LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Skandali McGonigal, frymëmarrje për opozitën apo rrezik për Ramën

28 Janar 2023, 20:06, Opinione Gjergji Koja
Skandali McGonigal, frymëmarrje për opozitën apo rrezik për
Foto ilustruese

Prej disa ditësh Charles McGonigal, ish-zyrtari i FBI i arrestuar e hetuar, i cili përballet me një fazë gjykimi në Shtetet e Bashkuara, ka trazuar jo pak politikën në Shqipëri.

Në njërën anë ndodhet Kryeministri Edi Rama, ndaj të cilit janë drejtuar shigjetat politike të opozitës, ndërsa në anën tjetër opozita duket se po shfrytëzon çdo detaj të skandalit.Çështja McGonigal iu shfaq në kohën e duhur, si një frymëmarrje e re, dhe po shfrytëzohet politikisht në Tiranë, ndërsa më parë gjithë debatet rreth saj ishin nga selia e PD te zyrat e grupimit Alibeaj dhe anasjelltas.

Historia apo skandali i ish-zyrtarit të FBI mund të prodhojë në Tiranë një krizë zë re politike, në varësi të qëndrimit që do të bajnë grupimet në PS, mund të ketë edhe një kosto për Kryeministrin, sikundër mund të vendosë në një raport të ri marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe lobuesve të tij në Shtetet e Bashkuara. Por ajo mund të kalojë ashtu sikundër kanë kaluar, deri më tani, plot e plot skandale me patronazhistë e hakerime, me inceneratorë e miliona euro që shpërdorohen, që duket se e kanë fuqizuar më shumë Kryeministrin sesa e kanë dëmtuar atë.

Reagimi i fundit i Kryeministrit Rama lidhur me çështjen McGonigal ishte mbrëmjen e së enjtes, përmes një deklarate, ku ai mohonte tërësisht se kishte lidhje me akuzat ndaj ish-zyrtarit të FBI, të cilin e kishte konsideruar “mik”, por duket se jo aq të ngushtë sa miqësia me Gjushin e “duarve si akullore”.

Interesant në tërë debatin që po ndodh në Shqipëri, në dallim nga një seri skandalesh të tjera, është heshtja e një sërë deputetësh e ministrash, që komentojnë dhe reagojnë edhe kur bie shi apo kur koha është e vrenjtur.Deri më tani kanë reaguar publikisht nga rradhët e socialistëve Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri, i pari nga salla e Kuvendit mes kaosit që u krijua pasi deputetët e opozitës zaptuan foltoren, dhe i dyti nga selia e PS, ndërsa u pyet nga gazetarët.

Çuditërisht po qëndrojnë në heshtje Elisa, Lali, Belinda dhe plot të tjerë që veprojnë si grupim i gatshëm, sa herë “Skenderbeu” i tyre ndodhet në një situatë të pakëndshme skandalesh. Ndoshta mund të jenë udhëzuar për ti qëndruar larg debatit me qëllim për të mos i dhënë rëndësi, edhe pse në natyrën politike që kanë shfaqur dhe kanë bërë karrierë, duhej të ishin në “ballë të luftës” politiko-mediatike.

Opozita, qoftë ajo me vulë, ashtu edhe ajo me seli, po kërkojnë me insistim që Kryeministri të rrëfehet apo të japë llogari. Opozitës i erdhi një mundësi “e artë” në dorë në lojën politike, po e përdor atë si një lloj frymëmarrje, pa pasur nevojën të shpikë detaje apo histori.

Në një vend normal, çështja McGonigal, për aq sa i takonte Shqipërisë, duhej të kishte nisur të hetohej. Një prej prokurorëve, me apo statusin e prokurorit special, mund të kishte ndërmarrë inisiativën për të nisur një hetim kryesisht, qoftë edhe duke kërkuar dosjen apo të dhënat nga SHBA, referuar sensitivitetit që po shkakton skandali. Ndoshta hetimet mund ti jepnin tërësisht të drejtë Kryeministrit me deklaratat e tij publike duke e “pastruar” imazhin e tij nga akuzat dhe sulmet, sikundër mund t´i jepnin fund një praktikave për të cilat akuzohet publikisht Edi Rama nga opozita.

Kjo e fundit, pavarësisht se po shfrytëzon me detaje çështjen, deri më tani është kthyer në një interpretuese ose komentuese e fakteve që publikohen në mediat ndërkombëtare. Dhe sipas interesave të grupimeve McGonigali herë akuzohet se përbalti Lulzim Bashën me historinë e rublave ruse, dhe herë se ndikoi në shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit.

Sali Berisha foli për organizimin protestash, më pas paralajmëroi se nuk do të kishte zgjedhje më 14 maj me Edi Ramën Kryeministër, ndërsa pjesa tjetër e saj, pret që Kreu i Qeverisë të shfaqet në sallën e Kuvendit dhe të zhvillohet mocioni me debat. Në një vend normal dhe me një opozitë në kushte normale, minimalisht do të thërriste një protestë të shpejtë, pa i lënë asnjë afat apo kohë Ramës.

Në fakt kjo nuk ndodhi dhe opozita ka zgjedhur rrugën e ultimatumeve dhe paralajmërimeve.Kjo është panorama që publikisht po ndodh në politikën shqiptare ku McGonigal arriti të dominojë mbi çdo skandal tjetër që është denoncuar po publikisht dhe ku të implikuar rezultojnë pjesëtarë të Qeverisë apo funskionarë të saj.

Duket se secili është në rolin e tij, ashtu sikundër ka ndodhur edhe më parë, pavarësisht se kush ka drejtuar opozitën dhe kush ka qenë në karrigen e Kryeministrit.

Në këtë vend çudia më e madhe ka zgjatur 3 ditë. Dallimi i vetëm në çështjen McGonigal, është se në SHBA ka një çështje të hapur për ish-zyrtarin e FBI-së, gjyqi ndaj të cilit, me faktet që mund të dalin në dritë, mund të përcaktojë fundin politik të Kryeministrit.

Këtë duket se e dinë edhe në Tiranë, ndaj dhe secila palë është në pritje./ CNA.al

08:22 Opinione Ola Xama

Skandali me kazinotë

Marrëzia e kumarit! Së fundi, në kryeqytetin tonë ka hapu...

Lajmet e fundit nga