web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Vintage Boutique Hotel"/ Tradita që jeton në zemër të Korçës

16 Qershor 2025, 11:53, Qyteti im CNA

"Vintage Boutique Hotel"/ Tradita që jeton në zemër

Në një nga lagjet më karakteristike të qytetit të Korçës, aty ku kalldrëmet dhe fasadat e vjetra tregojnë histori të heshtura, një hotel i ri, por me shumë shpirt, ka filluar të shkruajë rrëfimin e vet.

“Vintage Boutique Hotel” është një nga godinat më të reja në sektorin e hotelerisë në qytetin e serenatave, por ajo çfarë e bën të veçantë nuk është thjesht fakti që është i ri, por mënyra si ka zgjedhur të jetë, me rrënjë të thella në traditë dhe me shikimin drejt një mikpritjeje cilësore. Hoteli është vendosur në një ndërtesë të vitit 1915, një objekt me histori që është restauruar me përpikmëri dhe dashuri për detajin.

Guri, druri dhe tulla janë ruajtur me fanatizëm, duke respektuar arkitekturën e dikurshme korçare dhe duke i dhënë godinës jetë të re, pa e zhveshur nga kujtesa e saj.

Çdo element, nga muret e pikturuara me dorë, te dyert dhe dritaret që ndjekin stilin e para një shekulli, është një dëshmi e kujdesit dhe pasionit që qëndron pas këtij projekti. Këto e shumë të tjera, i tregon për CNA TV, administratori i hotelit, Panajot Nastu.

"'Vintage Hotel' është prej dhjetë muajsh pjesë e hotelerisë së Korçës. Godina është e vitit 1915, e cila është restauruar në detaje. Jemi përpjekur të ruajmë çdo karakteristikë të sajën, sidomos në pjesën e gurit, drurit dhe në pjesën e tullës. Hoteli përmban tetë dhoma të cilat janë arreduar në mënyrën më tradicionale, ndërkohë që bashkëngjitur kësaj godine është edhe pjesa e restorantit dhe barit. Të gjitha muret janë të restauruara, të pikturuara dhe pjesa e dyerve të dhomave janë 100-vjeçare, pra dyert origjinale të godinës. Gjithashtu edhe dritaret jemi përpjekur t'i bëjmë të reja, por të jenë i njëjti stil si para 100 vjetësh. Çdo gjë është në dru."

Ajo që e bën të dallueshëm këtë vend është qasja ndaj autenticitetit. Asgjë nuk është ndërtuar për të imituar të vjetrën, çdo gjë është e vërtetë, e trashëguar ose e rikthyer në jetë me kujdes. Emri “Vintage” nuk është zgjedhur rastësisht. Ky emër përfaqëson filozofinë e hotelit për të ruajtur të kaluarën dhe për ta ofruar atë si një përvojë unike për vizitorët.

"Emri 'Vintage' është për arsye se është ruajtur e vjetra. Tradicionalja është ajo që ne na karakterizon dhe që e kemi ruajtur me fanatizëm. Nuk është ndërhyrë absolutisht në asnjë lloj gjëje, kemi ruajtur çdo detaj të këtij hoteli. Vendndodhja është në një lagje karakteristike korçare, një lagje me kalldrëm, afër Mitropolisë që është zonë karakteristike e Korçës."

Kuzhina është një tjetër shtyllë e fortë e hotelit. Ajo ndërthur gatimet tradicionale shqiptare me elementë të kuzhinës franceze dhe italiane, duke i dhënë menusë një karakter të veçantë ndërkombëtar. Shefi i kuzhinës, Artan Larti, na tregon se ky kombinim nuk është vetëm zgjedhje kulinarie, por edhe një përgjigje ndaj klientelës së huaj që frekuenton hotelin. Vizitorët francezë, italianë dhe nga vende të tjera të Europës, gjejnë këtu një përzierje të shijeve të tyre me traditën shqiptare.

"Në 'Vintage' jemi munduar të ndërthurim kuzhinën tonë tradicionale me atë franceze e italiane për arsye të frekuentimit që ka hoteli. Unë jam përpjekur të fus produktet që janë edhe pak popullore në Francë dhe Itali edhe duke u ngritur dalëngadalë tek ajo që mund ta quajmë luks. U përshtatëm te kjo sepse kryesisht edhe klientela që vjen, turistëve të huaj, jemi munduar t'u vijmë edhe atyre në traditë, duke u përpjekur të kombinojmë edhe tradicionalen edhe modernen e vendeve të tyre."

Një nga elementët më të veçantë në menu është kërmilli, një produkt që në Shqipëri shpesh lidhet me traditën popullore, por që në këtë rast është rikonceptuar në forma të ndryshme, si në recetat e gjyshes, ashtu edhe në versione më moderne. Ky produkt ka rezultuar shumë i kërkuar nga turistët, veçanërisht ata francezë, për të cilët kërmilli është një pjesë e kuzhinës së tyre tradicionale.

"Në tradicionalet tona, edhe unë në fakt jam befasuar me të zotët e shtëpisë, kemi kërmillin. Është shumë interesant dhe e kërkojnë shumë. Jemi munduar ta përshtatim në forma të ndryshme, edhe në atë formën tradicionale tonën që e quajmë gatimi i gjyshes. Kërmilli edhe në Francë është shumë i pëlqyer."

Frekuentimi i hotelit ka qenë i kënaqshëm që në muajt e parë. Pjesa më e madhe e klientëve janë të huaj, por nuk mungojnë edhe vizitorët shqiptarë. Turistët janë të të gjitha kombësive, dhe shumë prej tyre janë rikthyer, duke lënë komente pozitive dhe vlerësime të larta në platformat online si 'Booking'. Kjo tregon jo vetëm cilësinë e shërbimit, por edhe përkushtimin për t’i bërë vizitorët të ndihen si në shtëpi.

"Hoteli ka ecur shumë mirë. Klientët mund të them që shumica janë të huaj, por ka edhe shqiptarë. Në dhjetë muaj ka pasur një klientelë të përzier. Ne kemi një kuzhinë tradicionale tonën, italiane dhe franceze. Edhe klientët kanë qenë francezë, italianë, po ashtu holandezë, gjermanë, pothuajse nga e gjithë Europa. Fakti që kuzhina jonë u përshtatet atyre është një përthithje më e madhe për restorantin dhe hotelin tonë. Përshtypjet e klientëve mund të verifikohen shumë mirë në 'Booking', janë nga më të mirat. Në momentin që ata largohen, na thonë që do rikthehemi dhe një pjesë e mirë e klientëve janë rikthyer. Ne ndihemi mirë kur ata vijnë përsëri te ne. Hoteli 'Vintage' përbëhet edhe nga një oborr shumë i këndshëm dhe besoj se në korrik do të kemi muzikë 'live' në fundjavë që do të na shoqërojë."

Në një qytet ku çdo rrugicë rrëfen një histori dhe çdo dritare ruan një kujtim, “Vintage Boutique Hotel” është më shumë sesa një vend për të qëndruar. Është një përvojë që të fton të ndalosh, të marrësh frymë thellë dhe të ndiesh ritmin e ngadaltë të një jete që shpesh e harrojmë në përditshmëritë moderne.

I rikthyer me kujdes nga koha, por i përqafuar nga mikpritja bashkëkohore, ky hotel i ri në zemër të Korçës është një shembull se si tradita mund të ruhet me dashuri, të rritet me stil dhe të jetohet me dinjitet.

Në mure që flasin, në shije që lidhin kultura dhe në net të qeta, “Vintage” ofron një copëz autenticiteti për këdo që kërkon më shumë se një qëndrim. E ndërsa turistët largohen, një pjesë e tyre mbetet gjithmonë aty, mes gurëve, drurit dhe shijes së një mikpritjeje që nuk harrohet lehtë./ CNA





Lajmet e fundit nga