web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mes shugurimit dhe shukrizimit!

15 Maj 2016, 13:04, Aktualitet CNA

Nga: ARIAN GALDINI

“Shugurimi është përkushtimi solemn ndaj një qëllimi apo shërbimi të veçantë, zakonisht fetar. Fjala ?shugurim? do të thotë ?bashkim me ç?është e shenjtë?. (Radio Vatikani) “Shukrizimi është përkushtimi i poshtër ndaj një qëllimi të mbrapshtë, apo shërbimi të ligë, zakonisht pushtetëror. Fjala “shukrizim” do të thotë “bashkimi me ç’është e fëlligësht.”(AG) Prej mbrëmjes së djeshme, e gjithë shoqëria shqiptare po ngulçon nga habia, çudia, tërsëllima, mallkimet, ndëshkimi, denoncimi distancimi prej shëmtisë, që u pa me zë e figurë të ndodhte nga zyra e një kryetari bashkie deri në dhomën e një hoteli, ku kryetari i bashkisë verifikonte talentet e nëpunëses së tij me brekë të grisura nëpër këmbë. E kam thënë e shkruar qindra herë, se ne si shoqëri kemi kaq shumë nevojë për një kamera, zë, figurë, një fytyrë, një emër, një ngjarje që t?i biem mu në ballë të keqes e të mos lëmë batutë a shpoti pa molloisur e zografisur, për t?i treguar vendin të ligut dhe ligngjarjes së radhës. Nuk e di pse ndodh kështu. Ndoshta është normale ngado që temperatura e shoqërive të jetë më e lartë kur kanë një emër e fytyrë konkrete për të goditur me gurë e mallkime. Megjithatë, mua nuk më pëlqen ky vlim social vetëm pas gradimit me fytyrën, emrin a ligngjarjen e radhës. Gjithmonë na duhet një Sokol Mjacaj që të shajmë veten, na duhet një edukatore që keqtrajton e dhunon fëmijën jetim, na duhet një sekretar deputeti që i kërkon nënës vajzën 14-vjeçare, na duhet një Pango a Shukri që të vlojmë deri në përzhitje. Ndërkohë që në përditshmëri, të gjithë jetojmë me të keqen, duke e folur si normalitet. Të gjithë flasim sesi paguajmë para për të siguruar shërbime në zyrat e shtetit, të gjithë flasim për shitblerjen e votës si një gjë e gjithëpranuar, të gjithë flasim sesi po të bëhesh anëtar i aksh partie, gjen punë, etj., etj.. Të gjithë flasim se po nuk dhe 5000 euro, nuk bëhesh dot infermier, po nuk dhe 6000 euro nuk bëhesh dot mësues, po nuk dhe 7000 euro nuk fillon dot te patentat, e kështu me radhe. Të gjithë flasin se shefit po nuk i çove kuotën e fitimit, po nuk i bëre dhurata e shërbime ekstrazyrtare, nuk e ke të gjatë mbijetesën në vendin e punës. Të gjithë flasin se për një femër është kaq e vështire gjetja dhe mbajtja e vendit të punës. Ngado, në zyra shteti dhe private, femra shqiptare është e pambrojtur. Nuk ka institucione shtetërore që e mbrojnë, nuk ka ligje, prokurorë, a gjykatës që e mbrojnë, nuk ka sindikata që e mbrojnë. Ka vetëm çifligarë zyrash shtetërore, që e trysnojnë dhe pronarë a drejtues privatë që e keqtrajtojnë. Çdo ditë flasim e flasim dhe dëshmojmë histori nga më të shpifurat, ndytat lidhur me ngacmimet seksuale që ndodhin me institucione shtetërore e private. Çdo ditë. Ne e dimë, sepse flasim vetë pareshtur për deputetë e politikanë që u premtojnë xhesikave parajsën. A nuk e kemi mbushur çdo ekran e faqe gazete me Xhesika, Kallashe e Gugu? Ne e dimë se pushteti në Shqipëri nuk është më shërbesë për qytetarët, por sundim mbi ta. E flasim vetë në çdo kafene e qoshe. Ankohemi vetë për këtë në çdo kafene, qoshe a blogje e ?Facebook?. Ne i dimë këto gjëra. Ne e dimë se pushteti si sundim bashkohet me lakminë për para dhe seks. Është natyralisht i tillë çdo pushtet sundimtarësh, që ndihen si çifligarët tanë. Sundimtarët e çifligarët na konsiderojnë si bujkrobërit e tyre. Prandaj na blejnë votat, na shesin çdo shërbim shtetëror, na shesin vendin e punës e nuk e duket e tepërt që na kërkojnë edhe vajzat për qejfin e tyre. Këta na kanë shkelur me këmbë, na plaçkitin, mashtrojnë, poshtërojnë, na dhunojnë, na cenojnë edhe femrat tona. E ne e dimë. Sepse vetë e flasim dhe ankohemi plot zell çdo cep pallati, në çdo lagje, fshat, kafene, blog apo status ?Facebook?-u. Nuk është Shukriu ai që duhet të na çudisë. Jemi ne vetë që duhet të çuditemi me kryeultësinë tonë. Ne ngremë kokë vetëm kur rastësia, ndodhitë e ditës apo sistemi i çifligarëve vendosin të na servirin një emër e fytyrë për ta pështyrë. Pra, ne fakt ne nuk ngremë kokë, thjesht këta që na sundojnë, na ulin edhe më poshtë kur na hedhin këmbëve ndonjë cofetine brekëgrisur që ne ta shkelmojmë e të ndihemi të çliruar. Në të tilla ditë e në të tilla vlime sociale për shkak skandalesh me emër e fytyrë, unë ndjej trishtim. Sepse ëndrra ime është që shoqëria shqiptare të bashkohet me të shenjtën, të lartësohet, të ngrejë krye e shohë lart. E vërteta është se ditë të tilla, mua përveçse më zemërojnë, me çka na shohin sytë me çifligarët qe duan të puthin cica çupkash të reja, po aq zemërohem e dëshpërohem kur shoh që ne, shfryjmë 3 dite e pastaj bëhemi kacekë të tejmbushur për çdo ditë. Bëhemi kacekë jo nga durimi, por nga kryeultësia. Nuk na çlirojnë nga e keqja këto shfrime 3-ditore. Nga e keqja na çliron përballja përditore me të keqen, duke mos e pranuar atë, duke u revoltuar, duke e refuzuar. Përndryshe, neve do të na shukrizojnë sa të kemi frymë çifligarët, e kur të na hedhin këmbëve ndonjë cofëtine brekëgrisur, ta dimë mirë se jemi ne në fakt, që jemi shpirtgrisur e mendjeprishur./ Citynews





Lajmet e fundit nga