web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ristani: Rama fshehu kërkesën belge për Mark Frrokun, PD do votojë kërkesën e Prokurorisë

2 Prill 2015, 09:18, Politikë CNA

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demoratike, Arben Ristani, tha gjatë fjalës së tij në parlament se Edi Rama ka qenë në dijeni të situatës dhe kërkesës belge të Mark Frrokut por qëllimisht e ka fshehur atë. Deputeti Ristani tha se është detyrë e organeve të drejtësisë për ti lidhur duart Kryeministrit, pasi ky i fundit e përdori Frrokun si dëshmitarë të rremë.

Fjalimi i plotë i Arben Ristanit gjatë seancës parlamentare:

Gjatë gjithë kësaj Legjislature, opozita parlamentare, ka shprehur shqetësimin madhor të opinionit publik për përfshirjen nga mazhoranca parlamentare në Kuvend, të personave me rekorde të tmerrshme kriminale, apo të personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për kryerjen e veprave të rënda kriminale.

Në seancën plenare të datës 30 Janar 2014, opozita parlamentare, ka denoncuar fuqishëm aleancën e Edi Ramës me deputetin e tij Mark Frroku, duke kërkuar shpjegime nga Kryeministri, për akuzat e rënda me të cilat ai përballej, në Belgjikë.

Kryeministri heshti dhe madje, u shpreh publikisht, se nuk ka dijeni për fakte penale në ngarkim të deputetëve të mazhorancës parlamentare!

Kryetari i Kuvendit gjithashtu heshti, edhe pse ishte njoftuar nga partnerët tanë ndërkombëtar për të shkuarën kriminale të partnerit të tij në qeverisje!

Për më tepër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka denoncuar publikisht faktin se deputeti i mazhorancës parlamentare, Mark Frroku, kishte fshehur në makinën e tij dhe kishte ndihmuar për t?u arratisur një person të rrezikshëm që kërkohej nga Policia e Shtetit, për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Edhe pas publikimit nga media, të dokumenteve zyrtare që provonin shqetësimin e ngritur nga opozita, mazhoranca parlamentare, vijojë të hesht dhe të mos distancohet nga veprimet kriminale të deputetëve të saj, apo nga aleanca tashmë e provuar me krimin e organizuar.

Mazhoranca parlamentare, nuk mbajti asnjë qëndrim mbi këto fakte tronditëse, madje vijojë të përdorë votën e deputetit Mark Frroku të akuzuar dhe ndëshkuar nga drejtësia, për të ndërmarrë sulme të paprecedenta, ndaj vetë organeve të drejtësisë.

Të gjitha faktet e bëra publike nga opozita parlamentare dhe që po provohen cdo ditë, kanë detyruar partnerët tanë ndërkombëtar, që si asnjëherë më pare, të kërkojnë me forcë realizimin me shpejtësi të procesit të dekriminalizimit të Kuvendit dhe nxjerrjen jashtë të inidividëve me rekorde kriminale.

Me shkresën nr. 1004/30 Prot., datë 28.03.2015, Prokurori i Përgjithshëm, ka përcjell kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë, për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Mark Frroku, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.

Kjo akuzë tmerrësisht e rëndë, që këtë herë faktohet nga organet e drejtësisë në Belgjikë, të krijon perceptimin se Kuvendi i Shqipërisë, nga organi më i lartë përfaqësues në vend, është shndërruar në një Kaush Burgu, (duke huazuar, në këtë rast, fjalët e deputetit Strazimiri, të mbajtura pak përpara, se të sulmohej barbarisht nga deputetë të tjerë të kësaj mazhorance, të dënuar gjithashtu për vepra të tmershme kriminale)!

Përgjegjësia për këtë degradim të thellë të organit më të lartë kushtetues në vend, është e Kryeministrit Edi Rama, pa mbështetjen dhe koalicionin me të cilin, shtetasi Mark Frroku dhe të tjerët si ai, të akuzuar apo dënuar, për vepra të tmershme kriminale, si vrasje, përdhunime, trafik droge dhe njerëzish, nuk do të kishin mundur kurrë, të bëheshin deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Mosbërja deputet, me përzgjedhjen, mbështetjen dhe në aleancë me Edi Ramën, e këtyre individëve me rekorde të tmershme kriminale, do t?i kishte kursyer Kuvendit, këtë situatë shumë të rëndë për parlamentarizmin në Shqipëri.

Edi Rama lejoi vetëm më datë 27.03.2015, zbulimin e të shkuarës kriminale të deputetit Mark Frroku, pasi e përdori atë si dëshmitar të rremë në një tjetër skandal kriminal, duke siguruar nëpërmjet tij fshehjen e të vërtetës, lidhur me akuzën, për urdhërimin nga Kryetari i Kuvendit, të vrasjes së dy deputetëve dhe duke mos lejuar një proces të drejtë, të plotë e të paanshëm për atë cështje.

Opozita parlamentare, ia ka bërë me dije Kryeministrit, ekzistencën e fakteve kriminale ndaj këtij deputeti, që më shumë se një vit më parë. Por, për interesa të tij të ngushta kriminale dhe politike Kryeministri nuk ka lejuar organet ligjzbatuese, që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

Fshehja për disa muaj e kërkesës së INTERPOL Bruksel nga ana e INTERPOL Tirana është veprim i qartë që provon mbështetjen e Qeverisë dhe organeve shtetërore, ndaj deputetit të akuzuar Mark Frroku.

Guximi i strukturave të Policisë së Shtetit, për të fshehur një kërkesë ndërkombëtare, për arrestimin e shtetasit Mark Frroku, edhe pasi të dhënat ishin bërë publike që në vitin 2014 nga opozita parlamentare, provon përfshirjen e drejtpërdrejtë të drejtuesve më të lartë të mazhorancës në këtë akt të rëndë kriminal.

Në dritën e këtyre të vërtetave, tashmë të konfirmuara zyrtarisht, Edi Rama është ekspozuar përfundimisht, si njeriu që ka ardhur në pushtet dhe po qeveris me votat e krimit, dhe po me krimin, po manipulon drejtësinë.

Është koha dhe vendi që pjesa e shëndosh e Kuvendit të Shqipërisë, të marrë në dorë fatet e vendit. Shqipëria nuk mund të qeveriset nga krimi dhe nuk mund të lejojë që krimi t?i imponohet shoqërisë shqiptare.

Në kërkesën e ardhur nga Prokurori i Përgjithshëm, shpjegohet se Mark Frroku, me vellezerit e tij, ka qënë përgjegjës për tre prostituta në Bruksel. Viktima me origjine nga Shkodra (Shqiperi) eshte hequr si polic i Interpolit dhe se ne Shqiperi e njeh familjen e shtetases L. Nga frika se mos familja e saj, mesonte mbi punen qe ajo bente ne Belgjike, shtetasja L. i telefonon tutorit te saj Nardi FRROKU, i cili ndodhej ne ate kohe ne Shqiperi. Ai e keshillon te njoftoje te vellain Dritan (alias Mark Frroku). Mark Frroku e fton t’i ngreje nje kurth viktimes. Shtetasja L. kontakton me telefon me viktimën Aleksander KURTI dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është L. e cila pret viktimën, por katër persona të cilët e qëllojnë për vdekje.

Me vendim të datës 15 janar 2010, në mungesë, ndaj shtetasit Mark Frroku, Gjykata e Krimeve të Rënda të Brukselit, e ka dënuar me 10 vjet heqje lirie.

Prokurori i Pergjithshem i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku, për kryerjen e vepres penale të “Vrasjes me paramendim” kryer ne bashkepunim.

Lidhur me sa më sipër, Prokuroria e Përgjithshme e Mbretërisë Federale të Belgjikës, ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Mark Frroku.

Mirëpo, të gjitha këto nuk e frenuan Edi Ramën që ta mbështeste shtetasin Mark Frroku që të bëhej deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe të bënte aleancë me të.

Tashmë është detyra e organeve të drejtësisë që t?i lidhin duart Kryeministrit, për të vijuar bashkëpunimin me Mark Frrokun, si dhe është detyrë e këtij Kuvendi që t?i hapin rrugë hetimit të plotë të kësaj ngjarje kriminale.

Më datë 29.03.2015, u mblodh Këshilli për rregulloren, mandatet dhe imunitetin. Në mbledhje ishin ftuar dhe merrnin pjesë përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe dy avokatët përfaqësues të deputetit të akuzuar Mark Frroku.

Mbledhja filloj me një kërkesë procedurale të deputetëve të opozitës parlamentare, që mbledhja e Këshillit të ishte e hapur për publikun.

Si edhe në mbledhjet e shkuara, qëndrimi i deputetëve të mazhorancës, ishte se séanca dëgjimore duhet të ishte e mbyllur.

Ky qëndrim bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Rregulloren e Kuvendit.

Neni 79 i Kushtetutës parashikon se: ?Mbledhjet e Kuvendit bëhen të hapura?. I njëjti rregull në mënyrë më të detajuar parashikohet edhe në nenin 105 të Rregullores së Kuvendit, ku specifikohet se: ?Veprimtaria e Kuvendit është e hapur, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 43 të kësaj Rregulloreje.

Veprimtaria e hapur e Kuvendit realizohet nëpërmjet pasqyrimit të veprimtarisë së Kuvendit dhe organeve të tij në median e shkruar dhe vizive.?.

Më datë 30.03.2015, opozita parlamentare, kërkoi publikisht që mbledhja e rradhës e Këshillit të bëhej e hapur, si dhe paraqiti zyrtarisht në Kuvend dy kërkesa legjtime dhe plotësisht të mbështetura në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit.

Kërkesa e pare, e nënshkruar nga 3 anëtarë të Këshillit, kishte të bënte me konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën të Kryetarit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Duke qenë se hetimet mbi cështjen ?Doshi-Meta? vijojnë ende nga organi i prokurorisë dhe Mark Frroku ka qenë dhe mbetet, person kyc në zbardhjen e akuzës së bërë nga deputeti Tom Doshi, për urdhërimin nga Ilir Meta, të vrasjes së dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, vlerësojmë se Kryetari i Kuvendit, vijon të jetë në kushtet e konfliktit të interesit me shqyrtimin e cështjeve, që kanë të bëjnë me deputetin Mark Frroku.

Konflikti i interesit, në cështjet që kanë të bëjnë, me deputetin Mark Frroku, është pranuar nga vetë Kryetari i Kuvendit, gjatë procedurës së ndjekur nga Kuvendi i Shqipërisë për miratimin e vendimit nr. 40/2015 të Kuvendit.

Kërkesa e dytë e nënshkruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kishte të bënte me caktimin e një anëtari të ri të këtij Këshilli që i përket opozitës parlamentare.

Sipas nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga Kryetari i Kuvendi, pasi ka marrë mendimin e kryetarëve të grupeve parlamentare, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare.

Në datën 31.03.2015 Këshilli zhvilloi mbledhjen e tij të dytë. Kryetari i Kuvendit njoftoi se ?kishte reflektuar? dhe e pranonte kërkesën e opozitës parlamentare që mbledhja të ishte e hapur për publikun. Për këtë arsye, të pranishëm në sallë ishin edhe përfaqësuesit e medias së shkruar dhe vizive.

Mbledhja e datës 31.03.2015 filloi pikërisht me ngritjen e shqetësimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për trajtimin e kërkesave zyrtare të tyre, të depozituara një ditë më parë.

Edhe pse, gjatë diskutimit të kërkeses, për konstatimin e konfliktit të interest të Kryetarit të Kuvendit në këtë cësshtje, asnjë nga anëtarët e Këshillit nuk shprehu ndonjë mendim kundër, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit refuzoi të deklaronte konfliktin e interesit dhe madje nuk ia nënshtroi votimit, kërkesën për skualifikimin e tij nga procesi për shkak të gjendjes së papajtueshmërisë.

Deputetët e opozitës ripërsërisin qëndrim se ky veprim është jo vetëm i paligjshëm, por edhe i papërgjegjshëm.

Cdo kërkesë procedurale duhet domososhmërisht t?i nënshtrohet procesit të votimit. Për më tepër kur kërkesa procedurale ngre shqetësimin e njëanshmërisë së Kryetarit të Këshillit. Shqyrtimi i cështjes përtej cdo dyshimi për njëanshmëri është domosdoshmëri për respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor.

Duke qenë se kërkesa e ligjshme e 3 deputetëve të opozitës parlamentare nuk iu nënshtrua votimit nga ana e Këshillit, vlerësojmë se ky i fundit nuk ka asnjë përgjegjësi për pasojat ligjore apo politike të këtij akti të Kryetarit të Kuvendit. Përgjegjësia ligjore, politike dhe morale bie vetëm mbi Kryetarin e Këshillit.

Në kundërshtim flagrant me nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari nuk miratoi as kërkesën tjetër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për caktimin e një anëtari në Këshill, që i takon opozitës parlamentare.

Refuzimi i paargumentuar i kërkesës, na krijojë bindjen e plotë se qëllimi i vetëm i shkeljes së Rregullores nga ana e Kryetarit të Kuvendit, është mohimi i të drejtës së opozitës për antarësi të barabratë në Këshill, si dhe lidhej me votimin e mundshëm që duhet të ishte kryer, për kërkesën e parë të përjashtimit të Kryetarit të Këshillit, për shkak të ekzistencës së konfliktit të interesit.

Prokurori i Përgjithshëm, në mbështetje të nenit 73/2 të Kushtetutës dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin apo heqjen e lirisë së deputetit Mark Frroku.

Kërkesa për autorizim, shoqërohet nga relacioni shoqërues. Në kërkesë paraqitet identiteti i plotë i deputetit Mark Frroku, vepra penale për të cilën akuzohet, rrethanat e ngjarjes dhe të dhënat që kanë rezultuar nga hetimi i cështjes nga autoritetet belge. Gjithashtu në kërkesë evidentohet fakti se Prokuroria e Përgjithshme, mbi bazën e informacioneve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombetare Interpol Tirana me shkresen nr. 2851/1 KL Prot.BM/FKB 1433/15, date 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtesise me shkresen nr. 266/2 date 28.03.2015, ka regjistruar procedimin penal Nr. 2, te vitit 2015, per kryerjen e vepres penale “Vrasje me paramendim” kryer ne bashkepunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 te Kodit Penal te Republikes se Shqiperise.

Në kërkesën dhe relacionin shoqërues analizohet edhe nevoja e marrjes së masës së sigurimit personal ndaj deputetit Mark Frroku.

Sipas prokurorisë, vepra penale e vrasjes me paramendim, e kryer ne bashkepunim, paraqet rrezikshmeri shoqërore shumë të lartë dhe në keto kushte, kërkesa e organit të akuzës është për një masë sigurimi të karakterit shtrengues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.P, për shtetasin Mark Frroku.

Paraprakisht deputetët e opozitës në Këshilli, shprehin qëndrimin se vlerësimi i fakteve dhe provave, si dhe nevojës për arrestimin e deputetit të akuzuar Mark Frroku në rastin konkret, është kryer nga autoritetet belge.

Vepra penale ?Vrasje me paramendim? për të cilën akuzohet deputeti i mazhorancës Mark Frroku, është jashtëzakonisht e rëndë dhe si e tillë jusitifikon ligjërisht cdo kërkesë për arrestimin apo heqjen e lirisë për të.

Për këtë arsye, deputetët e opozitës shprehin besimin dhe mbështetjen e plotë dhe pa asnjë rezervë për punën e organit të prokurorisë, duke i inkurajuar për të vijuar pa kompromis luftën kundër kriminalitetit, pavarësisht rëndësisë dhe pozitës së personit që akuzohet për kryerjen e veprës penale.

Përfaqësuesit e opozitës parlamentare ripërsërisin qëndrimin se mbështesin cdo kërkesë të organit të prokurorisë për dhënien e autorizimit, qëndrim ky, që është demostruar në cdo rast.

 

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka miratuar dhënien e autorizimit për organin e prokurorisë, në të gjitha rastet, madje edhe kur ka qenë shumicë në Kuvend, si dhe pavarësisht nëse, deputeti i akuzuar ka qenë anëtar i Grupit të saj parlamentar, apo përfaqësues i kundërshtarit politik.

Madje, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar në vitin 2012, heqjen e plotë të imunitetit parlamentar për deputetët, propozim i cili nuk është pranuar nga Partia Socialiste.

Ne anëtarët e opozitës parlamentare, vlerësojmë se Kuvendi duhet të japë autorizimin për arrestimin e deputetit Mark Frroku.

Në këtë përfundim arrijmë duke mbajtur në konsideratë të gjitha të dhënat e prezantuara në Relacion, mbi hetimet e kryera nga autoritetet belge.

Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm është në përputhje me nenin 73 të Kushtetutës, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 118 të Rregullores së Kuvendit. Gjithashtu, ky rast përmbush edhe standardet ndërkombëtare për heqjen e imunitetit parlamentar dhe më konkretisht:

Anëtarët e opozitës në Këshill, vlerësojnë se kjo cështje është një ngjarje shume serioze dhe aspak normale për Kuvendin e Shqipërisë.

Përfshirja në Kuvend e individëve me rekorde kriminale dhe të dënuar, edhe pse jo, në rastin konkret, me vendim gjyqësor të formës së prerë, për kryerjen e vrasjes me paramendim, është vepër e qartë dhe përgjegjësi direkte e krerëve të mazhorancës qeeverisëse Rama-Meta.

Për këtë qëllim, gjejmë rastin të distancohemi plotësisht nga ky model përfaqësimi i qytetarëve dhe shprehim bindjen se ky model, jo vetëm nuk është i duhuri për Shqipërinë dhe shqiptarët, por duhet luftuar me të gjitha forcat.

Mbështesim pa rezerva organin e prokurorisë në zbatimin e urdhërit për arrest ndërkombëtar dhe miratojmë kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm nr. 1004/29 Prot., datë 28.03.2015 ?Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Mark Frroku, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.

Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm është plotësisht e drejtë dhe fakton denoncimet e opozitës parlamentare se kjo mazhorancë është e tillë, për shkak të deputetëve me rekorde të tmerrshme kriminale.

Për më tepër, konstatojmë se Kuvendi i Shqipërisë, duhet të kishte dhënë autorizimin për këtë cështje, shumë kohë më parë.

Më 8 janar 2015, ka mbërritur në Tiranë, dokumenti i Interpol Brukselit, për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frrokut, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje.

Ky urdhër është mbajtur në sirtar dhe i është fshehur organit të prokurorisë, duke krijuar bindjen e plotë se mbajtja fshehur e urdhrit për arrest ndërkombëtar, është urdhëruar nga dyshja Rama-Meta, me qëllim që t?i ushtronin presion dëshmitarit kyç, Mar Frroku, derisa ai të depononte në favor të Ilir Metës në cështjen tjetër Doshi-Meta.

Më 23 Janar 2015, Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e deputetit Mark Frrokut.

Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim.

Vetëm më 27 Mars 2015, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori, në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës.

Për këtë aryse, mendojmë se Kuvedi, krahas dhënies së autorizimit për arrestimin e deputetit Mark Frroku, duhet t?i kërkojë Prokurorit të Përgjithshëm, që ata që penguan drejtësinë e një vendi themelues të Bashkimit Europian, vetëm për të deformuar hetimin ndaj kryetarit të KUVENDIT, duke kapur dëshmitarin kyç, dhe duke tentuar fshehjen e të vërtetës mbi akuzën më të rëndë të këtyre 25 viteve, të përballen një orë e më pare, me drejtësinë.

Inkurajojmë organin e prokurorisë që të hetojë dhe t?i shkojë deri në fund, vërtetimit të këtyre fakteve dhe vendosjen përpara drejtësisë të personave përgjegjës.

Mbetemi të bindur dhe kërkojmë me forcë, se dorheqja e Ilir Metës do i shërbente pikërisht hetimit të plotë dhe të pavarur të kësaj cështjeje.

 

 





Lajmet e fundit nga