web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ancelotti beson te përmbysja, Arteta: Ndaj Realit vetëm për fitore

15 Prill 2025, 22:30, Sport CNA

Ancelotti beson te përmbysja, Arteta: Ndaj Realit vetëm për

Real Madrid do të kërkojë një nga përmbysjet më të mëdha të viteve të fundit, ndoshta edhe më të madhen në histori të klubit.

Madrilenët u mposhtën 3-0 nga Arsenali në ndeshjen e parë në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa në “Bernabeu” duan suksesin historik, për të avancuar mes katër më të mirave.

Ndonëse duket një mision shumë i vështirë, trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, beson te përmbysja, duke thënë se ekipi i tij i ka cilësitë për ta realizuar këtë.

“I kemi cilësitë për të përmbysur rezultatin. Mund t’ia dalim me përkushtim, përvojë dhe me tifozët në krahun tonë. Është koha për të dhënë gjithçka. Mendërisht jemi shumë mirë, por duhet të kontrollojmë lojën.

‘Bernabeu’ është magjik dhe të gjithë e dinë këtë. Do të jetë një atmosferë e veçantë. Na duhet pak nga gjithçka. Duam të luajmë një lojë me tru dhe me zemër.

Motivimi është aty dhe dua që lojtarët të jenë të qetë para ndeshjes. Jam i sigurt që do të japim gjithçka. Nuk mendoj se është ndeshje vendimtare për të ardhmen time”, tha Ancelotti.

Në krahun tjetër, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta duket se nuk mjaftohet me avantazhin 3-0 dhe pret një tjetër fitore nga skuadra e tij.

“Duhet të tregojmë mentalitetin për të fituar. Të jemi të guximshëm, dominues dhe të vendosur.

Ne duhet të kemi bindjen se mund të jemi më të mirë se ata dhe të fitojmë ndeshjen. Në këtë ndeshje ka tre aspekte, aspekti fizik, emocional dhe taktik.

Aspekti emocional është vërtet i rëndësishëm dhe kam shumë siguri nga ajo që ekipi ka bërë gjatë gjithë sezonit.

Ne do e shijojmë këtë ndeshje. Është një lojë ndryshe nga e para. Pjesa emocionale është se lojtarët duhet të jenë të sigurt dhe gati për këtë sfidë. Ne duhet të tregohemi të guximshëm. Duhet ta ndjejmë këtë ndeshje.

Jemi përgatitur që të dominojmë në faza të ndryshme të lojës dhe kjo do na afronte më shumë me fitoren. Ky është mentaliteti jonë, me të cilin do të luajmë ndaj Realit”, deklaroi Arteta.

Ndeshja Real Madrid-Arsenal, do të luhet të Mërkurën në “Bernabeu”, duke nisur nga ora 21:00.





Lajmet e fundit nga