web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vlahovic "luan" të ardhmen, e duan dy klube

5 Shkurt 2025, 16:57, Sport CNA

Vlahovic "luan" të ardhmen, e duan dy klube

Dusan Vlahovic është një nga emrat më të përfolur te Juventusi këtë sezon. Goli i tij ndaj Empolit, edhe pse prishi një thatësirë të gjatë në shtëpi, nuk u shoqërua me festën e zakonshme. Reagimi i tij pas golit tregoi qartë se në mendjen e sulmuesit serb ka shumë pikëpyetje, veçanërisht sa i përket të ardhmes së tij.

Pas një janari të vështirë, plot kritika dhe mungesa, pozicioni i Vlahovic te Juventusi nuk është më i njëjti. Përveç problemeve me formën, ai tani ka edhe një konkurrent serioz për vendin e titullarit, Randal Kolo Muani, i cili ka shpërthyer me tre gola në dy ndeshjet e fundit. Në merkaton e dimrit u përfol gjatë për një largim të mundshëm të Vlahoviçit, por kjo nuk ndodhi.

Aktualisht, marrëdhënia mes Juventusit dhe Vlahoviçit është e ftohtë. Klubi bardhezi nuk është i bindur të vazhdojë me të në planin afatgjatë, ndërsa vetë sulmuesi nuk është i kënaqur me situatën e tij. Negociatat për rinovimin e kontratës janë bllokuar, pasi Vlahovic e ka refuzuar ofertën e fundit të klubit, dhe drejtori sportiv, Giuntoli, nuk ka asnjë dëshirë ta përmirësojë atë.

Ky ngërç ka bërë që besimi te sulmuesi serb të bjerë ndjeshëm. Megjithatë, Juventus ka një plan të qartë për të, ta shfrytëzojë maksimalisht deri në fund të sezonit për dy arsye kryesore.

Juventusi është në një luftë të fortë për objektivat e tij dhe, pavarësisht të gjithave, Vlahovic mbetet një sulmues me potencial. Nëse ai arrin të kthehet në formën e tij më të mirë, mund të ndihmojë ekipin me gola dhe paraqitje të mira.

Nëse Vlahovic arrin të shënojë rregullisht deri në fund të sezonit, vlera e tij në merkato do të rritet, duke i dhënë Juventusit mundësinë ta shesë për një shumë më të madhe. Klubi nuk dëshiron ta humbasë me parametër zero ose ta shesë për një shumë të ulët.

Tashmë Juventus ka filluar të shqyrtojë opsionet për të ardhmen e Vlahovic. Dy klube të mëdha janë të interesuara për të, PSG-ja dhe Barcelona.

Gjigantët francezë kanë treguar interes për Vlahoviçin që në merkaton e janarit dhe mund të rikthehen sërish në verë.

Katalanasit janë në kërkim të një pasuesi për Robert Levandovskin, i cili po hyn në fazën e fundit të karrierës së tij. Vlahoviç shihet si një kandidat i mundshëm për ta zëvendësuar polakun dhe për të udhëhequr sulmin e Barcelonës në vitet e ardhshme. Megjithatë, problemet financiare të klubit spanjoll mund të jenë një pengesë për këtë transferim.

Në ditët në vijim pritet të ketë një takim mes agjentëve të Vlahoviçit dhe Juventusit, ku mund të ketë zhvillime të reja dhe ndoshta surpriza. Nëse një ofertë e mirë mbërrin në tavolinën e bardhezinjve, largimi i sulmuesit serb mund të bëhet realitet.





Lajmet e fundit nga