web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Frida Mavriqi, në garë për Fierin/ Kandidatja e Partisë Mundësia, në intervistë për CNA

15 Prill 2025, 22:59, Politikë CNA

Kandidatja për deputete e Partisë Mundësia në Qarkun e Fierit, Frida Mavriqi, ka dhënë një intervistë për CNA.

Në intervistën e dhënë Mavriqi ka treguar se pse zgjodhi të ishte pjesë e Partisë Mundësia.

Gjithashtu foli dhe për pritshmëritë nga 11 maji, ku tha se partia e saj do të marrë një mandat në Fier dhe do të ketë mundësi të krijojë grup parlamentar në Kuvend.

Pse zgjodhët Partinë Mundësia për t’u bërë pjesë e politikës?

Dëshira ime për të marrë pjesë në politikë ka qenë e hershme. Në asnjë prej forcave politike s'e kam gjetur veten dhe ndaj kam qenë duke e ndjekur nga ekrani. Deri në ditën kur pashë themelimin e Partisë Mundësia, m'u duk si ajo drita në fund të tunelit. E kam parë politikën si rregullatore të jetës së qytetarëve, ndaj kam dashur të jem pjesë e saj. Kam marrë pjesë te Partia Mundësia pasi për momentin është e vetmja parti e djathtë, e qendrës që përkon me aspiratat e brezit tim.

E para në listën e Fierit, mendoni se do të jeni pjesë e Parlamentit të ardhshëm, duke ditur që është ndër qarqet më sfiduese për politikën?

Qarku i Fierit është qarku më sfidues pas Tiranës. Historikisht vota në Fier ka anuar majtas, shpesh quhet dhe bastion i majtë. Kjo nuk më frikëson, më motivon për të punuar më shumë. Ky motivim vjen sepse pas çdo takimi shoh dëshirën e madhe që fierakët kanë për ndryshimin. Atë ndryshim që nuk e kanë parë në 35 vite. Pas çdo takimi më shtohet një përgjegjësi e madhe. Të jesh e para në listë, nuk më jep siguri. Më vendos para një përgjegjësie shumë të madhe, duhet të punoj shumë. Ne nuk do të kemi thjesht një rezultat shumë të mirë, patjetër do të kemi një mandat në Qarkun e Fierit. Jam e bindur që pas 11 majit do të shkojmë në Parlament me 1 mandat nga Fieri.

 

Ne jemi opozita e vërtetë tha zoti Shehaj në çeljen e fushatës. Çfarë ju dallon nga partitë e tjera opozitare?

Jemi në kontrast të plotë me çdo parti tjetër politike. Kandidatët e Partisë Mundësia nuk kanë qenë të përlyer. Nuk kemi lista të mbushura me klientë apo emra të vjetër. Nuk jemi të rinj vetëm në moshë, por dhe në mentalitet. Shehaj ka bërë opozitë i vetëm, i vetmi që ka folur për aferat e mëdha, për problemet. Mendoni nëse pas 11 majit Shehaj nuk do të jetë i vetëm, por me grup parlamentar. Do të jetë opozita e vërtetë që shqiptarët nuk kanë parë në 34 vite. Pas 11 majit do të jemi e vetmja opozitë, ku nuk do të heshtet, nuk do të mbrojmë interesat e askujt. Jemi të papërlyer. Të mos heshtim përballë asnjë kompromisi.

 

Një bashkëpunim me PD-në apo me PS-në?

Votuesit na kërkojnë të mos bëjmë asnjë koalicion, as djathtas, as majtas. Ne këtë siguri ofrojmë, që Partia Mundësia nuk do të bashkojë votat as me PS-në, as me PD-në. I shohim si politikë të vjetër, shqiptarët janë lodhur nga politka e vjetër. Asnjëra nga pikat e programit tonë nuk është e ngjashme me partitë e tjera. Nuk do të bëjmë koalicion me asnjë nga partitë politike.

 

Kandidoni e para në Qarkun e Fierit. Pse qytetarët fierakë duhet të zgjedhin Frida Mavriqin?

Po ta shihja veten si votuese dhe pse do të votoja një kandidate të re, sepse nuk vij nga politika e vjetër apo post i caktuar, i qasem shumë kollaj votuesit tim duke i thënë se nuk kam pazare politike dhe nuk kam post për të mbrojtur. Unë vij nga jeta reale. E di ç'do të thotë të marrësh një vend pune me meritokraci. I di vuajtjet e shqiptarëve, nuk tentoj t’i fsheh ato. I gjithë fokusi im është t’i shëroj dhimbjet e shqiptarëve që i kam kuptuar nga profesioni. Jam e re në politikë, por nuk jam e re në përgjegjësi. Ne të gjithë si kandidatë të Partisë Mundësia, sidomos drejtuesit e qarqeve, pjesa më e madhe e tyre janë sipërmarrës. Ne si kandidatë jemi të gjithë të rinj dhe jemi të gjithë të papërlyer në fushën tonë. Ashtu si unë në Qarkun e Fierit, por dhe të tjerët janë kandidatë me mentalitet dhe mendësi të re dhe që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri dhe të mos largohen, sepse duan të japin një kontribut. Dhe unë mund të largohem, por kam vendosur të qëndroj këtu, të jem në Shqipëri, në shërbim të qytetarëve.

A do të jetë Partia Mundësia forcë e tretë?

Sipas një sondazhi, Partia Mundësia forcë e tretë në Parlament. Mua kjo nuk më surprizon. Ne kryejmë sondazhet tona të përjavshme, e dimë se ku jemi. Madje jemi më mirë se rezultati që na kishte nxjerrë sondazhi. Kam bindje që do jemi një forcë e tretë./ CNA





Lajmet e fundit nga