web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ekzistojmë! Bashkëekzistojmë?

16 Janar 2026, 19:06, Opinione Ardi Stefa


Ekzistojmë! Bashkëekzistojmë?

Ekzistojmë!
Kjo është e padiskutueshme. Frymojmë, votojmë, dashurojmë, shajmë, punojmë, hamë, flemë, ikim, kthehemi, mbijetojmë.

Por a bashkëekzistojmë?
Apo thjesht zëmë të njëjtin territor duke u shtyrë, përjashtuar dhe konsumuar njëri- tjetrin?

Në politikë, kundërshtia është kthyer në armiqësi. Jo debat, jo alternativë, jo ide kundruall ideve. Armik! Kundërshtari nuk është më dikush që mendon ndryshe, por dikush që duhet zhdukur nga ekrani, nga hapësira publike, nga legjitimiteti!
Sot duhet ta delegjitimosh politikisht e moralisht kundërshtarin që të kesh një "bashkëjetesë" të rreme nën zhurmë propagande.

Shoqëria shqiptare pasqyron këtë logjikë me përpikëri. E ndarë në kampe që nuk flasin, por ulërasin. Që nuk dëgjojnë për të kuptuar, por për të kundërshtuar e anatemuar. Të varfër kundër të varfërve, të rinj kundër të moshuarve, “të suksesshëm” kundër “dembelëve”.

Çdo kategori ka gjetur një tjetër për ta fajësuar. Asnjë nuk sheh lart. Sepse është më e lehtë të luftosh atë që mendon se e ke pranë sesa të sfidosh sistemin që i ka vënë të gjithë në garë pa finish.

Në nivel njerëzor, bashkëekzistenca është bërë formale. Jetojmë pranë njëri-tjetrit, por jo me njëri-tjetrin. Kemi rrjete sociale, por gjithnjë e më pak shoqëri. Kemi ndjeshmëri selektive: prekemi vetëm kur prekemi personalisht. Dhimbja e tjetrit është statistikë, lajm i shpejtë, “scroll”. Solidariteti është bërë fjalë e madhe për raste të jashtëzakonshme dhe jo praktikë e përditshme.
Ironia është se të gjithë flasim për tolerancë, por jetojmë me mosdurim. Flasim për demokraci, por sillemi si pronarë të së vërtetës. Flasim për liri, por nuk e durojmë mendimin ndryshe. Bashkëekzistenca kërkon diçka shumë më të vështirë sesa ekzistenca: pranimin e tjetrit pa kushtin që të bëhet si unë.
Politika na ka mësuar se kompromisi është dobësi. Shoqëria na ka bindur se empatia është luks. Dhe ne, të lodhur, kemi pranuar të mbyllemi në guaskën tonë: “Të shpëtojmë veten, pjesa tjetër nuk më takon.” Kështu ndërtohet një vend ku të gjithë ekzistojnë, por askush nuk bashkëekziston.

Bashkëekzistenca nuk është harmoni artificiale, as buzëqeshje false.
Është konflikt i menaxhuar, është dallim i respektuar, dhe debat pa urrejtje.

Është të pranosh se tjetri mund të ketë të drejtë, ose të paktën të drejtën për të qenë ndryshe.

Është të kuptosh se pa tjetrin, edhe ekzistenca jote është e cunguar.
Nëse vazhdojmë kështu, do të kemi gjithçka: institucione, zgjedhje, ekrane, fjalime. Por nuk do të kemi shoqëri. Sepse shoqëria nuk ndërtohet nga individë që vetëm ekzistojnë, por nga njerëz që bashkëekzistojnë, edhe kur nuk bien dakord.

Dhe i rikthehem pyetjes së fillimit: "Ekzistojmë! Bashkëekzistojmë?"
Ekzistojmë, po! Bashkëekzistojmë? Jo!

A jemi gati të bashkëekzistojmë?





15:39 Opinione Grigels Muçollari

Kur SHBA të heq vizën!

Kufizimi i vizave amerikane për shtetasit shqiptarë nuk ës...

Lajmet e fundit nga