LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Institucionet ndërkombëtare: Fokusi te burimet njerëzore dhe arsimi

11 Shkurt 2024, 08:36, Sociale CNA

Institucionet ndërkombëtare: Fokusi te burimet njerëzore dhe

Deri para pak vitesh, Shqipëria kishte avantazh konkurrues krahun e lirë të punës. Por emigrimi dhe rënia e lindjeve kanë pakësuar popullsinë e të rinjve.

Në vitin 2022, popullsia e përgjithshme shënoi rënie vjetore me 1.3%, ndërsa popullsia në grupmoshën 20-24 vjeç shënoi rënie me 7.1%.

Bizneset në të gjithë vendin kanë ngritur alarmin për punonjës, teksa zhvillimet në të ardhmen do të kufizohen nga mungesa e tyre.

Përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare në vendin tonë, Salinas nga Banka Botërore, Weber nga FMN dhe Solovova e BERZH ndanë me Monitor disa ide se çfarë si mund të përmirësohet zhvillimi në të ardhmen.

Institucionet ndërkombëtare: Fokusi te burimet njerëzore dhe

Salinas: Investimi në kapitalin njerëzor, e vetmja rrugë për zhvillim

Menaxheri i Bankës Botërore në vendin tonë, Emanuel Salinas, mendon se, Shqipëria tani është e detyruar të investojë te të rinjtë.

“Kapitali njerëzor i Shqipërisë është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit, aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.

Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv”,- tha ai.

Por, nuk mund të kemi vetvetiu një kapital njerëzor më të fortë dhe të mirëpërdorur, sipas tij.

“Që të arrihet kjo, duhen politika të mirëmenduara dhe kjo kërkon që ky kapital të jetë prioriteti i investimeve aktuale dhe të ardhshme dhe gjithashtu kërkon reforma të mëdha në institucione dhe sektorë si arsimi.

E gjithë kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të kërkojë përpjekje dhe burime, por është investimi i vetëm i rëndësishëm që nuk mund ta shpërfillim. Sa më shpejt të fillojmë me të gjitha këto, aq më shpejt do të mund ta trajtojmë këtë rrezik madhor për Shqipërinë”, thotë zyrtari i lartë i BB-së.

Kapitali njerëzor mund të përmirësohet, duke rritur investimet në arsim dhe shëndetësi.

Z. Salinas përllogarit se popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim. Në të vërtetë, që njerëzit të kenë akses në punë më të mira, nuk është thelbësore vetëm të kenë aftësitë dhe njohuritë që kërkohen në ekonomi, por edhe mirëqenie fizike, mendore dhe sociale, u shpreh ai.

“Me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ne kemi rindërtuar spitalet e prekura nga tërmeti i 2019-s dhe kemi rinovuar spitalet rajonale me pajisje më të mira dhe me një sistem të ri informacioni menaxhues për të rritur cilësinë dhe përshtatshmërinë e shërbimit. E gjithë kjo është një bazë e mirë, por mendoj se nevojitet më shumë për të mundësuar jetë të shëndetshme në të gjithë vendin”, – shtoi ai.

Z. Salinas vë në dukje se përparësia konkurruese e Shqipërisë nuk duhet të jetë kostoja e ulët e punës.

“Ne thjesht nuk mund të avancojmë në konvergjencën në BE dhe drejt një vendi me të ardhura të larta, duke u bazuar te pagat e ulëta.

Unë e shoh këtë si një thirrje zgjimi: Ne duhet ta transformojmë ekonominë drejt prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar dhe duhet ta bëjmë këtë shpejt.

Dhe për të arritur këtë (më falni që po përsërisim), ne duhet të shfrytëzojmë kapitalin tonë njerëzor. Thjesht nuk ka rrugë tjetër”.

Institucionet ndërkombëtare: Fokusi te burimet njerëzore dhe

Weber e FMN-së: Burimet njerëzore do të kushtëzojnë rritjen, të trajtohen me vëmendje

Plakja e popullsisë dhe emigrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore përfaqësojnë dy nga burimet kryesore të shqetësimit për perspektivën afatmesme, thotë Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Sipas saj, këta faktorë ushtrojnë presion mbi shpenzimet e qeverisë për pensionet dhe shëndetin. Emigrimi i vazhdueshëm i punëtorëve mund të përkeqësojë mospërputhjet mes aftësive dhe kërkesës dhe të shtrëngojë më tej tregun e punës.

Koniunktura aktuale e favorshme ekonomike krijon mundësi për të avancuar në ndërmarrjen e një grupi të gjerë reformash, që do të siguronte rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, shpjegoi zyrtarja e lartë.

Por ajo vë në dukje edhe disa reforma të tilla si “përparimi në axhendën e rritjes së eficiencës së të ardhurave, duke përfshirë forcimin e administrimit të tyre, është çelësi për një strategji të besueshme të konsolidimit fiskal dhe për të siguruar burime, që do të adresonin sfidat e rritjes.

Të rëndësishme për të zbutur rreziqet fiskale janë zbatimi i një strategjie të shëndoshë të menaxhimit të borxhit, sigurimi i një kuadri të shëndoshë investimesh publike dhe procesi buxhetor që integron PPP-të.

Duhet të vazhdojnë përpjekjet për të integruar politikat e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në proceset dhe politikat kombëtare të vendimmarrjes”.

Znj. Weber thotë se është i nevojshëm zbatimi vendimtar i politikave për zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor, çka do të nxiste rritjen e mundshme dhe do të përmirësonte standardet e jetesës.

“Investimet e mëtejshme në arsim dhe trajnim, duke përfshirë një kurrikulë të përditësuar arsimore, cilësi më të lartë të arsimit dhe trajnimit profesional, dhe fokusimi në aftësitë dixhitale mund të zvogëlojë mospërputhjet e aftësive”, – theksoi ajo.

Ndërmarrja e reformave në fushat e sipërpërmendura, sipas znj. Weber, krahas avancimit të mëtejshëm në përmirësimin e cilësisë së kushteve të punës dhe rigjallërimin e tregut të punës, mund të mbështesin synimet e autoriteteve për të frenuar flukset e emigracionit.

Këto masa mund të mbështeten financiarisht nga zbatimi i një strategjie të qëndrueshme dhe të besueshme afatmesme të të ardhurave këshilloi ajo.

Institucionet ndërkombëtare: Fokusi te burimet njerëzore dhe

Solovova e BERZH: Kostoja e ulët e punës nuk është më avantazh

Kostoja e ulët e punës nuk është një avantazh i qëndrueshëm konkurrues. Ndërsa vendet zhvillohen, pagat rriten, por produktiviteti dhe sofistikimi i produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga vendi gjithashtu rriten, tha Ekaterina Solovova, kreu për Shqipërinë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas saj, Shqipëria duhet gjithashtu të largohet nga aktivitetet e përpunimit të jashtëm me vlerë të ulët të shtuar në industrinë e veshjeve dhe të ofrojë produkte dhe shërbime më komplekse dhe me vlerë të shtuar më të lartë.

Sipas saj, tërheqja e Investimeve të Huaja Direkte cilësore mund të ndihmojë në diversifikimin e ekonomisë së Shqipërisë, në rritjen e kompleksitetit ekonomik në sektorin e prodhimit, por edhe në shërbime (p.sh. turizëm, IT) siç ka ndodhur në Europën Qendrore Lindore dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria me të vërtetë po ndryshon dhe kjo është një dukuri pozitive.

Burimet natyrore dhe energjia e rinovueshme janë asete shumë të rëndësishme të vendit dhe duhet të bëhen sektorë po aq të rëndësishëm të ekonomisë, por znj. Solovova thotë se duhet t’i kushtohet vëmendje zhvillimit të tyre, por duke pasur në konsideratë qëndrueshmërinë mjedisore dhe ndikimin në sektorë të tjerë si turizmi.

Ky i fundit ka dëshmuar të jetë një sektor në rritje me shumë potencial, që duhet të ecë më tej drejt një industrie të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, i cili mund të ndërlidhet shumë mirë me bujqësinë në agrobiznese të suksesshme dhe kapacitete prodhuese vendase, që plotësojnë kërkesat e turistëve.

Ka disa faktorë të ndërlidhur dhe fusha ndërsektoriale ku duhet bërë më shumë për ta mundësuar këtë, si investimi në infrastrukturë dhe arsim më të mirë dhe më të qëndrueshëm, reduktimi i informalitetit dhe luftimi i korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit dhe përmirësimi i efikasitetit të administratës publike.

Ndërkohë, prodhimi me vlerë të shtuar të ulët në industrinë e lehtë dhe kontraktimi i shërbimeve bazë të biznesit po humbasin avantazhin e kostos së punës, tha zyrtarja e lartë.

Ata ende punësojnë një numër të lartë popullsie dhe duhet të ketë stimuj për t’i shtyrë më lart në zinxhirin e vlerës drejt llojeve më të specializuara dhe me punë më pak intensive të prodhimit të produkteve dhe shërbimeve.

Zyrtarja e BERZH thotë se duhet t’i kushtohet rëndësi forcimit dhe aftësimit të biznesit të vogël për t’u bërë kompani të mesme, nëpërmjet formalizimit dhe rritjes së konkurrencës së tyre, në mënyrë që ata të mbijetojnë dhe të lulëzojnë në tregjet rajonale – që së shpejti do të bëhen një treg i vetëm i BE-së.

Diversifikimi i energjisë është gjithashtu i rëndësishëm, pasi Shqipëria varet shumë nga kushtet hidrologjike të paqëndrueshme, për shkak të varësisë së lartë nga hidrocentralet.

Për fat të mirë, vendi ka burime të tjera të rinovueshme, përfshirë energjinë diellore dhe të erës dhe Shqipëria po bën përparim në sigurimin e kapacitetit të gjenerimit të energjisë nga këto burime, duke përfshirë ankandet publike.

BERZH është aktiv në këtë fushë, si në ofrimin e ndihmës teknike për qeverinë dhe financimin privat dhe projektet e sektorit publik.

Një çështje tjetër e ngutshme me të cilën po përballet vendi është mungesa e forcës së punës, për shkak të emigrimit të lartë dhe rënies së popullsisë.

Në sondazhet e bëra nga Këshilli i Investimeve (i cili mbështetet nga BERZH) dhe shoqata të ndryshme të tjera, bizneset vazhdojnë të raportojnë mungesat e stafit të kualifikuar lokal, si një nga pengesat më të mëdha për rritjen, tha ajo./ Monitor.al

Lajmet e fundit nga