web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Juve-City/ Motta kërkon përqendrim, Guardiola: Do të rikthehemi skuadra që ishim

11 Dhjetor 2024, 09:14, Sport CNA

Juve-City/ Motta kërkon përqendrim, Guardiola: Do të rikthehemi

Juventus-Manchester City është padyshim një nga ndeshjet që pritet me interes të madh në Ligën e Kampioneve.

Përballë njëra-tjetrës vihen dy klube me emër në Evropë, ku kanë bërë edhe histori. Si Juventus-i, ashtu edhe City po përballen me momente të vështira dhe për këtë arsye, ndeshjen mes tyre e shikojnë si pikë kthese.

Megjithatë, kjo sfidë është e vështirë për të dyja ekipet, siç e pranoi në konferencën për shtyp edhe trajneri i Juventus-it, Thiago Motta.

“Do të përballemi me një ekip që ka karakteristika të veçanta. Ne duhet të jemi gati kur mbrohemi nga sulmet e tyre dhe të tregojmë cilësitë kur të jemi në zotërim të topit. Do të përballemi me një ekip që pëlqen të sulmojë, por të cilit mund t'i krijojmë vështirësi kur kemi topin. Duhet të kemi përqendrim maksimal në atë që duhet të bëjmë. Ende mund të përmirësohemi. Jemi një ekip i ri dhe mund të përmirësohemi në të gjitha aspektet. Në momente të veçanta kemi treguar karakter dhe personalitet të madh.

City-n nuk mund ta gjykojmë për momentin që po kalon. Duhet t’i admirojmë për atë që kanë bërë në vitet e fundit. Kanë treguar vlerë të madhe, duke fituar trofe të rëndësishëm. Guardiola është një trajner i fortë dhe këtë e konfirmojnë faktet. Ai ka fituar çdo trofe të mundshëm dhe ka pasur vazhdimësi, diçka që është e vështirë për t'u arritur”, deklaroi Motta.

Në krahun tjetër, trajneri i City-t, Pep Guardiola, vlerësoi maksimalisht Juventus-in, ndërsa foli edhe për momentin e vështirë me të cilin po përballen ai dhe skuadra e tij.

“Të mos harrojmë kush është Juventus-i. Në Itali ata janë skuadra më e mirë në histori. Janë mësuar të luajnë me shumë presion, ndërsa cilësitë nuk u mungojnë. Ne po luftojmë për t'u rikthyer në skuadrën që ishim më parë. Pas 8-9 vitesh mund të ketë një moment të keq, por jam i bindur se do të rikthehemi. Këto janë gjëra që ndodhin. E jashtëzakonshmja është që të fitosh 11 kampionate nga 14. E vetmja gjë që dua në këto momente është që të më rikthehen lojtarët. Kam besim të plotë tek ekipi, edhe nëse rezultatet vazhdojnë të jenë të këqija”, theksoi Guardiola.

Ndeshja Juventus-Manchester City do të luhet mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke nisur nga ora 21:00.





Lajmet e fundit nga