web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lefter Koka: Pas koncesionarëve në Portin e Durrësit fshihet Sali Berisha

27 Shkurt 2015, 14:32, Politikë CNA

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka shpërthyer dje ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për shitjen e Portit të Durrësit, portit të dytë më të rëndësishëm në Mesdhe, me një çmim qesharak. Koka ka akuzuar Sali Berishën për privatizim skandaloz dhe të turpshëm të një prej pasurive më të rëndësishme të shqiptarëve. Ai tha se pas shitjes së Portit të Durrësit ndaj një kompanie gjoja të huaj, fshihen interesat e Berishës.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka pohuar se pasi u investuan 80 milionë euro në Portin e Durrësit, Berisha ua shiti për tre milionë euro njerëzve të tij. Ai tha se sot asnjë durrsak nuk hyn dot në Portin e Durrësit, ndërsa shtoi se qeverisë shqiptare i duhet të përballet me gjykata ndërkombëtare për të larguar zaptuesit e Portit të Durrësit. “Doja të ndalesha tek investimet. Kam filluar biznesin që në vitin 1992. Sigurisht kam dëshirë të jetoj dhe të investoj në vendin tim. Por, një gjë e paskrupullt ka ndodhur në Shqipëri. Kam kuptuar se në Shqipëri, po të quhesh i huaj, je i ndershëm. E privatizoi Portin e Durrësit në mënyrën më të paskrupullt. Një port i cili mori 60-80 milionë euro kredi, në ditën që mbaroi investimet, ua dha pikërisht njerëzve të tij. Sot asnjë durrsak nuk hyn dot në port. Porti nuk është më i durrsakëve. Qeveria shqiptare sot duhet të përballet me gjykatat ndërkombëtare për t’i larguar zaptuesit e Portit të Durrësit. Një port i cili fitonte 13-14 milionë euro në vit, sot nuk paguan dot kreditë. Paratë shkojnë për interesat e njerëzve të Saliut”, ka deklaruar Koka.

 

Devijimit i lumit Vjosa

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka reagoi ditën e enjte në Parlament me mundësinë e devijimit të një sasie të ujit të lumit Vjosa, duke theksuar se qeveria është e vendosur për të mos falur asnjë litër ujë. Deklarata e Ministrit të Mjedisit u bë pas kërkesës së deputetëve të opozitës për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj çështjes së devijimit të lumit Vjosë ndërsa në rendin e ditës ishte vendosur diskutimi mbi ndryshimet në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

Ministri Koka deklaroi ndër të tjera se janë konventat ndërkombëtare ato që garantojnë moscënimin e Vjosës. “Shteti shqiptar ka reaguar në kohën e duhur si për Vjosën, Prespën dhe Radikën më herët. Që në projekt-ide shtetet fqinje, kufitare, duhet të jenë pjesë e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Një gjë është e qartë dhe për këtë garantojmë gjithë deputetët e gjithë shqiptarët, se kjo qeveri është e vendosur për të mos falur një litër ujë e jo më detra, liqene e lumenj. Janë të gjitha konventat që na e garantojnë këtë dhe po ashtu edhe gjykatat ndërkombëtare. Ne jemi gardianë për të respektuar këto konventa, aq më shumë kur bëhet fjalë në raporte ndërkufitare”, tha Ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

 

 





Lajmet e fundit nga