web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush po përpiqet të shpërbëjë Komunitetin Bektashi në Shqipëri?

17 Tetor 2025, 08:51, Opinione Atë Grigor Pelushi

Kush po përpiqet të shpërbëjë Komunitetin Bektashi

Kohët e fundit po ndjek me shumë shqetësim sulmet që po ndodhin në adresë të Përfaqësuesit më të lartë shpirtëror të Komunitetit të nderuar Bektashi në Shqipëri, shfaqur kjo në forma të ndryshme sidomos në rrjetet sociale të cilat vitet e fundit po pushtojnë në masë të gjerë vëmendjen e shoqërisë.  Kjo më kujton të njëjtën përpjekje tinëzare për disa dekada ndaj Kryepeshkopit të lumur Imzot Anastasit.

Në historinë shpirtërore dhe kulturore të Shqipërisë, Komuniteti Bektashi ka zënë një vend të veçantë, duke shërbyer jo vetëm si një urë mes Besimeve, por edhe si një mbështetje për vlerat kombëtare, tolerancën dhe bashkëjetesën. Si një degë e Sufizmit me rrënjë të thella në traditën shqiptare, Bektashizmi ka qenë për dekada të tëra një faktor unifikues, sidomos në momentet kur identiteti ynë kombëtar është vënë në provë ( kujtoj vitet 1912, 1915, 1920).

Megjithatë, në vitet e fundit, janë evidentuar përpjekje të organizuara, të qëllimshme apo të maskuara si “kritikë fetarë”, për të goditur unitetin dhe integritetin e këtij komuniteti. Qëllimi i këtyre sulmeve duket se është më i thellë sesa një debat fetar – ai ka të bëjë me dobësimin e një institucioni që përfaqëson një trashëgimi historike, fetare dhe kombëtare që i ka rezistuar kohës dhe sfidave të saj.

Përse sulmohet Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj?

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, si figura më e lartë dhe përfaqësuese e këtij komuniteti, është bërë shënjestër e këtyre sulmeve jo vetëm për pozicionin e tij fetar, por për ndikimin që ai ushtron në ruajtjen e unitetit Bektashi në mbarë botën. Me seli në Tiranë, në Kryegjyshatën Botërore, Shqipëria përfaqëson qendrën shpirtërore të këtij komuniteti global. Ky realitet për disa aktorë – brenda dhe jashtë vendit – mund të përbëjë një shqetësim për arsye të ndryshme: politike, ideologjike, fetare apo gjeopolitike.

Duke goditur figurën e Kryegjyshit, synohet të dobësohet autoriteti moral dhe shpirtëror i institucionit, dhe përmes tij, të nxitet një krizë e brendshme që mund të çojë në përçarje dhe shpërbërje.

Kush fshihet pas këtyre përpjekjeve?

Identifikimi i saktë i autorëve të këtyre sulmeve është i vështirë, sepse shpesh ato vijnë në mënyrë indirekte, përmes kanaleve mediatike, "analistëve" të vetëquajtur të "paguar", apo edhe përmes elementëve të infiltruar që nxisin përçarje nga brenda. Megjithatë, mund të përmendim disa kategori të mundshme që mund të kenë interes në dobësimin e Komunitetit Bektashi:

1. Grupime fetare radikale – Bektashizmi, për natyrën e tij të hapur, tolerante dhe shpirtërore, bie ndesh me doktrina më të ashpra, dogmatike apo literaliste që kërkojnë dominim fetar në shoqëri. Për ta, bektashizmi përbën një pengesë kulturore dhe ideologjike.

2. Aktorë gjeopolitikë – Si një qendër fetare botërore, e vendosur në një vend laik si Shqipëria, Kryegjyshata Bektashiane përfaqëson një autonomi të rrallë në botën islame. Kjo mund të jetë shqetësuese për shtete apo struktura që synojnë të vendosin kontroll mbi komunitetet myslimane përmes ndikimit politik dhe fetar.

3. Aktorë të brendshëm me interesa personale – Nuk përjashtohet mundësia që brenda vetë komunitetit të ketë individë të zhgënjyer, të përdorur apo të motivuar nga ambicie personale që, në vend që të kontribuojnë në unitetin Bektashi, ndihmojnë në minimin e tij.

Cili është qëllimi i vërtetë?

Qëllimi përfundimtar i këtyre përpjekjeve nuk është thjesht Kryegjyshi si individ, por është shkatërrimi i një boshti shpirtëror dhe kulturor që përbën një element të pazëvendësueshëm në identitetin shqiptar. Shkatërrimi i këtij komuniteti do të ishte humbje e një tradite të rrallë të bashkëjetesës, një trashëgimi shpirtërore me rrënjë të thella në historinë tonë kombëtare – që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, tek mbështetja për luftën për çlirim dhe deri te roli që luan në ruajtjen e paqes sociale sot.

Si përfundim, mund të themi se, në një kohë kur bota po përballet me ndasi të thella fetare dhe kulturore, prania e komuniteteve si ai Bektashi në Shqipëri është një thesar që duhet mbrojtur, ruajtur dhe respektuar. Çdo përpjekje për ta goditur apo shpërbërë këtë komunitet nuk është vetëm një sulm ndaj një feje apo institucioni, por ndaj vetë Pluralizmit Fetar dhe identitetit të pasur kulturor të Shqipërisë.

Shënim: "shkrimi shpreh këndvështrimin personal të autorit"./ CNA





20:10 Opinione Ditmir Bushati

Kurthi i tapetit të kuq

Presidentja e Komisionit Europian përfundoi vizitën e saj ...

16:37 Opinione Ardi Stefa

Të pavarurit e varur!

E veçanta e zgjedhjeve të pjesshme vendore të këtij viti, ...

14:18 Opinione Andi Bejtja

SHYQYR QË JEMI NDRYSHE!

Jo pak kolegë gazetarë që kaluan kufirin me Serbinë, përve...

Lajmet e fundit nga