk dhe botën. Në të gjithë grushtet e shtetit të mëparshme në Turqi, që kanë qenë të suksesshëm, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është shfaqur si shef i grushtit të shtetit. Dhe Ushtria e Xhandarmëria e kanë ndjekur në bllok, ose pothuajse tërësisht, atë në këtë veprim. Në momentin që ambasadori amerikan refuzoi të bashkëpunonte, puçistëve iu doli situata nga kontrolli.
Nuk është e vërtetë se puçistët gabuan duke mos provuar të eliminojnë Erdoganin që në fillim. Kjo do të thoshte që ata të zgjidhnin të kryenin pjesën më të vështirë të aksionit që në fillim, duke e shumëfishuar rrezikun që të dështonin që pa e nisur mirë grushtin e shtetit. Nëse ata do të kishin arritur të siguronin mbështetjen e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, dhe do të kishin siguruar mbështetjen e pjesës më të madhe të Ushtrisë, fati i Erdoganit do të ishte përcaktuar.
Përse amerikanët i tradhtuan ushtarakët puçistë në momentin vendimtar të aksionit të tyre? Vendimi për të tradhtuar puçistët turq, ashtu si në rastin e tradhtisë amerikane ndaj kubanëve antikomunistë në Gjirin e Derrave në 1961, ishte politik, jo teknik. Tradhtia nuk erdhi nga shërbimet e fshehta amerikane, CIA, DIA, por nga Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë.
Puçistët turq u tradhtuan për të njëjtën arsye që u tradhtuan kubanët antikomunistë në 1961. Ashtu si atëherë, kur SHBA donte t? i tregonte Fidel Kastros se qëndrimi i tij në pushtet varej prej Washingtonit, edhe tani SHBA deshi t? i tregojë Erdoganit se qëndrimi i tij në pushtet varej prej Washingtonit. Në 1961, amerikanët shpresonin ta përdornin Kastron ashtu si Titon, si një lider komunist, që shprehej në frazeologji komuniste, por bënte lojën e amerikanëve. Skenari i rastit më të mirë për amerikanët në Turqi është që ta kontrollojnë vendin me anë të një lideri islamist politik që përdor frazeologji islamike por që bën lojën e amerikanëve. Ushtarakët laikë turq kanë qenë të paraplëqyerit e amerikanëve, si forca tradicionalisht më e sigurt properëndimore në Turqi. Por ushtarakët laikë bëhen të vështirë për t? u manipuluar, kur marrin vendin nën kontroll, pikërisht sepse gjenden në pozitën e forcës së vetme properëndimore në vend.
SHBA kërkon që të ketë në Turqi si partner në lider apo edhe elitë sunduese që të pranojë të bashkëpunojë për planin amerikan për krijimin e shtetit kurd, duke lëshuar Turqia territore në juglindje të saj dhe duke u kompensuar në Azerbajxhan ndoshta. Del se në kalkulusin amerikan ushtarakët laikë turq, nuk janë një partner i përshtatshëm për këtë skenar ndryshimesh gjeopolitike. Duket se Erdogan, shihet si partneri më i mundshëm për të realizuar këtë skenar, kuptohet duke i krijuar atij bindjen se mbështetja amerikane është vendimtare për qëndrimin e tij në pushtet. Nëse Erdogan nuk do të bashkëpunojë amerikanët do të provojnë ta rrëzojnë me anë të një puçi brenda partisë së tij.
Skenari i rastit më të mirë për amerikanët do të ishte që Erdogan ta shikojë veten si familja mbretërore saudite që është e bindur se bashkëpunimi me amerikanët është kusht i domosdoshëm për ekzistencën e dinastisë. Nëse Erdogan do të pranojë të bashkëpunojë me amerikanët në skenarin e ndryshimit të kufijve në regjion, atëherë ata janë gati ta shpërblejnë me dhuratën dinastike, mbështetjen e krijimit të një dinastie të familjes Erdogan, pa u ndryshuar forma e regjimit nga republikë në monarki, sipas shembullit të republikave islamike ish-sovjetike të Azisë Qendrore, Kaukazit dhe të Sirisë.
Tradhtia amerikane ndaj ushtarakëve puçistë turq mbrojtës të laicizmit, krijon një problem afatgjatë për Europën, me shndërrimin përfundimtar në bastion të Islamit politik të një vendi të madh në skaj të Europës, si Turqia. Islami politik në pushtet në Turqi do të bëjë rezonancë të fuqishme në Ballkan dhe më gjerë në Europë. Ai ia vlen shteti kurd si çmim për këtë rrezik të madh? Në analizë të fundit, SHBA po bën të njëjtin gabim si me të ashtuquajturën ?Pranverë arabe? që shkatërroi valvulat e kontrollit të Islamit politik një pjesë të madhe të botës arabe.





Lajmet e fundit nga