web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

11 maji/ Gonzato: Bashkëpunimi i KQZ-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK ekzemplar

27 Maj 2025, 10:10, Politikë CNA

11 maji/ Gonzato: Bashkëpunimi i KQZ-së, Prokurorisë së

Pas një takimi zyrtar me kryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dha një deklaratë për mediat, ku foli mbi procesin zgjedhor të 11 majit dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Për zgjedhjet e 11 majit, ambasadori Gonzato u shpreh se ndonëse rekomandimet përfundimtare të OSBE/ODIHR ende nuk janë publikuar, ato paraprake tashmë janë në vëmendje. Ai theksoi se ka një qëndrim të qartë edhe nga Brukseli, duke e cilësuar si thelbësor miratimin e një reforme gjithëpërfshirëse zgjedhore.

 

Për standardet e zgjedhjeve, ambasadori u shpreh se raporti i OSBE/ODIHR pasqyron realitetin e procesit zgjedhor, duke njohur përmbushjen e disa standardeve ndërkombëtare, edhe pse janë identifikuar problematika si përdorimi i burimeve publike. Megjithatë, ai vlerësoi administrimin e zgjedhjeve, duke përgëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK për bashkëpunimin e tyre, të cilin e cilësoi “ekzemplar”.

 

Lidhur me qëndrimin e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve, ambasadori Gonzato tha se çdo subjekt politik që ndien se ka pasur parregullsi, duhet t’i ndjekë ato përmes kanaleve zyrtare ligjore. Sipas tij, është me rëndësi që të gjitha palët politike të vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre pro integrimit europian dhe të punojnë konkretisht në këtë drejtim.

 

Me këtë mesazh, ambasadori Gonzato ritheksoi angazhimin e Bashkimit Europian për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut politik, reformave të qëndrueshme dhe zgjedhjeve të standardizuara si themel i një demokracie funksionale.

 

 

Si i shihni zgjedhjet e 11 majit sipas raportit të OSBE/ODIHR?

Nuk e di nëse kanë dalë rekomandimet përfundimtare, por natyrisht që kam parë rekomandimet paraprake. Ka pasur gjithashtu një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli dhe është një element që unë dua ta përmend, që unë e kam shumë kryesor siç e ka thënë dhe përfaqësuesja e lartë Kallas, është koha tashmë që qeveria shqiptare, por edhe Parlamenti të miratojë një reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE/ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që të ndërmarrë e të kryejë këtë reformë kaq të gjerë sepse me patjetër që i ka numrat. Nga ana tjetër është dhe pritshmëria e shqiptarëve duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për t’u futur në BE.

 

Standardet e zgjedhjeve?

 

Në raport me atë çfarë patë, kemi një raport të OSBE-ODIHR, i cili pasqyron si kanë qenë këto zgjedhje ndërkohë që i ka njohur me standardet. Ndërkohë që përmenden dhe çështje si përdorimi i burimeve publike, por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar nga raporti i OSBE/ODIHR ndaj po e theksoj që kjo është diçka e cila duhet trajtuar nëpërmjet një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen. Dua të vlerësoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën që ata kanë bërë, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, që do të thoja ka qenë një bashkëpunim ekzemplar.

 

Qëndrimet e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve, a do të ndikojnë në rrugëtimin për në BE?

 

Do doja të thoja që çdo parti, e cila mendon se ka pasur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato e të ankohet tek organet përkatëse që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe tek organet përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë shpresoj që të dyja partitë kanë theksuar një sërë herësh dedikimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të shkuar drejt BE, do të punojnë realisht në këtë drejtim./ CNA





Lajmet e fundit nga