web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dalekët

11 Gusht 2015, 20:17, Opinione CNA

Kastriot-Myftaraj3Nga Kastriot MYFTARAJ

Dalekët i kam parë në fëmijërinë time, në Korçë, në serialin e famshëm fantastiko-shkencor britanik ?Doktor Who?, që në atë kohë e shikonim në televizionin jugosllav. Dalekët ishin robotë luftëtarë, të krijuar si pasojë e një mutacioni gjenetiko-kibernetik të kryer ndaj Khaledëve, njërëzve të planetit të quajtur Skaro. Si pasojë e këtij shndërrimi të drejtuar, çdo khaled u inkorporua në një kuti metalike të rrumbullakët, të pajisur me armë si dhe u modfikua gjenetikisht që të mos ndjente dashuri, miqësi, mëshirë, altruizëm, por vetëm urrejtje dhe dëshirë për të shkatërruar çdo jodalek dhe u tjetërsua në Dalek. Fjala më e përdorshme nga Dalekët ishte: ?Exterminate!? (Shfaroseni!) Dalekët ishin qënie hybride të mbushur me energji negative.
Dalekët ishin çuditërisht të ngjashëm me bunkerët që u ndërtuan në Shqipëri në kohën e fortifikimit total të vendit në vitet 70-80 të shekullit XX. Kjo ngjashmëri binte në sy kur e shikoje kupolën e bunkerit, të vendosur mbi bazamentin prej betoni, ende pa u groposur në tokë pjesa më e madhe e bazamentit. Do të mjaftonte të shkruanit në Yutube ?Doctor Who: Top Dalek Stories? dhe do ta shikoni këtë ngjashmëri. Më kujtohet se në 1976, në prag të Kongresit VII të Partisë, dhe të gjithë duhet të shkonin në aksione ?vullnetare? për të bërë punë të ndryshme pa pagesë, edhe ne fëmijët e klasës së katërt fillore na mobilizuan për të na çuar në një aksion për pastrimin e barishteve të këqija që ishin rritur përreth bunkerëve. Ishte koha kur po kryhej me intensitet të plotë fortifikimi total i vendit. Duke parë kupolat e bunkerëve të montuara mbi bazamentin e betontë, ende pa u groposur, disa prej nesh thanë pa dashje duke treguar me gisht këta bunkerë: ?Dalekët! Dalekët!?
Dalekët i kishim parë pothuajse të gjithë ne, nxënësit dhe mësuesit. Dalekët i kishin parë shumica e shqiptarëve në televizionin italian apo atë jugosllav. Shqiptarëve nuk mund të mos iu binte në sy ngjashmëria e bunkerëve me dalekët. Një një nga ato ditë, kur në televizion po jepej një nga pjesët e serialit me dalekë, unë duke parë dalekët, thashë ?Sa shumë që ngjajnë me bunkerët!?
Babai u çua, fiku televizorin për të patur vëmendje më të madhe dhe tha duke m? u drejtuar mua: ?Kastriot Myftaraj (Ky ishte një nga tre-katër rastet kur më ka thirrur me emër dhe mbiemër.), nëse e thua jashtë shtëpisë këtë që the këtu, unë shkoj në burg për agjitacion e propagandë, ndërsa ti me familjen shkon në internim, nga ku me shumë mundësi mund të shkosh në burg më vonë. Dalekët janë me të vërtetë aty jashtë dhe kërkojnë gjahun e tyre.? Pas kësaj e hapi përsëri televizorin dhe nuk foli më. Ai me profesion ishte mësues, dhe unë isha aq i rritur në moshë sa ta kuptoja se përgjegjësia e tij për sjelljen time në këtë rast ishte më e madhe se e prindërve të tjerë, pasi ai si mësues duhet të edukonte më parë fëmijët e tij etj., etj. Të tilla skena besoj ndodhnin në shumë familje shqiptare në atë kohë. Më vonë kam pasur shumë biseda me babain për dalekët dhe të dy jemi dakorduar se dalekët na kanë kthjelluar më shumë për të vërtetën e shtetit të Enver Hoxhës, më shumë se ?Zëri i Amerikës? dhe emisionet në shqip të radiove të tjera perëndimore.
Dalekët me siguri që i kishte parë edhe vetë Enver Hoxha, i cili ishte një shikues i rregullt i televizionit italian, ku seriali ?Doktor Who: The Daleks? u shfaq që në fund të viteve gjashtëdhjetë. Në Britaninë e Madhe nisi të shfaqet që në 1963 dhe vazhdoi të shfaqet me sukses për shumë vite. Unë kam bindjen se Enver Hoxha duhet të jetë frymëzuar nga dalekët për të dizenjuar bunkerët e veçantë shqiptarë, të pangjashëm me asnjë tjetër në botë. Gjithashtu unë kam bindjen se kur Enver Hoxha mori vendim ta mbushte vendin me bunkerët-dalekë, ai kishte bindjen se këto fortifikata nuk kishin aspak vlerë ushtarake. Qendrat e zjarrit, siç quheshin zyrtarisht bunkerët, duke qenë fikse, do të zbuloheshin me shpejtësi dhe do të asgjësoheshin lehtësisht me goditje të sakta nga armiku.
Por Enver Hoxhës nuk i duheshin bunkerët për qëllime ushtarake, por për qëllime të manipulimit shoqëror, domethënë për të dalekëzuar shqiptarët. Enver Hoxha veproi njëjtë si shkencëtari djallëzor Davros në film, i cili i shndrroi njerëzit e planetit të tij, Kaledët, në Dalekë. Synimi i Enver Hoxhës me ndërtimin e bunkerëve është që çdo shqiptar ta ndjente veten të inkorporuar me një bunker, krejt ashtu si Khaledët e planetit Skaros, të shndërruar në Dalekë qenë inkorporuar në një kuti metalike sferike. Bunkerizimi i çdo shqiptari duhet të ishte finalizimi i procesit të manipulimit të mendjes së shqiptarëve nga diktatura komuniste. Shqiptari i bunkerizuar do të ishte një qenie hybride e mbushur me energji negative. Ky shqiptar do ta shikonte dhe perceptonte botën nga frëngjia e kupolës së bunkerit, krejt ashtu si dalekët. Shqiptari i bunkerizuar do të dyshonte edhe për të ngjashmit e tij, për shqiptarët e tjerë, se nuk qenë të dalekëzuar sa duhet, se kundërshtonin dalekëzimin, e për këtë gjë do t? i perceptonte si armiq dhe do t? i spiunonte e do t? i denonconte ata, me formulën e dalekëve: ?Exterminate.?
Ngarkimi i shqiptarëve me energji negative ishte një proces i studiuar mirë dhe i kryer sipas një agjende shtetërore që e manipulonte njeriun që në kopësht, shkollën fillore e më tutje deri në moshën madhore. Për këtë gjë punonte një makineri totalitare propagande që kishte nën kontroll çdo aspekt të jetës së njeriut, që nga shkolla, radioja, televizioni, librat, gazetat, kolektivi punonjës etj. Ngarkimi me energji negative ishte ritualizuar nga diktatura komuniste. Kështu, që në shkollën fillore, në klasë këndonim në kor ?Internacionalen?. Në shqip vargjet e saj qenë përkthyer qëllimisht më të dhunshme, për të krijuar energji negative. Kështu, në origjinal, në frëngjisht, ?Internacionalja është?:
?Le monde va changer de base
Nous ne sommes rien, soyons tout
C’est la lutte finale
Groupons-nous, et demain
L’Internationale
Sera le genre humain.?
Pra thuhet se bota do të ndryshohet që nga themelet. Në anglisht të njëjtat vargje janë përkthyer kështu:
?The world is about to change its foundation
We are nothing, let us be all.
This is the final struggle
Let us group together, and tomorroë
The Internationale
Ëill be the human race.?
Pra, thuhet se bota është duke ndryshuar themelet e saj. Komunistët shqiptarë të Enver Hoxhës i përkthyen kështu këto vargje gjatë Luftës së Dytë Botërore:
?Botën mizore ne do ta shkatërrojmë,
që nga themelet dhe pastaj,
për veten tonë do të ndërtojmë,
botën e re në vend të saj.
Është lufta finale,
Vendimtare mbi dhe.
Internacionale
Do të jetë bota e re.?
Në versionin shqiptar flitet pra për shkatërrimin e botës ekzistuese dhe për ndërtimin e botës së re. Versioni shqiptar është kopje e atij rus leninist, ky këto vargje janë përkthyer kështu:
?Ne do ta shkatërrojmë këtë botë të dhunshme,
që nga themelet dhe pastaj
ai që nuk ka asgjë,
do të ketë gjithçka.?
Në versionin e mësipërm u këndua ?Internacionalja? në Shqipëri në kohën e diktaturës komuniste. Njeriu shqiptar, që nga fëmijëria e hershme, kopshti, shkolla fillore e më tutje, dëgjonte hymnin e shkatërrimit të botës dhe detyrohej ta këndonte atë. Njeriu shqiptar edukohej të ishte një botëshkatërrues. Ai kishte një mision që ishte shkatërrimi i botës. Si plotësim i ?Internacionales? ishte kënga ?Enver Hoxha mprehu shpatën.? Sipas vargjeve të këngës, Enver Hoxha mprehte shpatën me rastin e situatave të reja botërore (?edhe një herë për situatën?) për të goditur ?botën mizore?, për ta shkatërruar atë, siç thoshte ?Internacionalja?. Kontakti i shqiptarëve me botën do të ishte ?me shpatë?, pra duke e shkatërruar atë. Për shqiptarët nuk ishte bota ekzistuese, por bota e re që do të krijohej pas shkatërrimit të saj. Dalekëzimi i shqiptarëve ishte në thelb një projekt shtetëror për barbarizimin e shqiptarëve, shndërrimin e tyre në barbarë.
Në 1990-1991, kur diktatura komuniste nuk ishte më në gjendje që t? u jepte shqiptarëve as minimumin e ushqimit për mbijetesë në varfëri të skajshme edhe për botën e tretë, atëherë e hoqi gardhin izolues me tela me gjemba, dhe ky njeri shqiptar i ngarkuar me energji negative u lëshua nëpër botë si dalekët duke bërë gjithçka që tashmë e njohur, që nga rrëmbimi i anijeve dhe deri te dyndjet në kufijtë e vendeve të Bashkimit Europian, që ende përsëriten herë pas here edhe sot. Njeriu shqiptar i dalekëzuar, i edukuar për të shkatërruar botën, kur energjinë negative me të cilën e ngarkuan nuk mund ta përdorte kundër botës, do ta përdorte në vendin e vet duke u bërë vetëshkatërrues, duke shkatërruar natyrën, pyjet, lumenjtë, duke mbushur vendin me plehra, duke pushtuar toka, duke bërë ndërtime pa leje ku të mundte, duke vjedhur, grabitur. E keqja është se shqiptarët nuk u çliruan nga energjia negative e akumuluar, me rënien e diktaturës komuniste. Se me trurin e njeriut të ngarkuar me energji negative ndodh si me energjinë sizmike, e cila çlirohet pjesë-pjesë dhe nuk harxhohet krejt në lëkundjen e parë të tërmetit, sado e fuqishme qoftë ajo. Gjeneratat e shqiptarëve të ngarkuar me energji negative ua transmetojnë këtë fëmijëve të tyre, e këta fëmijëve të tyre. Shkurt, dalekët lindin dalekë. Do të duhet të kalojnë disa breza që shqiptarët të çlirohen nga energjia negative me të cilën janë ngarkuar në diktaturë, pra që të çdalekëzohen.
Njeriu shqiptar po çlirohet gradualisht nga dalekëzimi, disa grupe shoqërore e krahinore më shpejt, e disa më ngadalë. Por ende dalekët janë gjithandej në hoqërinë shqiptare. Dalekët janë në Kuvend, si deputetë. Dalekët janë në qeveri si ministra, dalekët janë edhe te opozita. Dalekët janë gjykatës, prokurorë, policë, të cilët abuzojnë me postet e tyre, si dhe të pandehur dhe të burgosur. Shpesh ndodh që daleku arreston, akuzon, gjykon dhe dënon dalekun. Dalekët janë tifozë të dhunshëm në stadiume. Dalekët, janë në media, si gazetarë, dalekët janë biznismenë që mbushin tregun me ushqime e pije të dëmshme, dalekët janë ata që ndërtojnë abuzivisht, dalekët janë kriminelë të rëndomtë, dalekët janë trafikantë, dalekët janë kultivues të bimëve narkotike, dalekët janë ata që vjedhin kapakët e pusetave në rrugë. Dalekët janë mësues dhe nxënës. Dalekët janë profesorë në universitete që bëjnë dëm me dijet mediokre që japin dhe me provimet e diplomat që shesin. Dalekët janë diplomatë në ambasadat e konsullatat tona, që krijojnë kaos të organizuar për të nxjerrë të ardhura abuzive duke iu shitur shërbimet emigrantëve. Dalekët janë poetë e shkrimtarë. Dalekët janë edhe këngëtarë. Dalekët janë shkurt gjithandej. Dalekët janë si ish-komunistë krenarë me qënien e tyre si dalekë, ashtu dhe antikomunistë të dalekëzuar. Nuk është e lehtë që të çlirohet ky vend nga dalekët. Ky është problemi më i madh i Shqipërisë sot.





17:40 Opinione

Summer Durrës

Nga Edison YPIAgjenci udhëtimesh me harxhu gjithato pare me ...

16:43 Opinione

Krenarë si barbarë!

Që në minutën e 29 të ndeshjes FK “Kukësi”- “Legia” e Varsha...

Lajmet e fundit nga