web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqiponja që jetonte si pulë (Alegori social-politike)

11 Korrik 2023, 12:23, Opinione Ardi Stefa
Shqiponja që jetonte si pulë (Alegori social-politike)
Ardi Stefa

Një bari jetonte në një kasolle pranë një pylli dhe një mali. Pranë kasolles ai kishte stanin dhe kotecin e pulave, nga të cilat merrte vezë dhe ndonjërën edhe e therte për ta ngrënë.

Vitin, për të cilin bëhet fjalë, kishte rënë thatësirë e madhe dhe bari ishte i rrallë.

Dhe bariu i historisë sonë vendosi t'i çonte dhitë e tij në majë të malit, ku lagështia kishte të ngjarë të ishte më e madhe dhe ku ai shpresonte të gjente bar të freskët për t’u ushqyer bagëtia.

Kur u shkoi në majë të malit pa se ishte vërtetë ashtu. I kënaqur i la dhitë të kullosin për orë të tëra, derisa ra nata. Atëherë vendosi të kthehet në kasollen e tij. Duke zbritur me dhitë përpara dhe duke menduar për qumështin që do merrte në mëngjes, pa përpara një fole shqiponjash. U afrua dhe jashtë saj pa dy zogj të vegjël shqiponje.

Njëri prej tyre ishte vrarë, pasi, në përpjekje për të fluturuar kishte rënë e ishte vrarë, ndërsa zogu tjetër, edhe pse mund të fluturonte, dukej i plagosur rëndë.

Bariu nuk i pëlqente fare shqiponjat, sepse i kishin bërë shumë dëme. Një herë i kishin sulmuar kopenë e dhive, i kishin rrëmbyer një kec dhe shumë herë kishin bërë kërdinë në kotecin e pulave duke ia shfarosur. U nis të largohej, por i erdhi keq për zogun e plagosur të shqiponjës dhe e mori me vete në kasollen e tij. U kujdes për të sa mundi. E mjekoi, e ushqente me copëza mishi dhe e përkëdhelte.

Zogu u bë mirë dhe filloi të rritet, derisa u bë një shqiponjë e madhe, e bukur.

Që nga momenti kur shqiponja u rrit, gjërat ndryshuan. Bariu, i cili ishte krenar për të mirat që kishte bërë, filloi të shqetësohej. Nuk kishte si të harronte dëmet që shqiponjat u kishin bërë dhive dhe pulave të tij në të kaluarën.

Një ditë prej ditësh, bariu vendosi ta braktiste shqiponjën në pyll, duke menduar se tani natyra do ta ndihmonte të mbijetonte vetë.

Tri herë bariu e la shqiponjën në pyll dhe tri herë shqiponja e ndoqi duke u hedhur në tokë.

Bariu ishte në dëshpërim, nuk dinte çfarë të bënte. Më pas, i lindi një ide e çmendur: Ta fuste shqiponjën në kotec!

Sapo pulat panë këtë zog të madh që dridhej aq shumë, u tërhoqën të trembura. Por kur panë që shqiponja ishte ulur e qetë dhe nuk i shqetësonte, dalëngadalë u afruan dhe u mësuan me praninë e saj. Vitet kaluan dhe shqiponja mësoi të jetonte si pula, hante si pulat, ecte si pulat, madje arriti deri në atë pikë sa të kakariste si ato.

Një herë, pra, në zonë mbërriti një natyralist që studionte shqiponjat.

Duke kaluar pranë kasolles së bariut, mbeti pa fjalë kur pa pamjen e çuditshme: shqiponjën e zbutur në kotecin e pulave!

Ai vrapoi dhe trokiti me këmbëngulje në derën e kasolles së bariut, i cili nga poterja e madhe doli i frikësuar.

- Kush jeni ju, çfarë doni?

- Kërkoj falje, jam natyralist dhe studioj shqiponjat. Por pak më parë pashë diçka të pazakontë, një shqiponjë që jetonte në kotec me pulat tuaja!

Bariu e kuptoi arsyen e habisë së tij dhe e ftoi në kasolle për t'i treguar historinë: si e gjeti, kuroi dhe rriti shqiponjën bashkë me pulat.

Natyralisti e dëgjoi i magjepsur, derisa në një çast një koment i thjeshtë i bariut e shqetësoi.

- Siç e kupton, miku im, zogu ka jetuar aq gjatë me pulat sa brenda tij nuk është më veçse një pulë.

- Më vjen shumë keq, por nuk mund të pajtohem me ju, - u përgjigj natyralisti.

- Meqenëse nuk jeni dakord, pse nuk ma provoni duke marrë shqiponjën dhe duke e nxitur të fluturojë? - e sfidoi bariu.

Natyralisti shkoi te koteci, mori shqiponjën dhe bëri gjënë e parë që i ra në mendje; e hodhi në ajër duke thirrur: “FLUTURO!”

Shqiponja, nuk fluturoi, por ra si plumb në tokë dhe, e trembur, u fsheh në një cep të kotecit.

Bariu qeshi, por natyralisti nuk u dorëzua.

Mori një shkallë dhe e mbështeti në një nga muret e kasolles. U kthye në kotec, kapi shqiponjën dhe së bashku u ngjitën në çati. Prej andej ai e lëshoi shqiponjën duke i thënë sërish “FLUTURO!”

Shpendi i gjorë ra përsëri në shesh. U shpupulit nga përplasja e krahëve, por nuk u vra nga rënia. Kur mori veten nga tmerri i tij, shqiponja u fsheh menjëherë në kafaz.

Atëherë bariu, me qesëndi, i tha:

- Nëse vazhdoni kështu, do të më vrisni pulën.

Por natyralisti nuk donte që vitet e tij të studimeve, diplomat që kishte marrë, të shkonin kot. Megjithëse provat për të kundërtën dhe kritikat nga bariu, ai ishte plotësisht i sigurt se shpirti i një shqiponje nuk vdes kurrë.

Kështu që ai vazhdoi të këmbëngulte.

Papritur, natyralisti i dëshpëruar pa malin ku bariu kishte gjetur shiponjën.

- Çfarë është ai vend?,- pyeti nëpër dhëmbë.

- Maja e malit ku gjeta shqiponjën. Pse?

Natyralisti u gjallërua.

- Sepse do ta çoj atje, në vendin ku ka lindur dhe ndoshta do të kujtojë rrënjët e saj dhe do të kuptojë se mund të fluturojë.

- Nuk je mirë, më duket. Refuzon të pranosh se e ke gabim.

Natyralisti nuk tha asgjë. U kthye në kotec, mori shqiponjën dhe filloi të ecte me sy të ngulur në majën e malit. Bariu kapi një fanar dhe e ndoqi. Gjatë gjithë natës që ata u ngjitën në mal, natyralisti përpiqej të mendonte mënyra për të zgjuar shpirtin e fjetur të shqiponjës.

Kur arritën majën ku kishte lindur shqiponja, filloi të zbardhte dhe më pas natyralisti vuri re diçka të çuditshme: shqiponja e trembur fshihej nga dielli.

I dëshpëruar dhe pa e ditur arsyen, natyralisti e kapi zogun nga qafa dhe e detyroi të përballet me diellin.

Më pas, ndodhi diçka e mahnitshme. Shqiponja hapi krahët e saj të mrekullueshëm dhe fluturoi larg.

Atë ditë shqiponja u kujtua se cila ishte dhe rifitoi identitetin e saj të vërtetë, që nuk ishte ai i pulës, por i shqiponjës!

Bariu dhe natyralisti panë gojëhapur rizgjimin e një shpirti të fjetur...

P.s: Shqiponja nuk është më e mirë se pula, por sheh tetëdhjetë e dy herë më mirë se ajo.

Për më tepër, shqiponja fluturon, ndërsa pula rri në tokë; shqiponja sheh peizazhe, që një pulë as nuk mund t'i ëndërrojë. Sigurisht, jeta e pulës është më e rehatshme, pasi ushqimin e ka të siguruar, ndërsa shqiponja duhet të gjuajë, por çmimi që paguan është ndoshta shumë i lartë, pasi është e lirë.

P.p.s 1: Çdo përkim me ngjarje, njerëz, popuj e situata NUK është i rastësishëm.





18:26 Opinione Ilir Levonja

Prishtinë dil në shesh

Prishtinë dil në shesh e nëme djallin. Eshtë më i keq se s...

Lajmet e fundit nga