LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Holodomor ishte gjenocid një sinjal i qartë për pasardhësin e Stalinit në Kremlin

2 Dhjetor 2022, 09:01, Opinione Eugen Theise

Holodomor ishte gjenocid një sinjal i qartë për pasardhësin

"Tragjedi", "uri e madhe" ose "gjenocid": kur bëhet fjalë për vdekjen nga uria të rreth katër deri në shtatë milionë ukrainasve 90 vjet më parë, përzgjedhja e fjalëve nuk është thjesht një pyetje shkencore ose politike, por një çështje thellësisht ideologjike.

Kur Moska përdor fjalë të tilla si "uri" ose "tragjedi", ajo minimizon një krim të tmerrshëm si dëm kolateral të kolektivizimit të bujqësisë nga Stalini. Është më shumë se një eufemizëm. Është një gënjeshtër kriminale që Kremlini e propagandon me këmbëngulje në skenën ndërkombëtare.

Hera e fundit që Moska pati sukses me këtë ishte në vitin 2003, kur termi "tragjedi" u fut në një dokument pune të Kombeve të Bashkuara që shënonte 70-vjetorin e vrasjeve nëpërmjet urisë. Që atëherë, Kievi ka bërë përpjekje të mëdha për të siguruar që kujtimi i viktimave të Holodomorit - siç quhet në ukrainisht vrasja masive nëpërmjet urisë - të mos relativizohet ndërkombëtarisht me eufemizma. Njerëzit nuk vdiqën për shkak të thatësirës ose për shkak të një gabimi politik. Ata vdiqën, sepse ishin fshatarë ukrainas liridashës, te të cilët Kremlini nuk kishte besim.

Duke i vrarë me miliona nëpërmjet lënies në uri, Stalini ndoqi dy qëllime: të fshinte identitetin ukrainas, ku fshatarët ishin shtylla kurrizore e "hambarit" të Evropës, duke gjeneruar në të njëjtën kohë valutën e nevojshme për industrializim e duke eksportuar drithin e konfiskuar. Ndërsa popullsia ukrainase në fshatra vuante nga uria, në qytete ndërtoheshin fabrika. Nga të gjitha anët e perandorisë sovjetike vinin punëtorë - proletarë të ardhshëm, "popuj të rinj sovjetikë" pa identitet kombëtar.

Studiuesi Rafael Lemkin e përshkroi këtë krim 70 vjet më parë, si gjenocid. Ai - vetë një i mbijetuar i Holokaustit - filloi trajtimin juridik të vrasjes masive të hebrenjve të Evropës. Ishte Lemkin që përdori për herë të parë termin "gjenocid" në të drejtën penale ndërkombëtare si vrasje masive kundër një kombësie, një përkatësie etnike ose racore. Lemkin e quajti Holodomorin gjenocid, sepse vrasja e fshatarëve ukrainas ishte kulmi i shfarosjes së ukrainasve në Perandorinë Sovjetike, jo fillimi i saj. Tashmë kishte pasur të shtëna masive ndaj elitës së arsimuar ukrainase - shkrimtarë, shkencëtarë dhe mësues.

Por për dekada, politikanët në Berlin refuzonin ta përdornin fjalën gjenocid për këtë krim. Në vitin 2018, Gjermania iu bashkua një deklarate të OKB-së që fliste për "uri artificiale". Arsyetimi ishte i një natyre thjesht formaliste: nuk donte të adoptohej termi gjenocid për ngjarjet e viteve 1930, pasi kjo u regjistrua vetëm në ligjin ndërkombëtar në vitin 1951. Rezoluta aktuale e Bundestagut e demaskon këtë qëndrim si një pretekst të kotë. Miqësia me Ukrainën nuk duhet të prishë në asnjë mënyrë marrëdhëniet me Rusinë, kjo ishte mantra e politikës gjermane për dekada.

Holodomor ishte gjenocid një sinjal i qartë për pasardhësin
Eugen Theise, Redaktor i DW

Vetëm më 24 shkurt 2022, kur agresini i gjerë rus kundër Ukrainës tronditi Evropën, edhe Berlini filloi reflektimin. Në media gjermane nisi të raportohej për krime lufte dhe mizoritë e kryera nga ushtarët rusë në Ukrainë, më pas "autorë të panjohur" hodhën në erë tubacionin e gazit Nord Stream përpara se "uria artificiale" të shpallej përfundimisht gjenocid. Në përballjen e saj me krimet staliniste, Gjermania më në fund ka mbërritur aty ku ishte Estonia e vogël në vitin 1993.

Gjermanët e dinë më mirë se çdo komb tjetër se sa e rëndësishme është të përkujtohen viktimat e vrasjeve masive dhe të autorët të përmenden me emër. Rezoluta e Bundestagut e bën Holodomorin pjesë të kulturës memoriale evropiane. Kjo kulturë është një shtyllë në kanunin e vlerave në të gjithë kontinentin. Është një shfaqje e rëndësishme solidariteti dhe respekti për popullin ukrainas, i cili është duke u përballur sërish  me terrorin e Moskës. Sot, Kremlini po vret ukrainasit me raketa dhe po rrezikon jetën e tyre duke shkatërruar në krye të dimrit furnizimet e tyre me energji elektrike dhe ngrohje. Për të njëjtën arsye Moska i la ukrainasit 90 vjet më parë që të vdisnin urie.

Klasifikimi i Holodomorit si gjenocid është gjithashtu një sinjal i rëndësishëm për Vladimir Putinin. Një ditë historianët, politikanët dhe ndoshta edhe gjyqtarët do të gjykojnë luftën e tij kriminale kundër Ukrainës. Bundestagu tani po i bën thirrje qeverisë federale që të kundërshtojë narrativat e rreme të Rusisë dhe të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Paralelet midis Holodomorit, mohimit të tij nga Rusia dhe krimeve ruse në luftën aktuale janë po aq të rëndësishme në deklaratën e Bundestagut sa edhe klasifikimi si gjenocid. Dhe kujtimi i krimit është gjithashtu një referencë për të përbashkëtën mes Putinit dhe Stalinit: Për asnjërin prej tyre nuk kanë vlerë jetët e njerëzve.

Klasifikimi i Holodomorit si gjenocid është edhe përgjigja e nevojshme për ata njerëz në Gjermani, që duke shfrytëzuar inflacionin rekord dhe rritjen e çmimeve të gazit, po bëjnë thirrje gjithnjë e më të madhe për negociatat e paqes midis Kievit dhe Moskës. Thua se Kremlini është vërtet i shqetësuar vetëm për situatën gjeopolitike ose anëtarësimin gjoja të afërt të Ukrainës në NATO. Dhe jo për një përpjekje tjetër për të zhdukur kombin ukrainas./DW

Lajmet e fundit nga