web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ilir Alimehmeti "gjen" live 27 vota që "ia kishin vjedhur" numëruesit e PD-së

25 Qershor 2025, 07:40, Politikë CNA

Ilir Alimehmeti është mjek. Ai është bërë i njohur për opinionin shqiptar gjatë kohës së pandemisë sepse hidhte herë pas here në "Facebook" materiale të botuara nga OBSH që i përkthente paraprakisht në shqip. Vetëm kaq!

Më pas mjeku Alimehmeti nisi të shfaqej gjithnjë e më shpesh në banakët televizivë për tema që flisnin për shëndetësinë nga ku nisi të krijonte imazhin e një djali të ri me ambicie në politikë. Nuk mbahet mend për ndonjë debat të fituar, por thjesht për stilin e qetë dhe të folurën pak prej tironsi të vjetër.

Ilir Alimehmeti kur iu prezantua publikut, nuk ishte njeri i panjohur për liderin Berisha. Prindërit e Alimehmetit janë miq të ngushtë të familjes Berisha, ndaj promovimi për të nuk ishte i vështirë.

Kështu vazhdoi derisa në prag të garës për Bashkinë Tiranë, u votua nga anëtarësia e Partisë Demokratike dhe u nxor kandidat për Bashkinë Tiranë.

Nga kjo garë zoti Alimehmeti u tërhoq me një vendimmarrje personale pa pyetur për ata që e votuan.

Kjo ishte hera e parë që zoti Alimehmeti i la me gisht në gojë votuesit e vet.

Herën e dytë zoti Alimehmeti u hodh në garën e listave të hapura nga Berisha.

Është kjo gara që ka mbaruar, por që po tentohet të mbahet gjallë akoma sot edhe nga Alimehmeti në banakët televizivë.

Në gjithë këto ditë kemi dëgjuar nga Alimehmeti për vjedhje votash ndaj tij dhe për të drejta që atij i janë mohuar nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dje patëm fatin që Alimehmeti të nxirrte më në fund në publik një nga rastet e trumbetuara fort prej tij të vjedhjes së votave personale.

Dhe vetëm ai rast mund të mjaftojë për të zbuluar diçka nga karakteri i zotit Alimehmeti.

Deri në momentin kur u detyrua të nxirrte "provat", Alimehmeti kishte folur për to si të siguruara nga pamjet filmike që ai, (ose ekipi i tij), i kishte siguruar nga shqyrtimi i pamjeve filmike të kamerave të procesit të votimit.

I paraqiste ato që ai kishte zbuluar, por që KQZ dhe Kolegji nuk donin t’i zbulonin, si vjedhje të grupeve të numërimit. Të ca njerëzve aty poshtë, (se Alimehmeti është lart), që qenkeshin bërë bashkë për t’i vjedhur atij vota. Fliste për detyrime që KAS kishte që t'i gjente vetë provat që Alimehmeti i kishte, por nuk i publikonte etj., etj.

Pasi u lut e më pas u detyrua të nxirrte qoftë edhe një dokument ose indicie konkrete, Alimehmeti nxori një procesverbal qendre votimi.

Dhe duke shpjeguar atë që nxori, akuzat për vjedhje u fshinë. Sipas të njëjtit Alimehmet, grupi i numërimit e kishte referuar saktë rezultatin, por "me sa duket operatori kishte hedhur gabim shifrat".

Bëhej fjalë për 27 vota që, (operatori tani e jo numëruesit), i kishin kaluar, (gabimisht tani dhe jo si vjedhje), një kandidati tjetër.

Gazetari Lorenc Vangjeli pjesë e panelit duket se hapi portalin e KQZ-së, (i aksesueshëm nga të gjithë) dhe brenda 27 sekondash nxori korrigjimin që KAS i kishte bërë në proces rinumërimi asaj qendre votimi. 27 votat i ishin kthyer zotit Alimehmeti.

Alimehmeti pra bredh banak më banak, duke akuzuar për vjedhje numëruesit e Partisë Demokratike, KQZ-në, Kolegjin Zgjedhor, cilindo që sapo i ka mësuar emrin dhe të tjerë që nuk ua di as emrin dhe nuk ka 27 sekonda kohë për të verifikuar në një portal publik fatin e 27 votave "të vjedhura" nëpërmjet gabimit njerëzor.

Alimehmetit dje ia gjetën live 27 vota nga ato që ia kishin "vjedhur" numëruesit e PD-së. Alimehmeti vetë as që e dinte ekzistencën dhe përdorimin e portalit të KQZ-së dhe kjo tregon se sa i interesuar është kandidati Alimehmeti për fatin e votave të tij. U desh banaku i një televizioni që 27 vota të gjendeshin për 27 sekonda.

Në fund mbetet gënjeshtra dhe akuza kundër numëruesve të PD-së, të cilët Alimehmeti i akuzoi pa turp dhe pas tyre akuzoi edhe KAS-in se po përpiqet t’i mbrojë.

Mes një kandidati që gënjen dhe akuzon njerëz të PD-së, ne mbetemi në anën e demokratëve.

Alimehmeti pas 2 herëve që i ka gënjyer dhe më pas edhe akuzuar si hajdutë është i ftuar ta provojë edhe herën e tretë. S'i dihet! Mbase e votojnë prapë!/ CNA





Lajmet e fundit nga