web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bie matura shtetërore, ja si do të bëhen pranimet në universitet

12 Maj 2015, 05:45, Sociale CNA

Mazhoranca qeverisëse në vitin e dytë të mandatit ka vendosur të rrëzojë maturën shtetërore si sistem që çonte të rinjtë në dyert e universiteteve, por që krijoi një çoroditje dhe kaos të madh në arsimin shqiptar. Duke filluar nga viti 2016, të gjithë ata maturantë që do të duan të shkojnë në fakultet, duhet të ndjekin të tjera procedura dhe nuk do të mjaftohen vetëm me dhënien e provimeve përfundimtare.

Si koncept matura shtetërore do të ekzistojë, por ajo do të shërbejë vetëm për të mbaruar gjimnazin dhe jo si një rrugë për të shkuar në universitet, ashtu siç ndodh aktualisht. Pas ndryshimeve që u bënë në ligj, ku u hoq procesi i konkurrimit, u krijua mundësia që të rinj me nivel të ulët arsimor të përfundonin në universitet, duke bërë që numri i studentëve që dalin nga bankat e fakulteteve të jetë shumë i lartë. Këtë gjë e ka konfirmuar dje edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Gjatë prezantimit të projektligjit për arsimin parauniversitar në Komisionin e Edukimit dhe Medias, ajo dha sqarime edhe mbi këtë proces, pas pyetjeve të deputetëve. ?Matura shtetërore do të jetë edhe në vitin akademik 2016-2017, por do të ketë ndryshimin që është maturë që përmbyll apo certifikon ciklin e arsimit parauniversitar. Do të ketë procesin e vetë dalës dhe nuk do të jetë e lidhur me procesin e hyrjes në universitet. Kjo do të thotë që sivjet do të jetë matura që ka qenë. Mot do të jenë provimet e maturës që certifikojnë, që kanë mbyllur një cikël studimi, por nuk do të jetë me procesin e rankimit dhe përzgjedhjes së universiteteve?, tha ajo.

Pranimet

Me këto ndryshime rolin më të madh për të ndjekur studimet e larta, do ta kenë departamentet dhe fakultetet. Kjo gjë është reflektuar edhe në ligjin për arsimin e lartë, ku thuhet se janë departamentet ato të cilat propozojnë kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi dhe më pas ato miratohen nga fakultetet. Po ashtu, departamenti përzgjedh studentët fitues, të cilët miratohen nga dekani. Gjithashtu, një tjetër kriter bazë për të shkuar në universitet do të jetë nota mesatare, e cila çdo vit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Këtë gjë e shprehu dje edhe ministrja Nikolla.

?Studentët do të zgjedhin vetë universitetin. Universiteti do të përcaktojë paraprakisht kriterin, kuotat dhe kështu me radhë. Do të jetë një sistem tjetër me të cilin ne po operojmë dhe sqarojmë të gjithë masën?, tha ajo. Ndërkohë për këtë vit matura do të jetë e pandryshuar.

Ligji i ri

Dje, ministrja e Arsimit prezantoi në Komisionin e Medias projektligjin për arsimin parauniversitar, i cili sjell një sërë ndryshimesh, pasi hiqet alterteksti dhe ndryshon forma e rekrutimit të mësuesve. Ky draft nuk u mbështet aspak nga deputetët e opozitës, duke sjellë debate në sallë. Ata janë shprehur se me miratimin e tij do të ketë një përkeqësim akoma dhe më të madh të situatës. Deputeti Bedri Hoxha deklaroi se ligji aktual është miratuar me konsensus dhe nuk është e nevojshme që pas dy vitesh ai të ndryshojë sërish. Ai shprehu kritika mbi ndryshimet që do të bëhen në përzgjedhjen e teksteve apo dhe emërimin e mësuesve. Në të njëjtën linjë ishte edhe deputetja Eleini Qirici, ku tha se ky ligj nuk do e përmirësojë sistemin arsimor parauniversitar. Por në përgjigje të tyre, ministrja Nikolla deklaroi se ai është një nevojë për të ringritur arsimin në vend.





Lajmet e fundit nga