web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zgjedhjet në Kosovë/ Abdixhiku dhe Osmani në konferencë: LDK arriti rezultat të mirë

7 Qershor 2026, 22:36, Kosova & Bota CNA

Zgjedhjet në Kosovë/ Abdixhiku dhe Osmani në konferencë: LDK

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidentja Vjosa Osmani kanë dalë në një deklaratë për mediat lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura sot në Kosovë.

Abdixhiku u shpreh gjatë fjalës së tij se ka pasur rritje të numrit të votuesve për LDK-në, ndërsa shtoi se kjo forcë politike ka siguruar 20 mandate.

Po ashtu, ai u shpreh se humbja e 200 mijë votave nga LVV-ja tregon se populli kërkon një përfaqësim tjetër.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen për qytetarët e Kosovës. Kosova foli sot qartë. Një falënderim shumë i veçantë për të gjithë ata që kontribuuan që qytetarëve tanë t’u respektohej vullneti i tyre. Në vetëm një muaj fushatë, numri ynë ka arritur në 20 mandate. Kjo është një rritje që ne e konsiderojmë prej 5 pikë përqindjeje. Ky nuk është vetëm një numër, por një shenjë e qartë se ky vizion po merr mbështetje qytetare. Me 20 mandate, LDK-ja ka një të ardhme shumë të mirë përpara. Kjo është një detyrë për të ecur përpara.

Kjo nuk ishte një garë e barabartë. Përballë kishim propagandën e pushtetit. Pamë edhe keqpërdorime parazgjedhore, ndërhyrje dhe përpjekje për blerje vote. Përballë gjithë kësaj, ne ndoqëm një rrugë tjetër. Nuk zhvilluam një fushatë urrejtjeje, por një fushatë moderne. Sot, qytetarët tanë dhanë një përgjigje të qartë. Pamë edhe një refuzim të qartë ndaj këtij stili qeverisës. Humbja e 200 mijë votave nga partia në pushtet tregon se ky popull kërkon një përfaqësim tjetër”, u shpreh Abdixhiku.

Ish-presidentja Vjosa Osmani shtoi se, edhe pse koha e fushatës ishte e shkurtër, LDK-ja shënoi rritjen më të madhe të votave krahasuar me çdo subjekt tjetër politik.

Osmani komentoi edhe pjesëmarrjen e ulët në votime, duke thënë se qytetarët janë lodhur nga proceset e shumta zgjedhore dhe krizat politike në vend.

“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për përkrahjen, të cilët, pavarësisht kohës së shkurtër që kishim në dispozicion për fushatë, e rritën LDK-në me 5% më shumë vota, rritja më e madhe që ka pasur çdo subjekt politik. Ky është hapi i parë drejt ringritjes. Besoj se në muajt në vijim kjo forcë politike do të vazhdojë këtë ringritje.

Pjesëmarrja ishte e ulët dhe kjo është normale, duke qenë se qytetarët janë lodhur nga proceset e shumta zgjedhore dhe krizat. Duke nisur që nga nesër, të gjithë angazhimin tonë do ta përqendrojmë te krijimi i institucioneve, në mënyrë që ta nxjerrim Kosovën nga kriza. Qytetari ka ndihmuar që të ribalancohet skena politike. Koha e ringritjes ka filluar dhe nuk ka asgjë që e ndal”, tha Osmani.

Deri më tani janë numëruar 97.64% e votave, ku LVV-ja kryeson me 43.01%, ose 293.710 vota. /CNA





Lajmet e fundit nga